Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”- Arjona Seferi: Duhet përshtatje e kurrikulave të STEM në universitetet shqiptare

Rrugëtimi në STEM (Shkencë, Matematikë, Inxhinieri dhe Teknologji) për Arjona Seferin nisi që në momentin që duhet të zgjidhte degën që do të studionte në universitet. E apasionuar që në fillimet e saj me lëndët shkencore, Arjona e kishte të sigurtë prej kahere se do të studionte në fushën e inxhinierisë.

“Kam studiuar inxhinieri telekomunikacioni në bachelor dhe master shkencor. Gjatë kohës që studioja në universitet mundohesha të bëhesha pjesë e konferencave dhe workshopeve që bëheshin në Tiranë dhe që kishin të bënin me fushën e telekomunikacionit, por gjithashtu edhe të teknologjisë në përgjithësi”,- rrëfen Arjona në serinë e bisedave të realizuara me gratë në STEM nga SCiDEV.

Tanimë, e zhvendosur në Gjermani ku punon si inxhiniere telekomunikacioni, rrëfen se kjo fushë përpos vështirësive ofron edhe shumë mundësi për tu zhvilluar profesionalisht.

“Pas universitetit unë kam bërë një intership në Karlsruhe, si web developer në Gjermani. Kjo ishte hera e parë që unë bëja diçka jashtë Shqipërisë. Duhet të punoja në një projekt nga fillimi deri në fund që kishte të bënte më shumë programim. Duke qenë se më përpara në universitet nuk kishim bërë diçka praktike, kishim bërë vetëm hyrje në programim, për mua ishte pak sfidë që të bëja një projekt nga fillimi deri në fund, por gjithsesi kam mësuar shumë gjatë asaj periudhe”,-shprehet Arjona.

Megjithë dëshirës dhe punës për të marrë më të mirën nga kjo fushë, Arjona ndan në bisedë edhe mungesat që ka sistemi arsimor shqiptar në këtë drejtim. Mungesa e kurrikulave të përshtatura dhe fokusimi vetëm në teori dhe jo praktikë, janë disa prej shqetësimeve që ajo sheh në mësimdhënien në universitetet shqiptare sa i takon fushës së STEM.

“Mendoj se duhet realisht përshtatja e çdo kurrikule që për momentin bëhet në universitetet në Shqipëri pasi edhe unë vetë e kam ndjerë gjatë studimeve që kam bërë atje, shumica kanë qenë teori, si në bachelor, si në master dhe ato që kam bërë më pas në punë, nuk kishin të bënin shumë me ato se çfarë unë kam studiuar”,-ndan me shqetësim Arjona.

Sipas saj, kanë qenë intershipet dhe trajnimet e ndjekura jashtë sistemit arsimor ato që e kanë ndihmuar të përshtatet me tregun e punës dhe të gjejë një punë.

Arjona rrëfen se me kalimin e viteve, edhe perceptimi për gratë në shkenca është përmirësuar, ndërsa paragjykimet dhe stereotipet kanë ndryshuar.

“Ekzistonin këto paragjykimet që fusha e STEM është më shumë për djemtë dhe se vajzat nuk do ta gjenin veten. Personalisht nuk e kam ndjerë fare paragjykimin, si në momentin që kam studiuar në universitet dhe aq më pak në të gjithë eksperiencat jashtë vendit. Mendoj se në ditët e sotme këto paragjykime dhe stereotipe nuk janë ashtu siç kanë qenë para disa viteve. Mbaj mend që në universitet si në fushën e inxhinierisë së telekomunikacionit, ashtu edhe të elektronikes i zhvillonim leksionet bashkë, kemi qenë më shumë vajza se sa djem”.

Arjona numëron një sërë eksperiencash jashtë vendit në projekte të ndryshme si “web developer”, projektet të cilat kanë pasur edhe ndikim në shoqëri. Një ndër to është edhe angazhimi në krijimin e një sistemi online në Japoni, që të lajmëronte në kohë reale kur po ndodhte një fatkeqësi natyrore, duke ju krijuar mundësi qytetarëve të lëviznin në kohë nga vendbanimi i tyre.

“Qëllimi i këtij projekti ishte që të ndërtonim një sistem që njerëzit të informoheshin në kohë reale në rast se një fatkeqësi ndodhte, nëpërmjet “notifications” në telefon, nëpërmjet alarmeve dhe njerëzit të dilnin ku të gjenin strehim në rast se diçka ndodhte. Ka qenë shumë interesante pasi ishim 10 pjesëmarrës nga kontinente të ndryshme. Unë isha e vetme nga Evropa dhe kishte pjesëmarrës nga Amerika Latine, nga Japonia, nga Azia, Afrika dhe përshtatja e këtyre kulturave të ndryshme dhe gjetja e një rruge të përbashkët komunikimi për ta çuar projektin deri në fund ka qenë shumë interesante për mua”,-rrëfen Arjona me krenari.

Ndjekja e pasionit dhe dëshirave përkundrejt paragjykimeve dhe stereotipeve është këshilla që Arjona ndan për të gjithë vajzat që dëshirojnë të studiojnë dhe investohen në fushën e STEM.

“Mos lejoni paragjykime dhe stereotipet të ndikojnë në besimin që keni te vetja juaj. Besoni në aftësinë tuaj dhe guxoni të eksploroni dhe të ndiqni pasionin tuaj në këtë fushë. Mundohuni që të krijoni lidhje me profesionistë të kësaj fushe, me studentë, me njerëz të cilët janë pjesë e kësaj fushe sepse kjo do t’ju ndihmojë shumë, do t’ju hapë shumë mundësi të reja edhe në gjetjen e mundësive të reja profesionale”,– përfundon Arjona.

Sipas saj, sot me zhvillimin e teknologjisë janë të gjitha mundësitë për të guxuar në fusha të ndryshme ku secili ka dëshirë e pasion.

Podcast: Arjona Seferi në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *