Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Teatri Kombëtar: Aktivistët nisin qëndresën e pandërprerë pas tentativës për zbrazje të godinës

Një makinë private pa logon e Teatrit Kombëtar po ngarkonte disa materiale. Dera ishte hapur, unë hyra brenda me disa njerëz dhe pamë që të gjitha gjërat aty ishin të paketuara”, tregon regjisori Robert Budina,  gjatë një intervistë për Ora News.

Në të njëjtën ditë, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit ka bërë thirrje për mobilizim të qytetarëve në mbrojtje të godinës.

“Burime nga administrata e Teatrit na njoftojnë se natën do të bëhet zbrazja e plotë e Teatrit Kombëtar. Kërkohet mobilizim i plotë qytetar. Të gjithë që munden, janë të ftuar të na bashkohen që të qëndrojmë sot natën për t’i bërë qeveritarët që veprojnë si gjithmonë hajdutçe natën që të stepen në qëllimin e tyre të mbrapshtë. “

Thirrjes iu përgjigjën dhjetëra qytetarë të cilët u bashkuan dhe kanë nisur një qëndresë të pandërprerë me qëllim ruajtjen e godinës së Teatrit Kombëtar.

Sipas pedagoges Taulata Jaupi, e ftuar në televizionin Ora News, nuk ka dijeni për një dokument konkret, por nga miqtë që punojnë në teatër dhe duke parë punëtorët të cilët po detyrohen të largojnë pajisjet e teatrit kanë njoftuar se kanë marrë një urdhër për boshatisje të godinës.

Na kanë dërguar foto se si po paketoheshin materiale që gjenden në teatër dhe ne menjëherë morëm masën për t’i publikuar këto foto dhe morëm masën për të pasur njerëzit tanë në terrenin e Teatrin Kombëtar“.

Regjisori Robert Budina tregon më tej se kur kanë hyrë brenda ambjenteve të teatrit kanë parë se cdo gjë ishte e paketuar: “Këtu cdo gjë bëhet natën, hajdutshme dhe kjo është e turpshme dhe e frikshme .”

Qëndresa për Teatrin Kombëtar është një nga qëndresat më të gjata për mbrojtjen e një kauze dhe sipas pedagoges Jaupi, kjo lëvizje për të zbrazur teatrin nga materialet që ka brenda,nuk është gjë tjetër veçse një përpjekje për të prishur integritetin e teatrit dhe për të hequr te publiku ndjenjën emocionale.

Duke pasur parasysh këtë qëndresë prej gati 18 muajsh tashmë, është një frikë e përsëritur sepse ne e kemi pasur edhe vjet në të njëjtën periudhë të njëjtën frikë pavarësisht dekreteve të presidentit i cili e ktheu herën e parë në korrik, e ktheu përsëri në tetor. Unë mendoj që përpjekjet e këtij lloji, po ti referohemi historikut të këtij viti siç ishte heqja e shkronjave apo VKM-ja që doli në fillim të korrikut për ngritjen e komisionit që do të përgatisi procedurat e prokurimit për të zbatuar ligjin special dhe për të pritur ofertat nga subjektet private për ndërtimin dhe zhvillimin e kësaj zone, unë mendoj që hapat e rradhës që do të merren kanë një qëllim shumë të qartë. Kanë një qëllim për të hequr integritetin e Teatrit Kombëtar. Në fillim u përpoqën të heqin shkronjat, por ne i vumë, tani po përpiqen ta zhveshin dhe ta zbrazin teatrin për të hequr te publiku ndjenjën emocionale që ky është teatri kombëtar. Në fakt Turbina, ajo ndërtesë e cila po merr të gjitha atributet e Teatrit Kombëtar nuk ka fare të bëjë me Teatrin Kombëtar. Përpjekja është pikërisht këtu, për ta zhveshur Teatrin Kombëtar, ose ndërtesën e cila është një nga ndërtesat më të bukura të periudhës italiane dhe e vetmja në Shqipëri e këtij lloji për ta zhveshur nga koncepti i Teatrit Kombëtar”

Aktivistët e mbrojtjes së teatrit organizojnë çdo mbrëmje sofrën e diskutimin për çështje që lidhen me teatrin dhe kauzat e tjera publike që shqetësojnë shoqërinë shqiptare, duke e kthyer sheshin para teatrit në një shesh ku diskutohen dhe mikpriten mendime dhe qytetarë të ndryshëm.

Në mbrëmjen e djeshme, pikërisht për shkak të ngritjes së vëmendjes nga veprimi i fundit i konstatuar për boshatisjen e teatrit, aktori Neritan Liçaj në fjalën e tij u shpreh se ata do të jenë aty përherë, të përgatitur për cdo gjë që i pret dhe ka lidhje me cënimin e teatrit.

Ne jemi të përgatitur, pasi e prisnim edhe këtë lëvizje tjëtër të ulët nga ana e qeverisë. Kemi marrë masat tona dhe do të na gjejnë siç nuk na kanë gjetur asnjëherë të papërgatitur. Na kanë gjetur gjithmonë të gatshëm për cfarëdolloj përgjigje kundër këtij pushteti arrogant, për t’i bërë ballë ashtu siç dimë t’i bëjmë ballë në me qëndresë. Me qytetari dhe me zemër të fortë. Fakti që Teatri Kombëtar është bërë një nga qëndresat më të gjata në historinë e Shqipërisë tregon fort se e ka bërë këtë pushtet arrogant, korruptiv, të dridhet dhe ta ketë shumë frikë këtë teatër”.

Për regjisorin Budina, ndërtimi i një teatri të ri është shumë i rëndësishëm, dhe Aleanca për Mbrojtjen e Tetarit nuk është kundër kësaj gjëjë, por jo duke prishur teatrin ekzistues.

Nuk jemi kundër ndërtimin të një teatri të ri. Përkundrazi, jemi për një teatër të ri në një vend tjetër, dhe kjo të ruhet si vlerë e trashëgimisë kulturore të këtij vendi, ku janë themeluar të gjitha institucionet artistike të Shqipërisë. Ne duam këtë teatër dhe një teatër të ri kudo që të jetë ai. Ky teatër i ri  mund të ndërtohet shumë mirë edhe atje ku ka qenë midis rrugës së Kavajës dhe rrugës së Durrësit, ku tani po ngrihet një gradaçelë e madhe për interesa të ku e di unë se kujt. Pse të mos ngrihej atje një Teatër Kombëtar edhe këtu të ruhej kjo trashëgimi kulturore ? Po na zhduket kujtesa e këtij qyteti, po na zhduket çdo gjë. E vetmja gjë që ka mbetur dhe cdo turist i huaj kur kalon atje, gjëja e parë ku ndalet është pikërisht ai teatër. “

Dhjetra përfaqësues të Aleancës kanë qëndruar në sheshin para teatrit deri në orët e vona të natës, për të paraprirë çdo lëvizje nga ana e Bashkisë, që sipas tyre tenton të prishë teatrin. Në shenjë solidariteti pranë qëndrestarëve të teatrit janë gjendur qytetarë të ndryshëm, të cilët u kanë dërguar ushqime e pije për të kaluar natën.

Nga heqja e shkronjave te miratimi i VKM-së

Çështja e Teatrit Kombëtar ka kaluar një sërë zhvillimesh që kanë të bëjnë me tentativën për ta prishur atë dhe për t’i lënë vendin një teatër të ri në të njëjtin truall.

Duke nisur që nga veprimi natës së 26 prillit ku punëtorët e Bashkisë Tiranë hoqën shkronjat në fasadën e Teatrit. Ky veprim i realizuar fshehurazi shkaktoi reagim të gjerë tek artistët dhe shoqëria civile. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit e dënoi këtë akt duke e konsideruar si të ulët  dhe kërkoi nga Ministria e Kulturës të mbajë qëndrim për ç’ka ka ndodhur si dhe të rivendosë shkronjat. Ajo nisi mënjeherë mbledhjen e fondeve dhe brenda pak ditësh u mundësua shuma e nevojshme e parave për të blerë gërmat për teatrin.


Ndërsa më 3 qershor 2019 u publikua në Fletoren Zyrtare vendimi i cili autorizon ngritjen dhe funksionimin e një komisioni për vlerësimin dhe negocimin e kontratës me palën private me objekt realizimin e projektit të zhvillimit të zonës së Teatrit Kombëtar. Ky projekt synon të shembë godinën e Teatrit ekzistues dhe të ngrejë një godinë të re. Në pikën e dytë të këtij vendimi kërkohet përcaktimi i kritereve kualifikuese dhe dokumentacionin e kërkuar për përzgjedhjen e palës private që do të marrë përsipër realizimin e projektit të zhvillimit të zonës dhe godinës së re të Teatrit Kombëtar.

Aleanca e ka konsideruar këtë vendim si një shpallje të luftës përfundimtare jo vetëm të interesit publik dhe Teatrit Kombëtar, por edhe Kushtetutës dhe sundimit të ligjit në Shqipëri.


*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *