Citizens.al

Mirditë: Një çadër rezistence kundër ndërtimit të HEC-it të Thirrës

Ndërsa institucionet shfaqen të pafuqishme, banorët e Thirrës kanë vendosur t’i mbrojnë vetë burimet ujore që u kërcënohen nga HEC-i dhe një fabrikë uji.

Ata kanë ngritur një cadër “për të ruajtur” kompaninë që zhvillon punimet në paligjshmëri.

“Këtu kam rritur fëmijët, këtu janë rritur kunetërit, këtu kanë jetuar vjehërria, këtu kanë jetuar të parët e të mrant, me këtë ujë kemi leverdis, me këtë ujë kemi shpëtuar, se pa ujë jetë nuk ka. Ne jemi tani zoti n’qiell, e shteti më tokë”,- u shpreh Marie Prenga, banore e fshatit Thirrë në Mirditë.

Maria, bashkë me të tjerë banorë u ngjitën paraditen e së hënës në vendin ku po kryhen punimet që shtrojnë tubacionin për hidrocentralin e Thirrës, që synon të mbledhë ujërat e tre fshatrave, Thirrë, Sang dhe Hebë.

Banorët ngritën një çadër në formë proteste për të kundërshtuar vijimin e punimeve për këtë hidrocentral.

Ne do t’i bëjmë thirrje dhe emigrantëve, djemve që kemi jashtë shtetit dhe këtë pronë do ta mbrojmë deri në fund, se ne pa këtë ujë nuk kemi jetë. Shteti ndihmë nuk na bien, në fshatrat tona nuk del për hallet e popullit, as për invalidët, as për spital , as për doktor. Atë ujë që është natyra e zotit, për këtë nuk e lëshojmë deri në fund, tani mbrapa shteti të bëj ca të dojë, me zot n’qiell shteti në tokë, kemi ardhur para mediave sot, këto kërkesa kemi për popullin. As kemi ardhur për copën e bukës, jemi tu hëngër bukë një herë në ditë a tre herë në ditë, po për këtë ujë jemi të gjithë në protestë, sepse si të iki uji shkon jeta, shkon pasuria, shkon bagëtia, fëmija nuk na kthehet më në Shqipëri”,- rrëfen Maria për Citizens Channel.

Sipas saj, kjo zonë është lënë në harresë prej shumë vitesh, duke mos ju siguruar asnjë shërbim. Ndërsa e vetmja herë që dikush bujt në fshatrat e tyre është për ti marrë burimet ujore.

“As shërbime shëndetësore, as makinë, as doktor, as me na ardh kush te shpia me na e gjet shtëpinë se ku jetojmë. A anë tre metra borë, a ra furtunë, a ra breshër, ne nuk njohim njeriun e zotit, përveç burrave tan e njerëzit e shtëpisë. Prandaj ne sot jemi mbledhur në këtë çadër, jemi për çdo ditë deri sa të na dalë e drejta jonë”,-shpreh me shqetësim Maria.

Ndërsa banorët shkuan në vendin ku po kryhen punimet, ekskavatori i firmës zbatuese të projektit “SANG 1”, u largua menjëherë.

Për Preng Mark Gjodën, kjo nuk është hera e parë që kundërshton punimet e HEC-it. Ai kujton vitin 2021, kur bashkë me të tjerë banorë u shoqëruan në Komisariatin e Policisë Lezhë.

“Kur i kam ngrënë tre ditë burg kur më morën prej protestës te ura te tuneli, tani është e 10-ta herë që jam duke ardhur për këtë protestë. Kam të drejtë edhe unë se në këtë ujë kanë për të pirë edhe fëmijët e mi, në këtë ujë kanë për të pirë edhe pulat e mia edhe gjëja e gjallë e imja. Prandaj i bëj thirrje popullit, lagjes sime që të mos largohemi prej këtij vendi, pa u realizuar të gjitha detyrat që i takojnë këtij populli, kësaj lagjeje”,- shprehet Preng Mark Gjoda.

Çadrës së qëndresës iu bashkua edhe Pashk Pjetri, i cili shprehet se institucionet vendore duhet të jenë në mbështetje të banorëve.

“Gjykata na dha të drejtë. Janë 160 firmëtarë për mos me marrë ujin. Se të marrësh ujin, më mirë të marrësh shpirtin. Ata të parët tanë për këtë ujë kanë zënë këto vende këtu. I lutemi bashkisë se i kemi dhënë votën atyre për të na mbrojtur të drejtat tona dhe jo të na sorollatin këtu. Për atë ujë jeton fëmija, jeton bagëtia, jeton bima. Si të futet uji nëpër tubë atëherë mbaron, më mirë me dhënë dorëzimet”,– tha Pashk Pjetri.

Bashkia Mirditë vendosi që në territor të mos bëhet asnjë zhvillim pa paraqitur dokumentacionin e plotë tekniko-ligjor, duke i dhënë kompanisë “Lajthiza Invest” një afat dy mujor për të dorëzuar dokumentacionin. Mirëpo, ndërsa punimet kanë përparuar nga kompania zbatuese “SANG 1”, bashkia Mirditë i tha Citizens Channel se e ka të pamundur ti monitorojë punimet, pasi mjetet dhe punëtorët largohen nga terreni kur vihen në dijeni të kontrolleve nga bashkia.

Ne bëmë rreth katër vite që ngrejmë zërin, protestojmë, të gjithë si banorë të të tre fshatrave, Thirrë, Sang dhe Hebe në kundërshtim për marrjen e këtij uji. Kompania vazhdon punimet. Gjykata, bashkia Prokuroria të gjitha këto i pezullojnë punimet, ai vazhdon prapë se prapë. Tani se ku e ka atë mbështetje, kur shteti i thotë të pezullojë punimet dhe të mos vazhdosh punimet nuk e di. Ne si banorë jemi dakord që të funksionojë shteti, të funksionojë ligji, bashkia dhe të gjitha institucionet dhe të përkrahin tamam, ne si banorë në të drejtën tonë. Do të qëndrojmë këtu deri sa kjo punë të marri fund”,-shprehet Preng Marku, banor i zonës.

Banorët shprehen të vendosur për të qëndruar çdo ditë në çadër, me qëllim që të mos lejojnë makineritë e punës të rikthehen në territorin e tyre.

Të Fundit

2 responses

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW