Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt: “Ndaloni fushatën e shpifjeve kundër gazetares Ola Xama”

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt e sheh me shqetësim të thellë tendencën e disa mediave për të dëmtuar reputacionin e gazetares Ola Xame, për shkak të investigimit të kryer nga ajo për përfshirjen e kryebashkiakut Veliaj në incineratorin e Tiranës.

“Një sërë prej artikujve në platforma si e përditshmja DITA dhe Prapaskena.com janë publikuar së fundmi, me sulme personale, ‘slut-shaming’, ekspozimin e adresës së saj private dhe sulmet ndaj anëtarëve të familjes së saj, janë jo vetëm të dënueshme, por edhe një përpjekje flagrante për ta frikësuar dhe për ta heshtur”,- shprehet Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt në deklaratën e tyre.

Gazetarja Ola Xama u shpreh përmes një statusi në rrjetin social “Facebook” se ka ngritur dy padi për të dy mediat.

“Situata u bë e padurueshme, kur dëm kolateral i sulmeve u bënë familjarë të mi. Për këtë arsye kërkova korrigjimin e lajmeve dhe heqjen e tyre përmes një emaili, por askush nuk më ktheu përgjigje. Ndaj vendosa që të vërtetën publiku ta mësojë në gjykatë”,- shprehet Xama në Facebook.


Kjo fushatë sulmi vjen ndaj gazetares Xama për shkak të publikimit të artikullit për inceneratorin e Tiranës me titull: “Projekti i inceneratorit të Tiranës u propozua nga Erion Veliaj, thotë SPAK”, pranë medias Reporter.al të BIRN Albania.

Sipas gazetares Xama “Padia u depozitua në Gjykatën Civile, pasi nuk jam te rrethi i njerzve që kërkon të kriminalizojë fjalën e lirë e të kërkoja dënim për shpifje. I ftoj të gjithë ‘denoncuesit’ që më kanë bërë të paguar mua dhe familjarë të mi, që të sjellin në gjykatë çdo dokument që kanë i cili vërteton akuzat që ngrejnë në hartimet e tyre”.

Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt shprehet se sulmet ndaj gazetares Xama rrezikojnë sigurinë e saj personale dhe integritetin personal.

“Këto sulme janë veçanërisht shqetësuese duke pasur parasysh kohën e tyre pas vendimit të zonjës Xama për të bërë padi civile kundër dy mediave që kanë publikuar artikujt shpifës. Sulmet ndaj zonjës Xama jo vetëm që rrezikojnë sigurinë e saj personale dhe integritetin profesional, por gjithashtu shërbejnë për të frikësuar dhe heshtur gratë e tjera në gazetari, duke penguar më tej barazinë gjinore në media”,-thuhet në deklaratën e Rrjetit të Gazetarëve të Sigurt.

Ndërsa thekson se kjo tendencë e mediave që angazhohen në fushata që dëmtojnë reputacionin e kolegëve gazetarë dëmton pozitën e individëve brenda komunitetit gazetaresk dhe gërryen besimin e publikut ndaj medias në përgjithësi.

“U bëjmë thirrje mediave të përfshira që të ndërpresin menjëherë sulmet e tyre të pabaza dhe dëmtuese ndaj znj. Xama dhe t’u përmbahen standardeve më të larta të integritetit dhe etikës të gazetarisë. Ne inkurajojmë të gjitha palët e interesuara të bashkohen me ne në mbrojtjen e të drejtave të grave gazetare dhe promovimin e një peizazhi mediatik ku ato mund të punojnë pa frikë nga ngacmimi apo diskriminimi“,-përmbyll komunikimin Rrjeti i Gazetarëve të Sigurt.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *