Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

KKT i hap rrugë “kullëzimit” pa kriter të qendrës së Tiranës në mungesë të Planit Vendor

Autore: Esmeralda Keta | Citizens Channel | Tiranë

“Bëjmë edhe një Magelan” ishte shprehja e njohur mes të rinjve në Tiranën e viteve 70-80-të e që kishte parasysh një xhiro që niste në atë që quhej rruga “Broduej”, kalonte nga rruga e Barrikadave, futej tek rruga “Bardhok Biba” e vinte më pas në qendër tek sheshi “Skënderbej”, për t’ia nisur sërish nga e para.

Bedri Alimehmeti, një Tirons 24 karat, ka vendosur që kujtimet për “Tironën” e tij të fëmijërisë e rinisë t’i jetësojë edhe në libra, pasi gjurmët e asaj Tirane janë zhdukur.

“Tani nuk ka mbetur më asgjë. Nuk ka ngelur më asgjë nga Tirona jonë,  ato toponimet tona. Tani është Tirana! “Broduej” nuk ka qenë vetëm një rrugë fantastike, e mbushur me shtëpi të vjetra dhe të rëndësishme për qytetin e historinë e tij, por ka qenë një qytet i tërë që jetonte i mbushur me histori. Tani janë fare të pakta gjurmët që na lidhin me atë kohë”, – i thotë “Citizens Channel”, Alimehmeti.

Aktualisht, ajo që njihej si rruga Broduej, apo fillimi i rrugës së Dibrës, nuk ka asgjë të ngjashme me këto kujtime. Bllokut i fundit i vilave, u shemb në heshtje një vit më parë, gjatë pandemisë së covid -19, duke u hapur si truall ndërtimi për një kullë të re 85 metra të lartë.

Rruga Broduej në vitet 60

Vilat e bukura dykatëshe, që ishin gjurma e fundit e asaj që kishte mbetur nga ish kompleksi i pazarit të vjetër, tashmë janë zhdukur dhe e gjithë zona është kthyer në një kantier gjigand ndërtimi.

Nga Broduej në “Tirana Rock’s” në mungesë të transparencës dhe Planit të Detajuar Vendor

Projekti “Tirana Rocks” sipas lejes së zhvillimit nga KKT

Vendin e vilave dykatëshe 100 vjeçare do ta zërë “Tirana Rock’s”, një kullë me 33 kate. E miratuar në mbledhjen e këshillit Kombëtar të Territorit në qershor të 2018, duke tejkaluar një sërë procedurash të detyruara me ligj.

Referuar lejes së miratuar nga KKT, “Tirana Rock’s”, do të ngrihet mbi një truall me sipërfaqe 1930m2 dhe do të ketë një koeficient shfrytëzimi prej 95% të tij. Për ekspertët një koeficient kaq i lartë shfrytëzimi shënon një rekord negativ për sa i përket kritereve të urbanizimit.

E thënë ndryshe, nga i gjithë trualli në dispozicion, kjo ndërtesë gjigande, e cila do të ketë një sipërfaqe ndërtimore prej më shumë se 38 mijë m2 ku gjurma e ndërtimit do të zërë 1843 m2, ka parashikuar si trotuare, lulishte apo lëvizje për korsi emergjencash rrethe e rrotull vetes, një sipërfaqe prej vetëm 87 m2.

Treguesit e zhvillimit sipas dokumentit të miratuar nga KKT

Paradoksalisht në lejen zhvillimore përkatëse, sqarohet se ndërtesa e re jo vetëm që respekton të gjitha kriteret e vendosura në planin e përgjithshëm rregullues, por edhe se sipërfaqja për hapësirat publike është më se e mjaftueshme.

“Ky është një rekord shumë negativ sa i përket urbanizimit, por jo vetëm kjo ndërtesë, por janë disa ndërtesa në Tiranë që sheshet apo parqet e kryeqytetit janë vënë në shërbim të tyre.  Ai nuk ka nevojë për trotuar sepse përdor si trotuar sheshin “Skëndërbej” dhe ky është dëmi më i madh që po u bëhet qytetarëve të këtij vendi”- tregon një ndër urbanistët më të njohur në vend, që preferon të mbetet anonim.

Urbanisti shpjegon se qeveria shqiptare ka ndërtuar një mekanizëm që i shërben qartazi një patronazhi ekonomik, ku zonat e ndjeshme të Tiranës, ku gjenden dhe më shumë elementë të trashëgimisë kulturore, janë lënë qëllimisht të pa saktësuara në plan.

“Kjo që kryeministri, nëpërmjet KKT-së, të mund të bëjë me këto zona çfarë të dojë”,

Si qeveria i mbivendoset pushtetit lokal përmes Këshilli Kombëtar të Territorit

“Gjithë këto kulla që po jepen mbi sahatin e Tiranës, ajo pas prishjes së Teatrit, pra gjithë këto ndërtime në zonën më të rëndësishme ekonomike por edhe simbolike për Tiranën, të gjitha kanë leje nga KKT dhe bashkia vetëm sa zbardh lejen. Kjo nuk do të thotë se Veliaj i ka të lara duart nga kjo përgjegjësi, por ky është mekanizmi se si funksionon”, – na shpjegon Gjergj Bojaxhi, nga  Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore.

Në gjithë këtë lojë pushtetesh ai e konsideron absurd faktin që “kryeministri vendos dhe jep leje brenda Tiranës, duke ia hequr këtë drejtë pushtetit lokal”. Sipas tij kjo procedurë ka qenë aplikuar vetëm për një kategori të caktuar ndërtimesh, që edhe në këtë rast lejen e jepte bashkia, por duhej një miratim ekstra nga KKT, ndërsa tani ndodh e kundërta.

“Mekanzimi është aty, oreksi sa vjen e zgjerohet. Për ta ilustruar: kulla e Sahatit të Tiranës është simbolikë aq e madhe sa është në stemën e bashkisë së Tiranës. Merre me mend, kur jepet leje dhe cënohet kulla e Sahatit dhe tani do të kemi një kullë mbi kullën e sahatit, çfarë janë në gjendje të bëjnë”, – thotë Bojaxhi.

Mungesa e PDV shkel ligjin dhe dikton ndërtime pa kriter

Harta e AKPT për zonën TR/1 – Lartësia, dendësia e ndërtimit duhet të përcaktohet me PDV

Por ky nuk është i vetmi paradoks që ndodh në zonën e dikurshme me vila të vogla e hijerëndë. Kjo zonë, i korrespondon zonës TR1 në planin e përgjithshëm vendor, dhe gëzon statusin e zonës së mbrojtur. Si rrjedhojë çdo ndërhyrje duhet bërë bazuar në planin e detajuar vendor (PDV), i cili përcakton sa do të jetë koeficienti i shfrytëzimit, ç’tip ndërtesash mund të ngrihen, sa kate do të jenë, etj, por që paradoksalisht për këtë zonë nuk është miratuar ende.

Pavarësisht se ligji parashikon që nëse nuk është hartuar dhe miratuar PDV-në, në zonat që janë subjekt PDV-je nuk mund të ndërhyhet, kjo zonë është kthyer në një “mollë të artë” për biznesin e ndërtimit. “Tirana Rock’s” dhe zgjerimi i 15-katëshit e kanë kthyer këtë zonë në një kantier ndërtimi.

Emin Riza, një nga emrat më të njohur të trashëgimisë kulturore e kërkon fajin tek Instituti i mbrojtjes së Trashëgimisë Kulturore.

“Ligjet janë të qarta, Instituti i Mbrojtjes së trashëgimisë Kulturore nuk po kryen mirë ato funksione që ia ka ngarkuar ligji. Duhet të përpiqemi me çdo kusht që ta ruajmë atë pak që na ka ngelur”, – na thotë Riza.

Ekspertët bien të gjithë dakord kur thonë se plani rregullues nuk e ka mbrojtur trashëgiminë kulturore në Tiranë, madje ai është përdorur si një mekanizëm për ta fshirë akoma më shumë trashëgiminë kulturore.

Ata konsiderojnë se “e keqja” nisi që me konsultimet fiktive të këtij plani kaq të rëndësishëm e deri tek ndryshimet e vazhdueshme të tij, që reflekton interferenca biznesi.

“Plani rregullues i Tiranës emërtohet “Tirana 2030” që do të thotë që deri më 2030 nuk do të ketë më ndërhyrje në të, por po kaluar as 5 vite u bënë ndryshime drastike, në zona të gjelbërta që ishin lënë për t’u ruajtur dhe për të mos pasur ndërtimin. U ndryshuan dhe u futën në zona ndërtimi.

Që do të thotë se ka pasur interfernca të ndërtuesve”, – na shpjegon Bojaxhi.

Bashkia e Tiranës, nën administrimin e të cilës janë edhe këto zona të rëndësishme të trashëgimisë kulturore, nuk ka parashikuar ruajtjen e tyre në hartimin e planit të përgjithshëm vendor. Kjo duket edhe në parashikimet e planit të përgjithshëm vendor. Në zona të veçanta, siç që janë ato që fillojnë tek ish kinema “Partizani” vazhdon deri tek shkolla e mesme Ekonomike dhe Ushtari i Panjohur, parashikohet të rritet dendësia me 2.5 herë, të rizhvillohet me ndërtesa 8-10 kate, me një koeficient shfrytëzimi 45% të sipërfaqes. Në total parashikohet të shtohet 40m2 ndërtim i ri për banorë dhe vetëm 2.5m2 gjelbërim gjelbërim për banor.

Në Bashkinë Tiranë janë finaluzuar vetëm 8 nga qindra Plane të Detajuara Vendore

Ekspertët shohin një ngërç të madh mes shtimit të dendësisë së banorëve me infrastrukturën që ofrojnë këto zona.

“Pretendimet e zotit Veliaj se për të ruajtur Tiranën dhe përmirësuar jetën në qytet, nuk duhet të ndërtojë gjerë dhe ulët, por ngushtë dhe lart janë absurde. Elementi më thelbësor është sa banorë janë të përqëndruar në një km 2 dhe çfarë infrastrukture ka që t’u shërbejë banorëve. Fakti që plani i Tiranës do të shtojë në mënyrë drastike dendësinë në zonat qëndërore ku rrugët në shumicën e tyre janë të njëjtat që kanë qenë, kjo tregon që jeta jonë si qytetarë do të përkeqësohet”.

Ndryshimi i zonës historike i hapi rrugë ndërtimit të kullave

Ekspertët janë të bindur se shkatërrimi i Tiranës ka nisur me planin e përgjithshëm rregullues, më pas me planin vendor, por ajo që i vuri vulën ishte VKM-ja nr. 582 e vitit 2018, e cila ndryshoi kufijtë e zonës së mbrojtur, një kërkesë kjo e bërë nga bashkia e Tiranës. Kjo VKM-është kundërshtuar edhe Kontrolli i Lartë i Shtetit, gjatë një monitorimi që i ka bërë punës së Institutit të Monumenteve të Kulturës gjatë 2020-ës.

“Ndryshimet e ndodhura më pas me VKM Nr. 582, datë 3.10.2018, në përcaktimin e kufijve të qendrës historike të qytetit të Tiranës, pra përcaktimin në thelb të zonave ku do lejohen ndërtime të reja e ku jo, reflektojnë kërkesat e Bashkisë Tiranë për zhvillime të reja në territor dhe nuk bazohen në studime e  vlerësime të mirëfillta për përcaktimin dhe mbrojtjen e vlerave historike-kulturore të Qendrës Historike dhe zonës mbrojtëse në qytetin e Tiranës”, thuhet në raportin e KLSH.

Madje ekspertët e KLSH nuk ngurrojnë të deklarojnë se këto ndryshime janë bërë vetëm mbi bazën e interesave të biznesit të ndërtimit.

“Si konkluzion KKR ka ndryshuar vlerësimin për zonat historike e kulturore të Tiranës e objekteve në to, në varësi të interesit për ndërtime të reja në këto zona e mbi këto objekte”.

Ky konkluzion i KLSH-së nuk është i vështirë të vërtetohet. Nëse u hedhim një sy lejeve të ndërtimit të miratuara përgjatë katër viteve të fundit në Tiranë, ato janë rritur me ritme galopante.

Kështu sipas INSTAT, në periudhën 2017-2020, në total në të gjithë vendin u dhanë 5.8 mln m2 sipërfaqe ndërtimore, nga të cilat 4 milionë, ose 80% e të gjithë volumit të ndërtimit kombëtar, po ndërtohen në Tiranë. Pas vitit 2017, kur edhe u bënë këto ndryshime në kufijtë e zonave të mbrojtura, lejet e dyfishuan.

Vrulli i lejeve të ndërtimit nuk u ndal as në vitin 2020, kur e gjithë bota ndali hapin për shkak të pandemisë së shkaktuar nga covid 19. Gjatë vitit që lamë pas, me vendim të këshillit bashkiak Tiranës iu shtua edhe 1.1 mln m2 sipërfaqe e re ndërtimore.  Pavarësisht se viti 2020 është viti ku u dhanë leje ndërtimi edhe për shumë zona të prekura nga tërmeti, sërish ata janë minimaliste krahasuar me shifrat galopante me të cilat rritet çdo vit Tirana.

Si filloi zhdukja e trashëgimisë kulturore?

Apollon Baçe, ish kreu i Institutit të Monumenteve të Kulturës thotë se zhdukja e trashëgimisë kulturore nuk është vetëm çështje biznesi, por ka një qëllim të caktuar.

“Ka nisur me planin e përgjithshëm rregullues të vitit 2000 dhe u bë realitet me planin vendor. Janë zhdukur pjesë të tëra dhe e kanë shkatërruar me një objektiv të qartë. I dinin mirë etapat, e dinin edhe se ku do të dilnin” – shpjegon Baçe.

Sipas tij ndërhyrjet nuk ka të bëjnë me shijet estetike, por me zhdukje të memories.

“Këta thonë shteti jam unë, e çfarë mund të presësh nga këta”, thotë ai. Baçe i cili ka drejtuar për vite të tëra IMK-në, pranon se janë bërë gabime edhe më parë, por këto që kanë ndodhur dhe po ndodhin aktualisht nuk mund të zhbëhen më.

“Edhe në kohën e qeverisjes së PD-së ka pasur gabime, u ndërtuan kudo kioska, që ishin një mizerabilitet siç ishin ato mbi Lanë apo parkun “Rinia”, por shumica e tyre ishin prej dërrase dhe u prishën. Ndërsa këto ndërhyrje që kanë ndodhur tani janë përgjithmonë. A mund të prishësh ndonjë nga këto kullat që po ndërtohen? Këto nuk ka Zot që i heq më”, – shprehet ai.

Apolon Bace

Sipas tij, qeveritë shqiptare nuk kishin shumë punë për të bërë pasi “plani itallian ka qenë një mrekulli që ndante Tiranën e vjetër me Tiranën e kuqe, ata me qerpiç”.

“Atë që ishte nga Tirana jo vetëm e shkatërroi, por e ka shkallmuar. Ta zëmë Banka e Shqipërisë futet në listën e ndërtesave që ka jo vetëm arkitekturën, por edhe urbanistikën më të veçantë në rajon, por me këtë ndërhyrjen absurde që ka bërë në shesh e ka mbytur në një pyll me barishte. Ajo që është bërë në trashëgiminë kulturore të Tiranës është një dëm kolosal i pa rikuperushëm në kohë”, – na thotë Baçe.

Zgjidhjet e propozuara

Në situatën kur objektet e trashëgimisë kulturore kërcënohet nga interesa të drejtpërdrejta biznesi, ekspertët e trashëgimisë kulturore sugjerojnë se ka disa zgjidhje, nëse do të ketë vullnet politik.

Gjergj Bojaxhi është mjaft drastik dhe sugjeron bllokimin e ndërtimeve në zonat e qendrës së Tiranës.

“Në zonat qendrore të Tiranës duhet të ketë një bllokim të menjëhershëm të shtimit të mëtejshëm. Nuk mund të rritet pa pasur zgjidhje se si do të jetojnë. Infrastruktura që ka Tirana sot nuk i shërben dot mirë as qytetarëve që jetojnë sot, le më pastaj të shtosh dendësi popullate”, – thotë ai.

Sipas tij një tjetër mekanizëm për të vënë nën kontroll këto ndërhyrje të dhunshme në trashëgiminë kulturore është rivendosja e referendumeve lokale, që deri tashmë është penguar nga politika.

Për këtë ai ilustron një shembull personal.

“Një grup i vogël qytetarësh më 2016, bëmë dy kërkesa në KQZ për çështjen e planit urbanistik të Tiranës, i cili ende nuk ishte miratuar.

Qëllimi i kërkesës kishte të bënte që në zonën e qendrës së Tiranës duke filluar nga Bulevardi, Rruga e Kavajës, rruga e Durrësit e deri tek Zogu i Zi, çfarë do plani paraprak që mund të miratonte bashkia e Tiranës plani nuk mund të hynte në fuqi pa kaluar më parë në referendum tek qytetarët nëse ishin dakord apo jo.

Gjergj Bojaxhi

Të njëjtën kërkesë bëmë edhe për kurorën e gjelbër, dhe për aksin e lumit të Lanës. Të treja këto kërkesa, u dërguan dy herë, të shkruajtura në mënyra të ndryshme, na u rrëzuan. Herën e parë i shkruam të dhënat në fjalë nga kjo rrugë në këtë rrugë dhe KQZ na e rrëzoi me pretendimin se përkufizimi ishte shumë i përgjithshëm, dhe qytetarët nuk do ta kuptonin se për cilën zonë bëhet fjalë. Në kërkesën e dytë bëmë aplikimin me formularin duke vënë koordinatat e GIS që është referenca shtetërore, dhe sërish KQZ na e rrëzoi me pretendimin se është shumë Teknik”, – shpjegon Bojaxhi.

Ai ka besim se “nëse qytetarët do të kishin mundësi për referendume lokale, do të ishte hequr një pjesë të abuzimit të pushtetit vendor me pronën publike”

Megjithatë ai mendon se dështimet nuk vijnë vetëm si pasojë e abuzimit dhe dështimit të politikanëve, por edhe për faktin se si shoqëri civile nuk kemi besim tek njëri tjetri.

Për këtë ai i referohet shembjes së Teatrit Kombëtar, një çështje që ka të bëjë jo vetëm me humbjen e një objekti.

“Mund të kishim humbur objektin, por mund të kishim fituar një proces se si në të ardhmen do të trajtohen objekte të tilla. Në të ardhmen mund të kishim detyruar qeverinë se cili do të ishte standardi i konsultimeve me publikun. Ne humbën Teatrin dhe nuk vendosëm asnjë standard se si duhet të veprojmë në të ardhmen”, – përfundon ai.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *