Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Këtë 8-Mars, vajzat dhe gratë marshojnë për siguri

Katër gra u vranë në dy muajt e parë të vitit 2024, ndërsa dy të tjera vranë veten për shkak të videove dhe fotove të tyre intime të qarkulluara në rrjetet sociale.

23 vajza dhe gra të tjera u vranë përgjatë 2023, ndërsa pasiguria e vajzave dhe grave vijon të jetë e pranishme në çdo hallkë të shoqërisë. Pasiguri, e cila nis në familje, në punë, në hapësira publike dhe rrugët e qyteteve apo zonave rurale.

Këtë 8-Mars, siguria është kryefjala e marshimit që do të zaptojë rrugët e Tiranës në pasdite. Përmes sloganit “Nata është e jona”, vajza dhe gra aktiviste si dhe “Kolektivi Feminist” në Shqipëri do të protestojnë këtë 8-mars me theksin te siguria në rrugët e pandriçuara e deri te terri i hapësirave online.

Duke përfshirë po ashtu nevojën për liri si çlirim prej frikës, dhunës fizike, shtypjes, margjinalizimit, izolimit, frikës së të jetuarit ndryshe, frikës nga paragjykimet.

Jesmina Sengla- studente/aktiviste

“Mendoj se duke marshuar në errësirë ne i bëjmë eko frikës së përditshme që kemi si vajza dhe gra kur kthehemi vonë në shtëpi. Marshimi natën është solidarizim me të gjitha ato vajza që u shkon zemra në fund të këmbëve kur dalin nga turni i dytë në 10-11 të darkës dhe janë duke ecur vetëm rrugës për në shtëpi, për të gjitha ato vajza si unë qe u shmangen si murtajës rrugicave të pandriçuara, qe po si unë ndonjëherë tremben dhe nga hija e vet me friken se dikush është duke i ndjekur dhe qe me ose pa dashje shohin rrezik tek çdo kalimtar që kanë përpara”,-shprehet për Citizens Channel Jesmina Sengla studente e aktiviste.

Për studenten Vjolanda Peca, frika që i shoqëron vajzat është e përditshme, jo vetëm natën.

Vjolanda Peca, studente

“Unë nuk kam frikë vetëm natën, kam edhe ditën. Më ndodh shpesh teksa ec në rrugë, ta kthej kokën mbrapa për të parë nëse kam dikë që më ndjek. Ka raste që ndryshoj rrugë kur shoh një grup djemsh përpara, sepse e di që do hedhin komente seksiste”,-rrëfen Vjolanda.

Ndërkohë që pasigurinë e sheh edhe në hapësirat online, duke bërë që të stepet për çdo ndërveprim që ka dëshirë të kryejë.

“Në rrjete sociale unë nuk postoj. Kjo ndodh sepse nëse hedh një video, ajo video do të nxirret jashtë kontekstit dhe do qeshin me mua. Kjo ndodh rëndom me vajzat. Nëse e njëjta fjali do të thuhet nga një vajzë dhe një djalë, komentet do masakrojnë vajzën, e do qeshin me djalin”,- shton më tej Vjolanda.

Aktivistet kërkojnë përmes këtij marshimi një vëmendje të shtuar dhe vendosje në diskursin publik të sigurisë së vajzave dhe grave.

“Angazhim konkret nga Bashkia Tirane për zgjidhjen e situatës së ndriçimit nëpër rrugicat në përgjithësi dhe në zonat e 5 majit, Kombinatit dhe ish -Komunales e Freskut në veçanti”,- shprehet Jesmina Sengla.

Për aktivisten Gloria Mollaj, ky 8-Mars është një formë edhe për të përçuar zërin e mijëra vajzave dhe grave që nuk mund të protestojnë.

“Me anë të kësaj proteste, do të dëshiroja që të ishim shkëndijat e mijëra grave dhe vajzave në Shqipëri, të cilat ndihen të pasigurta, si në rrugë, si në shkollë, punë, por edhe në rrjete sociale. Të gjitha këto gjejnë strehë te feminizmi!”-shprehet Gloria Mollaj.

Ndërsa thekson se jeton me kauzën feministe çdo ditë, përtej simbolikës.

“Për mua, është ndjesi e brendshme të protestosh për të padrejtën dhe kam bindjen se gjërat rregullohen nëse ne punojmë fort për të ndryshuar fenomene në dukje të patjetërsueshme siç është patriarkati. Për të qenë pranë çdo gruaje dhe vajze mendoj se nuk do duhet thjesht retorikë boshe, por punë konkrete në mënyrë që feminizmi të gjejë përkrahje nga të gjithë, edhe nga burrat. Ndonjëherë, patriarkati ka themele më të forta sepse ata që e besojnë janë qendrestarë, ndonëse me argumente boshe”,-përfundon Gloria.

Për Blinin, aktivist i të të drejtave të njeriut, siguria e vajzave dhe grave duhet të garantohet me ligj.

Blini, aktivist

“Siguria e të gjithë këtyre vajzave dhe grave duhet garantuar nga ligji, duke i trajtuar rastet me seriozitetin e nevojshëm dhe duke mos dyshuar te viktimat. Gjithashtu, ne si shoqëri, nuk mund të qëndrojmë të heshtur apo të përforcojmë dhunën e abuzuesve. Fjalët që themi, apo komentet që bëjmë, kanë shumë rëndësi, pasi përcaktojnë më tej qëndrimin kolektiv ndaj padrejtësisë”-shprehet Blini.

Ndërsa qëndron në solidaritet me vajzat dhe gratë trans gjinore, që sipas Blinit përjetojnë të njëjtin presion dhe dhunë me bazë gjinore, por shpesh as nuk njihen si vajza dhe gra.

Patris Pustina, aktiviste e zëshme për çështjet feministe, shprehet për Citizens Channel se nëse një nga vajzat është e pasigurt, të gjitha janë të pasigurta.

Patris Pustina

“Protestojmë faktin që gratë dhe vajzat vriten, përdhunohen, abuzohen, shfrytëzohen, përçmohen, neglizhohen dhe shtypen çdo ditë. Protestojmë që t’u tregojmë grave dhe vajzave se meritojnë të jenë të sigurta kudo dhe në çdo kohë. Nëse njëra nga ne është e pasigurtë, jemi të gjitha të pasigurta. Femicidi, përdhunimi, dhuna në familje janë akte terrorizmi që synojnë të na mbajnë të gjitha grave të trembura dhe të bindura”,-shprehet Patris Pustina, njëkohësisht edhe nismëtare e “Counting Dead Women” një nismë përkujtimoreje për viktimat e femicidit.

Për aktivisten Romina Sefa situata në të cilën po jetojnë vajzat dhe gratë sot shoqërohet edhe me mungesën e shërbimeve shtetërore.

“Për atë pjesë të zonave të qytetit apo zonat periferike, të cilat kanë rrugë të dëmtuara apo ndriçim inekzistent, errësira bëhet burim për të mos qenë aspak i sigurtë. Gjithashtu përbën apo krijon kushtet për përdhunime potenciale, sidomos në ato orë të vona të natës, kur vajzat apo gratë dalin nga puna”, -shprehet Romina Sefa.

Ndërsa shtron nevojën për të folur edhe për sigurinë në punë të vajzave dhe grave të sektorit të pastrimit të qytetit.

Romina Sefa, aktiviste

“Dua të flas edhe për ato gra dhe vajza që punojnë në sektorin e pastrimit dhe gjelbërimit, gjatë turnit të tretë, që është një ndër turnet më të rrezikshme. Ka pasur raste të shpeshta të grave nga komuniteti rom dhe egjiptian që janë aksidentuar në vendin e punës gjatë orëve të natës, kanë ndërruar dhe jetë dhe askush nuk ka marrë masa për këto fenomene”,-tha Romina Sefa.

Për Antonela Pepkolajn, aktiviste e Grupit “ATA” në Kamëz, është shumë e rëndësishme që vajzat të vijojnë shkollimin dhe mos të ndalohen nga prindërit duke i detyruar të krijojnë familje që me mbarimin e gjimnazit.

Ajo shprehet se siguria e saj ka qenë përgjegjësi e bashkëfamiljarëve të saj.

“Siguria ime ka qenë gjithmonë përgjegjësi dhe detyrë e meshkujve që kanë qenë dhe janë në jetën time, pra nga babi, vëllai apo xhaxhai. Gjë që për mua nuk ka qenë problem. Problemi është kur përgjegjësia e sigurisë kthehet në kontroll, në komandim që më pas mund të eskalojë në dhunë verbale apo fizike”,-përfundon Pepkolaj.

Shtohen kërkesat për urdhra mbrojtjeje nga vajzat dhe gratë 

Në Gjykatën e Tiranës kërkesat për urdhër mbrojtjeje kanë shënuar 1271 raste për vitin 2023, numër ky në rritje krahasuar me vitet e tjera.

Numër po ashtu në rritje krahasuar edhe me gjykata të tjera të vendit.

Gjykata e Rrethit Gjirokastër tha për Citizens Channel se në vitin 2022 janë depozitua 29 urdhra të menjëhershëm të mbrojtës. Në vitin 2023 ky numër shkoi në 39, ndërsa vetëm dy muajt e parë të vitit 2024, janë paraqitur 19 urdhra mbrojtës.

Pranimi i këtyre rasteve është i ulët, ku nga 29 për vitin 2022 janë pranuar 19 dhe pezulluar 10. Ndërsa për vitin 2023, nga 39 raste janë gjykuar 33. Për 19 rastet e dy muajve të 2024-ës janë pranuar 12 dhe 7 janë rrëzuar.

Gjykata e Fierit tha për Citizens Channel se përgjatë vitit 2022 janë regjistruar pranë Gjykatës 275 kërkesë-padi prej të cilave 165 urdhra të zakonshëm të mbrojtjes dhe 110 urdhra të menjëhershëm të mbrojtjes.

“Për 169 kërkesë-padi është vendosur: “Pranim i kërkesës”, për 55 kërkesa është vendosur: “Pushimi i gjykimit” dhe për 51 kërkesa është vendosur: “Rrëzim i kërkesës”,-thotë në përgjigjen e saj Gjykata e Rrethit Fier.

Ndërsa për vitin 2023, ka pasur gjithsej 342 kërkesë-padi, prej të cilave 246 urdhra të zakonshme të mbrojtjes dhe 96 urdhra të menjëhershëm të mbrojtës.

“Për 209 kërkesa është vendosur: “Pranim i kërkesës”, për 79 kërkesa është vendosur: “Pushimi i gjykimit” dhe për 54 kërkesa është vendosur: “Rrëzim i kërkesës”-shprehet Gjykata e Rrethit Fier.

Gjykata e Elbasanit në vitin 2022 ka trajtuar 251 kërkesë padi për dhunë në familje, prej të cilave 28 janë zbatuar me urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje. Janë pranuar 131 kërkesa, janë rrëzuar 64 dhe janë pushuar 56 çështje për urdhëra mbrojteje.

Për vitin 2023 janë depozituar pranë Gjykatës së Rrethit Elbasan 224 çështje, ndërsa janë pranuar 127 kërkesa për urdhëra mbrojtjeje, janë rrëzuar 31 kërkesa dhe janë pushuar 66 prej tyre.

Në Gjykatën e Rrethit Kukës, numri i kërkesë-padive është më i vogël. Për vitin 2022 sipas gjykatës, ka pasur 11 kërkesë-padi për urdhra mbrojtjeje dhe 30 kërkesë-padi për urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje.

Ndërsa për vitin 2023 ka pasur 15 kërkesë-padi për urdhra mbrojtjeje dhe 22 urdhra të menjëhershëm mbrojtjeje. Viti 2024 ka nisur me 2 kërkesë padi për urdhra mbrojtjeje.

Në Shqipëri çdokush që e sheh jetën të rrezikuar nga individë brenda familjes mund ta adresojë te autoritetet, garantuar kjo nga ligji Për Masa ndaj Dhunës në Marrëdhëniet Familjare”, i vitit 2006. Ky ligj ka në vetvete një mekanizëm që ofron mbrojtje të personave që kanë përjetuar dhunë përmes “Urdhrit të Mbrojtjes” dhe “Urdhrit të Menjëhershëm të Mbrojtjes”. Më 2018 ky ligj u pasua me disa ndryshime.

Urdhri për mbrojtje lëshohet për 48 orë nga policia dhe në rastet kur personi i dhunshëm shkel udhëzimet e policisë ai dënohet sipas ligjit.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *