Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Policia e Dibrës lë në fuqi gjobën prej 5 milion lekësh ndaj Elton Debreshit

Drejtoria e Policisë së Qarkut Dibër ka lenë në fuqi gjobën prej 5 milion lekësh ndaj kandidatit të pavarur të zgjedhjeve të 25 prillit, Elton Debreshi.

Gjoba u vendos ndaj Debreshit për shkak të takimit elektoral të mbajtur më 26 mars duke mos respektuar rregullat për grumbullimet me më shumë se 10 persona në kohë pandemie.

Gjoba e vendosur ndaj Elton Debreshit

“Zëri i minatorëve nuk heshtet me gjoba”, ishte reagimi i Elton Debreshit, i cili përmes një postimi në faqen zyrtare Facebook u shpreh se ligjin e bën më i forti.

“Në një shtet ku ligjin e bën më i forti, urdhri nga lart vlen më shumë sesa ndërgjegjja institucionale. Partitë e mëdha, me paratë e oligarkëve, bënë takime elektorale të mëdha. Ne minatorët, me forcat tona, bëmë aq sa mundëm te benim dhe për këtë jemi krenarë. Edi Rama e festoi mandatin e tretë me dhjetëra mijëra militantë në shesh, por askush nuk u kujtua t’i kërkojë llogari për pandeminë”.


Gentjan Serjani, përfaqësuesi ligjor i Elton Debreshit tha për Citizens Channel se e ka kundërshtuar vendosjen e gjobës pasi është e paligjshme.

Dy pikat kryesore që ne kundërshtuam gjobën ishte se ne më datë 26 nuk kishim një akt në fuqi që e bën të mundshme vendosjen e gjobës pasi në datë 25 Gjykata Kushtetuese e ka shfuqizuar aktin dhe urdhri tjetër që duhej të publikohej është publikuar në fletoren zyrtare pas datës 26. Që do të thotë në datë 25 deri në datën që është publikuar në fletoren zyrtare urdhri i dytë i komitetit të ekspertëve nuk kemi pasur në fuqi një urdhër dhe nuk mundej që të zbatohej”,-u shpreh Serjani.

Sipas tij, urdhri i Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale për ndalimin e takimeve elektorale në ambiente të mbyllura dhe të hapura me pjesëmarrjen e më shumë se 10 personave ka qenë i pranuar nga kandidati Debreshi dhe si rrjedhojë ai ka shkuar pranë banorëve për t’ju komunikuar që nuk duhet të organizohen.

Me gjithë argumenteve të parashtruar nga përfaqësuesi ligjor Serjani, Komisioni i Shqyrtimit të Ankesave pranë policisë së Dibrës ka vendosur ta mbajë në fuqi masën ndëshkimore.

Serjani u shpreh për Citizens Channel se do ta ndjekë më tej këtë proces, duke ju drejtuar Gjykatës Kushtetuese.

“Ne e ankimuam në mënyrë administrative më pas do të kalojë në proces gjyqësor. Me daljen e vendimin nga Komisioni i Apelit pranë Drejtorisë së Qarkut Dibër do ta ankimojmë në shkallën e parë të Gjykatës Administrative”,-deklaroi Gentjan Serjani.

Gentjan Sejrani

E konsideruar si një masë e cila nuk është përdorur njëjtë edhe për takimet elektorale të kandidateve të subjekteve politike, ky vendim i policisë së Dibrës do ti kalohet edhe Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi.

Ne së shpejti do bëjmë një kërkesë për informacion të shohim kush ka marrë gjoba nga subjektet e tjera politike dhe do bëjmë edhe një ankesë të Komisioneri për Mbrojtjen nga Diskriminimi në lidhje me trajtimin jo të barabartë që i është bërë Eltonit në krahasim me subjektet e tjera politike referuar edhe takimit të djeshëm në Tiranë të Partisë Socialiste”,-përfundoi Serjani.

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021 e zhvilluar ne kushte të pazakonta sikurse ato për ruajtjen nga përhapja e virusit COVID-19, policia shqiptare nuk veproi në mënyrë të barabartë për të gjitha subjektet politike.

Në të njëjtën zonë ku kandidonte Elton Debreshi, në qarkun e Dibrës u kryen takime elektorale me më shumë se 10 persona dhe duke mos ruajtur distancën fizike edhe nga subjektet politike si PS, PD dhe LSi, megjithatë, ndaj tyre nuk u mor asnjë masë ndëshkimore.


Hapja e fushatës elektorale më 25 mars 2021 në Tiranë nga Partia Demokratike po ashtu u krye me pjesëmarrjen e qindra qytetarëve.

Me një kërkesë të drejtuar Policisë së Shtetit në lidhje me veprimin e policisë në këto raste, na u bë me dije se policia nuk vendosi asnjë gjobë ndaj organizatorëve apo qytetarëve pjesëmarrës.

“Për mbarëvajtjen e dy aktiviteteve të subjekteve politike të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, përkatësisht në sheshin “Skënderbej“ dhe sheshin “Nënë Tereza”, strukturat e DVP Tiranë hartuan Planin e Masave. Strukturat e DVP Tiranë nuk kanë vendosur gjoba ndaj organizatorëve të aktiviteteve në sheshin “Nënë Tereza” dhe në sheshin “Skënderbej”,”-ishte përgjigja e policisë.

Jo më larg se dje, Partia Socialiste mblodhi në shesh qindra mbështetës së saj për të festuar fitoren e mandatit të tretë të kësaj force politike, e megjithatë nuk pati një njoftim nga ana e policisë për vendosjen e gjobave.


 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *