Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

15 ditë pa abone të përgjithshme të transportit publik; aktivistët nisin peticionin

Biblioteka Kombëtare, 9-katëshet, Banka Kombëtare, pedonalja dhe stacione të transportit publik janë shndërruar prej gjashtë ditësh në orientim për qytetarët që kundërshtojnë heqjen e abonesë së përgjithshme për transportin urban.

Aktivistë të Organizatës Politike kanë ndërmarrë nismën për të nënshkruar një peticion ku i kërkojnë Bashkisë Tiranë të rikthejë abonetë e përgjithshme si dhe të rrisë cilësinë e shërbimit.

Me anë të një vendimi Bashkia Tiranë vendosi që të pezullojë abonetë për muajt qershor-korrik-gusht me qëllim sipas saj për të ristrukturuar linjat, të cilat u goditën nga pandemia.

Për aktivistët, ky vendim vendos në favor kompanitë e transportit dhe jo qytetarët.

Bashkia këtë e quajti një eksperiment, por kjo duke parë shifrat sidomos nga Inpektoriati i Mbrojtjes së Konsumatorit duket qartësisht që ka qenë thjesht një lëvizje që bashkia ka bërë për të rikthyer të ardhurat e humbura te pronarët e kompanive të transportit publik.Në momentin që Bashkia hoqi abonenë e përgjithshme, kostoja për xhepin e studentëve, të puëntorëve, të njerëzve që e kanë të nevojshëm dhe jetike transportin publik në Tiranë, u dyfishua, u trefishua në varësi të autobusave dhe linjave që ata përdornin për transportin e tyre”,-shprehet për Citizens Channel Irdi Ismalili, aktivist pranë OP-së.

Irdi Ismaili, Aktivist, Organizata Politike

Për aktivisten Geraldina Mançka, heqja e abonesë së përgjithshme do të thotë trefishim të kostove.

Mua me duhet të lëviz nga shtëpia për në shkollë dhe në punë dhe duhet të përdor tre urbane të ndryshëm. Në qoftë se merrja abone të linjës duhet të harxhoj rreth diku te 36 mijë lek dhe shto kostot nëse unë përdor urbane për të lëvizur diku tjetër. Pra një shumë minimale mua më shkonte rreth 40 mijë lek, ndërsa me abonenë e përgjithshme, unë harxhoja 16 mijë lek dhe mund të lëvizja ku të doja dhe sa herë të doja”,-rrëfen Geraldina Mancka.

Geraldina Mancka, aktiviste, Organizata Politike

Sipas saj mbështetja nga qytetarët ka qenë e lartë, pasi është një problem që i prek të gjithë.

Njëra nga qytetaret që nënshkroi peticionin rrëfen se përdorimi i dy linjave të ndryshme e bën të pamundur marrjen e dy aboneve.

Unë përdor dy linja, marr Tiranën e Re ose uzina Dinamon. Automatikisht duhen dy abone. Tani duke qenë se jemi njerëz të thjeshtë, bëjmë të gjithë një punë normale, nuk është se kemi rrogat miliona edhe thua hajt mo. Unë e llogaris një abone dy kile mish. Nuk e di a është e drejtë kjo apo jo”.

Përpos heqjes së abonesë ajo rrëfen se mungojnë kushtet dhe shërbimi i duhur në linjat urbane.

“Nuk e kam me e marr, nuk e marr abonenë edhe kë shikoj që e marrin them pse e merr. Se qëndrojmë me orë që e presim autobusin. Sidomos në orarin e mëngjesit njëherë jemi të gjithë si sardele aty Brenda. Mirë që kemi maskat e s’kemi atë kontaktin, por është e padrejtë. Unë qarkulloj në këmbë e kam vendosur që mos ta marr abonenë vetëm për këtë arsye se nuk është e drejtë”,-përfundon qytetarja.

Qytetare nënshkruese e peticionit

Aktivistët sqarojnë se peticioni do ti drejtohet Bashkisë me qëllim që të ndërhyhet edhe në cilësinë e transportit në të gjitha hallkat e tij.

I kërkojmë aplikimin e kontratës, se nuk do thoja që të aplikojë kushte të reja për linjat urbane, por aplikimin e kontratës aktuale për frekuencën e qarkullimit të autobuzave dhe për kushtet. Sepse kontrata parashikon që duhet të ketë qarkullim çdo 10 minuta, çdo 5 minuta, i ka të parashikuara të gjitha, po asnjë linjë nuk i zbaton. Kërkojmë që shtresat që janë më në nevojë si studentët, të papunët ose njerëzit që marrin rrogë minimale ta kenë çmimin e abonesë së përgjithshme të përgjysmuar”,-tha Irdi Ismaili.

Mbledhja e firmave do të vijojë deri të djelën, më 20 qershor ndërsa të hënën do të dorëzohet në Bashkinë e Tiranës. Në rast se nuk ka asnjë reagim nga bashkia, aktivistët paralajmërojnë protesta.

“Ne do të jemi deri ditën e dielë në terren, pra do të mbledhim firma dhe ditën e hënë do të bëhet dorëzimi i peticionit para Bashkisë. Ky nuk është fundi është vetëm fillimi, duke qenë se është një gjë që ka revoltuar gjithë njerëzit ne nuk do dorëzohemi, do dalim, do protestojmë do kërkojmë të drejtat”,-përfundon aktivistja Geraldina Mançka.

Më 2 qershor një grup qytetarësh protestuan para Bashkisë Tiranë për heqjen e abonesë së përgjithshme. Ata ligjëruan të njëjtin shqetësim, atë të kostos financiare mujore të shtuar për familjet e tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *