Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mes lajmit të fundit dhe ruajtjes së privatësisë, mediat përballë raportimit për abuzimin seksual

Në fund të muajit maj opinioni publik u njoh me një tjetër rast të abuzimit seksual me të mitur. Këtë radhë viktimë ishte një vajzë 15 vjeçare, ndërsa abuzuesi një 65 vjeçar, i cili punonte si roje në shkollën ku studionte vajza.

Të përfshirë në këtë veprim janë po ashtu edhe tre persona të tjerë, dy minorenë dhe një 20 vjeçar, të cilët bashkë me 65 vjeçarin janë duke u gjykuar nga drejtësia shqiptare.

Raste të tilla janë denoncuar edhe më parë, duke ngritur kambana alarmi për rolin e institucioneve përgjegjëse në parandalimin e tyre, veçanërisht në institucionet arsimore apo ato të kujdesit prindëror. Nga ana tjetër raportimi mediatik i rasteve dhe debatet në studiot televizive kanë sjellë jo pak pakënaqësi tek qytetarët dhe ekspertët e medias, duke vënë në pikëpyetje profesionalizmin dhe deri ku duhet të shkojë media në raportim kur bëhet fjalë për çështje delikate.

Ditëve të fundit, media ka raportuar për rastin duke bërë publike detaje nga ngjarja, deri në identifikimin e familjarëve, shkollës dhe pamjeve nga shtëpia ku banonte vajza, apo emrit të vajzës. Disa media shkuan në vendbanim duke marrë në intervistë babain e viktimës si dhe duke i dhënë hapësirë mediatike vëllait të saj dhe djalit të përdhunuesit.

Për Elvin Lukun, drejtues i Qendrës “MediaLook” dhe pedagog i gazetarisë, tendenca e mediave është të shkojnë drejt sensacionales, duke shkelur parimet profesionale.

Elvin Luku, ekspert komunikimi

“Publikimi i të dhënave personale dhe identifikuese të një fëmije, për më tepër kur ky i fundit është pre e dhunës seksuale, është gjithnjë problematike. Mund të konsiderohet si një abuzim mbi raportimin të një abuzimi seksual, i cili nuk bie vetëm ndesh me etikën profesionale por kjo dënohet dhe nga ligji. Ka një prirje dhe një tendencë të mediave për të shkelur parimet profesionale në këmbim të ngjarjes sensacionale”,-tha Elvin Luku.

Për drejtuesin e Këshillit Shqiptar të Mediave, Koloreto Cukali dëmi më i madh vjen nga intervistat e zhvilluara me familjarët.

Koloreto Cukali, Këshilli Shqiptar i Medias

“Dëmi më i madh ka ardhur nga intervistat televizive me familjarë. Pavarësisht se familjarët janë adultë dhe supozohet që kanë pranuar të intervistohen me vullnetin e lirë, nga pikëpamja etike kjo është shkelje sepse përmes tyre mund të identifikohet vajza. Ndaj, edhe kur familjarët me vullnetin e tyre janë dakort të dalin me zë e me figurë, gazetarët duhet të shmangin identifikimin e tyre për të mbrojtur vajzën”,-citoi Cukali.

Për Elvin Luku, rasti më i fundit i ndodhur tregon edhe dështimin e institucioneve në mbrojtje të fëmijës.

Rasti i fundit i abuzimit seksual me 15-vjecaren është shembulli i dështimit spektakolar të gjithë mekanizmit, strukturës dhe zyrave në nivel qendror e lokal të ngritura posaçërisht për mbrojtjen e fëmijëve. Ky shembull tregon se ne shpenzojmë para publike për njësi dhe zyra që nuk kanë produkt dhe nuk janë efikase në punën e tyre“,- u shpreh Luku.

Sipas tij, një sërë mekanizmash nuk kanë funksionuar, duke mos parandaluar abuzimin.

“Dështimi i parë vjen nga Policia e Shtetit e cila pranë Drejtorive Vendorë të Policisë ka ngritur seksionet e Dhunës në Familje dhe Fëmijëve për të parandaluar, gjurmuar apo ndjekur persona me precedent kriminal për këto vepra penale. Prej marsit 2019, megjithëse, sikurse thuhet, ka patur jo vetëm abuzim, por dhe përndjekje fizike dhe online të fëmijës, efektivët e policisë nuk kanë pikasur asgjë, ndonëse mediat raportojnë që gjithë komuniteti ishte në dijeni të abuzimit.

Së dyti, Ligji 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, parashikon dhe është ngritur një strukture në nivel qëndror e lokal pikërisht për të parandaluar këtë abuzim. Por gjithë zinxhiri nga Ministri i linjës të Agjencia Shtetërore për mbrojtjen e Fëmijëve dhe njësitë lokale të krijuara në secilën bashki nuk kanë sjellë parandalimin e hershëm të abuzimit por veprimet kanë nisur pas vetë denoncimit të viktimës.

Së treti, psikologët në shkolla dëshmojnë edhe njëherë se nuk kanë kapacitetet e duhura për të zbuluar raste të tilla abuzimi. Rritja e kapacitetit të punonjësve në këtë zyrë, sikurse pohon Ministrja e Arsimit, do të sillte shpenzim joefikas të parasë publike”,-sqaron Luku.

Sipas Koloreto Cukali, mungon një strategji institucionale për përzgjedhjen e punonjësve në shkolla.

“Unë nuk shoh një strategji institucionale për të filtruar stafin që punësohet (në këtë rast në shkolla), për të reaguar që në fillim kur këto probleme shfaqen, për të krijuar struktura të cilat të mund të monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme. Fakti që kjo situatë vazhdonte prej vitesh do të thotë që dhe indiferenca në atë shkollë ka vazhduar prej vitesh“,- u shpreh Cukali.

Çfarë nuk duhet të transmetohet në media për fëmijët sipas Kodit të Transmetimit për median Audiovizive?

Referuar Kodit të Transmetimit për Median Audiovizive, në seksionin e raportimit për fëmijët, përcaktohet qartë se:

“Të dhënat e publikuara për fëmijët në media duhet të shmangin: identifikimin dhe inicialet e fëmijës; identitetin e prindërve, apo të çdo të afërmi që bën të mundur identifikimin e fëmijës; rrethana, detaje mbi ngjarjen, që bëjnë të mundur identifikimin e fëmijës, cenojnë dinjitetin e tij dhe nuk i shërbejnë interesit publik; emër shkolle, kopshti, institucioni në rastet kur situata e abuzimit apo veprës penale nuk kanë ndodhur në institucion; emrin e autorit të krimit, i cili ka marrëdhënie gjaku me viktimën”.

Në Kodin e Transmetimit theksohet se duhet treguar kujdes edhe me raportimin dhe transmetimin e palëve të treta jo-fëmijë, në rastin kur kjo gjë çon në identifikimin direkt ose jo të fëmijës.

“Duhet shmangur çdo raportim apo transmetim që çon direkt apo indirekt në identifikimin e çdo fëmije që mund të jetë ose është përfshirë në një ngjarje të rëndë familjare. Ndalohet intervistimi i fëmijës që mund të jetë përfshirë në një ngjarje të rëndë: p.sh, fëmijë të larguar nga familja, që kanë tentuar të vrasin veten, që janë përdorur nga grupe kriminale, që kanë qenë brenda një rrjeti prostitucioni, që i kanë prindërit të dënuar”.

Ndryshe nga rregullat e përcaktuara, mediat kryesore në vend rendën të publikojë të dhëna personale, duke ju vendosur tituj që tërheqin vëmendje.

“E perdhunoi pastaj shperndau videon: Detaje tronditese nga abuzimi me 15 vjeçaren”; “Zbardhen detaje nga abuzimi i 15-vjeçares ne Babrru”; “Detaje tronditëse nga përdhunimi i të miturës/ Si e kërcënonte i moshuari 15-vjeçaren në lagje”;”I kishte shkruar emrin në çdo cep të pallatit, Fax News zbulon detaje nga abuzimi me të miturën”;”DËSHMIA/ “Abazi kreu marrëdhënie edhe shoqet e mia”: Zgjerohet skandali i abuzimit me të miturat”;“Kam dashur që të kap nusen e djalit, por nuk kam mundur”, zbardhen detaje të reja për 65-vjeçarin, e mitura në Babrru ndryshon banesë”,-ishin disa nga titujt që kanë qarkulluar në median online dhe atë audiovizive ditëve të fundit për rastin e abuzimit seksual.

Reagimet për pasqyrimin mediatik të ngjarjes

Autoriteti i Mediave Audiovizive dhe Agjencia Shtetërore për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve me anë të një deklarate publike kanë bërë thirje për mbrojtje të të dhënave të fëmijëve duke shprehur shqetësim mënyrën se si është raportuar rasti në media.

Gjithashtu, nisur edhe nga ngjarjet e fundit të rënda të abuzimeve seksuale me fëmijët, ne jemi të shqetësuar për mënyrën se si këto raste janë raportuar në media.

Mediat e shkruara, portalet online, por edhe mediat audiovizive kanë paraqitur rastet me detaje, kanë intervistuar të afërm të fëmijës, kanë publikuar pamje nga banesa, zona administrative, qyteti ku ka ndodhur ngjarja, duke bërë të mundur identifikimin e fëmijës, viktimë e abuzimit.

Publikimi i këtyre të dhënave është në shkelje të parimeve ndërkombëtare dhe legjislacionit shqiptar, ligjit nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, dhe të Kodit të Transmetimit, një kuadër ligjor që sanksionon të drejtat e fëmijëve për të qenë të mbrojtur, për ruajtjen e të dhënave personale, privatësisë dhe kofidencialitetit. Informacione të tilla të bëra publike, që i bën fëmijët të identifikueshëm në rastet kur ata janë viktimë e një ngjarjeje të rëndë, ndikojnë në riviktimizimin e tyre dhe rehabilitimi bëhet shumë i vështirë më pas”,-thuhet në deklaratën për shtyp.

Citizens Channel depozitoi dje pranë Autoritetit Audioviziv të Medias një ankesë për të vepruar ndaj raportimeve të televizoneve duke nxjerrë të dhënat personale të viktimave.

Përshkrimi i ankesës pranë AMA-s, dërgoi kërkesën Entenela Ndrevataj

Në përgjigjen e AMA-s të drejtuar Citizens Channel, AMA sqaron se televizioneve që kanë transmetuar të tilla kronika u është kërkuar ndërprerje e transmetimit dhe heqje e kronikave nga faqet zyrtare në Youtube.

Përgjigja e AMA-s

Por, nga një vëzhgim i thjeshtë në Youtube, vihet re se këto kronika ku janë bërë publike të dhënat e 15 vjeçares vazhdojnë të jenë në rrjet.

Organizatat thirrje mediave për ndalimin e raportimit të detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre

Organizata Terres des Hommes me një komunikim publik në rrejtin social Facebook, i ka tërhequr vëmendjen institucioneve përgjegjëse, medias dhe shoqërisë shqiptare, pasojat që mund të sjellin veprimet ose jo në mirëqënien e fëmijëve që janë viktima të abuzimit seksual.

I bëjmë thirrje medias të mos vazhdojë të shkel etikën profesionale, ligjin Nr. 97/2013 “Për Mediat Audiovizive” dhe Kodin e Transmetimit për Mediat Audiovizive, që i klasifikojnë të miturit tek grupet që duhen mbrojtur nga efekte të dëmshme që mund të vijnë nga përmbajtja mediatike dhe garantojnë mbrojtjen e fëmijëve, të drejtën absolute të fëmijës për privatësi, vërtetësinë dhe saktësinë e konfirmuar të raportimit të ngjarjeve që lidhen me fëmijët. Mos-respektimi i konfidencialitetit, raportimi i papërshtatshëm në media dhe stigmatizimi i viktimës shfaqen si arsyet kryesore të mos-denoncimit të rasteve sipas një studimi të bërë nga Terre des hommes në vitin 2015, mbi abuzimin seksual në rrethin e besimit”,-thuhet në komunikimin e Terres des Hommes.

Unicef Albania dhe UN Women kanë shprehur shqetësim për raportimet e fundit të çeshtjes në fjalë, duke i bërë thirrje mediave në vend të raportojnë në mënyrë profesionale, pa zbuluar identitetin e të mbijetuarave dhe familjarëve të tyre

“Ne gjithashtu i bëjmë thirrje mediave që të ndalojnë raportimin e detajeve që zbulojnë identitetin e të mbijetuarave dhe familjeve të tyre. Informacioni që ndahet me publikun duhet të ndihmojë në zhdukjen e kulturës së dhunës seksuale dhe media duhet të përdorë fuqinë e saj për të mbështetur plotësisht të mbijetuarat, jo autorët e krimit.

Kryesisht i bëjmë thirrje të gjithë shoqërisë që të mos u kthejë shpinën atyre që u prekën nga kjo dhunë, të mos i fajësojë ata dhe të reagojë kundër abuzimit. Nuk ka justifikim dhe tolerancë ndaj përdhunimit!,- citohet në komunikimin e organizatave.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *