Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Zonat e Mbrojtura, një tragjedi shqiptare”

Ndryshimi i ligjit për zonat e mbrojtura, i miratuar me shumicë të thjeshtë në seancën e djeshme në Kuvend, është ngjarja më e rëndë kundër natyrës, qysh prej vitit 1997. Por nëse në ’97-n shkatërrimi ishte pasojë e veprimeve banditeske të grupeve mafioze e ilegale; në kushtet kur në vend mbretëronte kaosi social, kur nuk ekzistonte shteti, kur rrugët patrulloheshin nga njerëz të armatosur, këtë radhë, një çerek shekulli më pas, në situatë dhe kohë tërësisht të re, shkatërrimi i natyrës po kryhet nga vetë autoriteti shtetëror, me ligj, paradoksalisht, nga i njëjti ligj që është bërë për ta mbrojtur. Është një situatë edhe më e rrezikshme, edhe më e dëmshme, pasojat e së cilës ekspertët po i konsiderojnë, tashmë, si të parikuperueshme…

Dëshpërimisht, mund të themi se nxitësit dhe realizuesit e ndryshimeve ligjore ia arritën qëllimit. Por përpara së të shpjegojmë se si u arrit ky shkatërrim, le të qartësojmë çfarë u shkatërrua.

Së pari, këtej e tutje nuk do të jenë planet e menaxhimit, por vendimet e Këshillit të Ministrave që do të përcaktojnë se cilat aktivitete do të lejohen brenda zonave të mbrojtura. Pra, fuqia kalon, nga ekspertët te burokratët e emëruar politikisht.

Së dyti, këtej e tutje ndryshimet përfundimtare mbi menaxhimin e zonave të mbrojtura mbeten në dorë të Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT),  duke përjashtuar nga përgjegjësia Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit. Por KKT-ja është organi më i lartë zhvillimor në hierarkinë e organeve planifikuese, qëllimi i së cilës mbetet zhvillimi urban e jo konservimi, sikundër këtë të fundit e ka ligji i zonave të mbrojtura.

Së treti, këtej e tutje peizazhet e mbrojtura (Narta, Velipoja, Ohri, kryesisht ekosistemet bregdetare dhe ligatinore) do të kenë vetëm një nënzonë; bie nënzona qendrore, duke i dhënë mundësi zhvillimeve turistike (hoteleve me pesë yje) brenda tyre, sipas rregullave të KKT-së. Zonimi nuk konsiderohet më një çështje përmbajtësore, por një “element tekniko-formal”.

Si mbërritëm deri këtu?

Mekanizmi që përdorën autorët e ndryshimeve: kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mjedisit Mirela Kumbaro (të njëjtët që shkatërruan qendrën historike të kryeqytetit kur shembën Stadiumin “Qemal Stafa” dhe ndërtesën e Teatrit Kombëtar) ishte Arben Pëllumbi, kryetari i Komisionit të Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit. Në rreth katër muaj, deputeti Pëllumbi ishte njeriu që foli më shumë për mjedisin, ndërkohë që dinte më pak për të. Ai është i vetmi njeri i përfshirë në çështjet mjedisore që i thotë mjedisit ambient dhe e bën këtë në mënyrë të qëndrueshme. Është e vetmja qëndrueshmëri, në fakt, që mund t’ia atribuojmë në mënyrë të merituar. Ky njeri i kufizoi organizatat e shoqërisë civile dhe ekspertët e fushës mjedisore, për të parashtruar mendimet dhe opinionet ndaj ndryshimeve të ligjit të zonave të mbrojtura vetëm në draftin e paraqitur nga Kuvendi, por nuk i lejoi që të shpreheshin mbi draftin e qeverisë, që ishte në thelb çka u votua.

Mekanizmi i dytë ishin dymbëdhjetë deputetët socialistë që u përdorën për t’i propozuar ndryshimet. CV-të e tyre nuk dëshmojnë ekspertizë për çështje mjedisore. Roli i tyre u kufizua në dorëzimin e draftit. Ata heshtën gjatë debateve publike, çka na bën të besojmë se drafti i prezantuar u ishte dhënë “dorazi”.

Mekanizmi i tretë ishin kryetarët e disa bashkive të cilët nxitën ndryshimet, përmes një letre dërguar Kuvendit, me pretendimin se zonat e mbrojtura po u merrnin të ardhurat që u takonin, ndaj kërkuan menaxhimin e një pjese të këtyre territoreve. E vërteta është se disa prej bashkive në fjalë (Elbasani, Himara, Cërriku) nuk kanë fare territore të mbrojtura, por firmat e kryetarëve u përdorën për të rritur përfaqësimin në letër. Në fund, edhe pretendimi për menaxhimin e një pjese të territoreve ra. Drafti i miratuar shmangu pretendimet e tyre, duke demaskuar njëkohësisht edhe arsyetimin e Kuvendit se dhënia e territoreve bashkive do të sillte shtimin e njerëzve pranë zonave rurale.

Mekanizmi i katërt ishte Komisioni i Veprimtarive Prodhuese, Tregtisë dhe Mjedisit, deputetët e të cilit heshtën gjatë seancave dëgjimore. Pati mes tyre që u larguan menjëherë pas paraqitjes në listëprezencë në fillim të seancës, duke siguruar të paktën pagesën si deputetë për çdo pjesëmarrje në komision, ndonëse nuk u bënë, asnjëherë, pjesë e diskutimeve Të tjerë u angazhuan, duke qëndruar në kabinë, ndërsa udhëtonin me makinë.

Mekanizmi i pestë është Kuvendi në tërësinë e tij; jo thjesht keqpërdorimi prej Ekzekutivit, por në një kuptim më të përgjithshëm: dështimi si monitorues i Ekzekutivit. Ndonëse zbatimi dhe monitorimi i legjislacionit mbetet një detyrë funksionale, kushtetuese, e komisioneve të përhershme parlamentare, deputetët e përfshirë në ndryshimet ligjore nuk kryen asnjë studim mbi zbatueshmërinë e deritanishme të ligjit për zonat e mbrojtura; asnjë raport, masë a propozim për të rritur efektivitetin e tij.

Ndërkohë, mekanizmat u përputhën me të tjera rrethana favorizuese, karakteristikë e konstruktit social vendas.

Së pari, mungesa e opozitës në Kuvend, si dhe përjashtimi disiplinor i një pjese të deputetëve demokratë, solli konsultime të njëanshme vetëm me deputetë socialistë në komisione.

Së dyti, grupet e interesit, veçanërisht, përfaqësues të organizatave mjedisore nuk arritën që ta zgjeronin aksionin drejt publikut dhe të anashkalonin interesat e tyre të ngushta operacionalo-administrative, qoftë edhe përkohësisht. Ata vijuan zbatimin e një rutine të personalizuar ditore, të planifikuar qysh më parë, duke ndarë të njëjtën energji e përkushtim edhe për çështje më pak të rëndësishme, duke prodhuar e shpërndarë informacione të panevojshme, gjë e cila i mbingarkoi dhe i shpërqendroi ndjekësit e interesuar të rrjeteve. Në substancë, komunitetet mbetën të papërfaqësuara mjaftueshëm, ose një pjesë e tyre, e painformuara.

Së treti, media e bizneseve private e cila dominon sistemin mediatik në vend, që mbështetet financiarisht nga biznesmenë, kompanitë e të cilëve mbi-shfrytëzojnë burimet natyrore dhe që janë përfituesit e parë të ndryshimeve ligjore, nuk gjeneroi asnjë debat thelbësor për çështjen. Kësisoj, komunikimi i varfër mediatik i shoqërisë civile, vetëm me “press release” (njoftime për shtyp) është rezultat i këtij kufizimi. Për këtë arsye ajo nuk arriti të prodhojë një dinamikë tërheqëse për të siguruar solidaritetin dhe përkushtimin e  nevojshëm për t’iu kundërvënë një pushteti i cili, jo vetëm është kokëfortë, por kur vjen puna për t’u përballur me demokracinë, tregohet i dhunshëm.

Në fakt, dhuna nuk arriti që të shmangej.

Sado të kalkuluar e të mirë organizuar për të parashikuar çdo detaj a pengesë, mekanizmi gaboi kur i ndaloi ekspertët dhe përfaqësuesit e organizatave mjedisore për t’u shprehur mbi draftin e qeverisë. Arben Pëllumbi, i vetmi nga deputetët që ende i thotë mjedisit ambient, i mbylli dëgjesat përpara se propozimi i qeverisë të mbërrinte në Kuvend, me pretendimin se ai nuk mund të quhej draft i ri. Por propozimi ishte edhe më shumë se drafti i Kuvendit. Materialisht, drafti i qeverisë, një propozim rreth 20 faqe, ishte dyfishi i draftit fillestar të Kuvendit, ndërkohë që përmbante mbi një dyzinë amendimesh të reja, të cilat përmendeshin për herë të parë. Në këto rrethana qeveria do të duhej që ta kishte hapur procesin e konsultimeve publike, duke u dhënë grupeve të interesit kohën e nevojshme për t’u njohur e më pas, për të reaguar kundrejt ndryshimeve. Por ajo nuk donte, ndaj dhe këtë të enjte, nën zhurmën e bilbilave që frynin deputetët e opozitës, përballë tyre kolegët socialistë votuan me shumicë të thjeshtë, duke e mbyllur procesin dhunshëm.

Tre-katër vite të shkuara, autoritetet shkëputën në mënyrë të paligjshme disa qindra hektarë nga Peizazhi i Mbrojtur Vjosë-Nartë për të ndërtuar Aeroportin Ndërkombëtar të Vlorës (VIA), por “po vuajnë” ende, sot e kësaj dite pasojat, me kërkesat e vazhdueshme të Konventës së Bernës e cila kërkon ndalimin e punimeve. Ndaj këtë radhë e kanë humbur durimin dhe kanë ndërruar, jo vetëm taktikë, por edhe strategji, duke zgjedhur të reagojnë shqiptarçe: qeveria po sillet si elefanti brenda një dyqani qelqurinash, po shkatërron gjithçka, përgjithmonë, duke u dhënë mundësi edhe qeverive të ardhshme që të sillen njësoj poshtërsisht me rezervat natyrore të vendit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *