Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Gratë në STEM”-Salvina Pëllumbi mes teknologjisë dhe mësuesisë

“Inxhinieri?! Po kjo është degë për djem”,– ishte fraza me të cilën u përball Salvina vite më parë ndërsa po plotësonte formularin e degëve që dëshironte të studionte.

Pas përfundimin me rezultate të larta në gjimnaz, e prirur për lëndët shkencore dhe e angazhuar në shumë olimpiada dhe konkurse, ajo nuk lodhej asnjëherë të studionte për matematikën dhe fizikën. Mirëpo, kur erdhi momenti për të bërë zgjedhjen e degës së saj të studimit, ajo ishte e dyzuar për drejtimin që do të merrte, ndikuar kjo edhe nga çfarë i këshillonin.

“Do të jesh gjithë kohës në lluc, do të jesh gjithë kohës me ato çizmet në kantiere ndërtimi. Shih ndonjë mjekësi. I shikoja dhe ndjehesha jo e penguar, por ndjehesha konfuze. Thoja, këto po më sugjerojnë gjithë kohës mjekësinë, thonin maksimumi shko ekonomik të paktën. Shko ekonomik është më komode për vajza. Inxhinieri? E kupton se ku do të shkosh? Do të kesh gjatë të gjithë kohës burra përqark”,-shprehet Salvina Pëllumbi pjesë e serisë së bisedave të realizuara me gratë në STEM (Shkencë, Matematikë, Inxhinieri dhe Teknologji) nga SCiDEV.

Nga familja e saj ajo pati mbështetje për çdo zgjedhje që do të kryente.

“Babi që dëgjoi, dëgjoi dhe tha: dëgjo lëri ca thonë të tjerët por zgjidh çfarë të pëlqen ty se s’do bëhesh ti çfarë duan të tjerët. Duhet të bësh diçka që në radhë të parë ty të jep kënaqësi dhe kur ti të shkosh në punë të mos thuash obobo ku po shkoj”,-rrëfen Salvina.

Megjithatë, ajo hoqi dorë nga inxhinieria, por mbeti sërish në fushën e STEM, duek studiuar për matematikë, fizikë dhe teknologji informacioni. Ndërsa tanimë punon si mësuese në Elbasan dhe njëkohësisht drejton Qendrën “ CATO” e orientuar drejt fuqizimit të aftësive të të rinjve në fushat e STEM.

Salvina, kujton gjatë nisjes së studimeve se është hasur me paragjykime, shpesh edhe gjinore.

“Kur kemi hyrë në shkollë, ne kemi qenë shumë pak vajza thonin dhe ishin djemtë, pjesa më e madhe dhe gjatë gjithë kohës na thonin: “Nuk është degë për ju. Çfarë doni ju këtu?”

Stereotipe këto, sipas Salvinës të cilat nuk janë të bazuara në realitet.

“Mendoj se më tepër se sa informacioni, tek ne mungon promovimi sepse ne vazhdojmë akoma me ato stereotipet se djemtë janë më të zgjuar, ama vajzat janë më punëtore”,-shton më tej Salvina.

Duke dhënë mësim në shkollën 9-vjeçare, Salvina rrëfen se nxënësit janë shumë entuziastë ndaj shkencave ekzakte, ndërsa mjafton vetëm motivimi për ti nxitur ata të punojnë më shumë.

Megjithatë, ajo shprehet se ka një mangësi në shkolla sa i takon përshtatjes së teksteve me kabinetet.

“Tekstet kanë ndryshuar, kurrikula është risi në Shqipëri, pra është një kurrikul e re, është e përkthyer nga një vend tjetër, ndërsa mjetet janë të para shumë viteve të një kurrikule tashmë të vjetër. Shpeshherë, kjo është vështirësia, përshtatja e çfarë ne kemi me çfarë tekstet propozojnë”.

Kjo bën sipas Salvinës që baza teorike të mos kuptohet apo të mos demonstrohet përmes eksperimenteve në laborator.

“Mundohemi me mjete rrethanore më pas, me laboratorët virtualë, por që asnjëherë nuk është sikur e prek gjënë”.

Zhvillimi i teknologjisë dhe përshtatja e shkollave shqiptare me risitë është në një proces të vijueshëm. Mirëpo, nga eksperienca e saj Salvina shkëput vështirësitë që kanë mësuesit me më shumë vite eksperiencë në adaptimin me teknologjinë.

“Për mësuesit e vjetër, të cilët janë të mrekullueshëm në mësimdhënie të adaptohen me teknologjinë gjithmonë ka qenë një sfidë më vete. Mendoj që trajnimet që zhvillohen duhet të shikohen më tepër në aspektin praktik se sa në atë teorik. Teorinë, mësuesi e di, janë shumë të mirë, ama në pjesën e zbatimit të infrastrukturës së re që ofron teknologjia, kanë vështirësi”,-argumenton Salvina.

Sipas saj, mësuesit e rinj kanë mungesën e përvojës, ndërsa për ata me më shumë eksperiencë ndodh e kundërta, për aq kohë sa ka vështirësi në qasjen ndaj teknologjisë.

Duke punuar me të rinj, Salvina ju kujton atyre çdo ditë të mos ndalen të bëjnë gjërat që pëlqejnë dhe i bëjnë të ndjehen mirë.

“Mesazhi që unë i jap gjithmonë nxënësve dhe që doja t’jua jepja sidomos vajzave në veçanti, është që të bëjnë atë që ata pëlqejnë dhe ku ndjehen më mirë dhe nëse ata e shohin sado pak hint aty në fushën e shkencës, teknologjisë, matematikë, fizikë dhe kimi të mos stepen”.

Podcast: Salvina Pëllumbi në “STEMspressoxMuc” 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *