Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Tradita ulet këmbëkryq në Tiranë

Artizanë nga qytete të ndryshme të Shqipërisë prezantuan punimet e tyre për kryeqytetasit në një panair të organizuar nga Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë. Për dy ditë duarartë nga Puka, Kruja, Tirana, Kolonja, etj., të cilët mbajnë gjallë traditën shqiptare, patën mundësi jo vetëm të shisnin pak nga prodhimet e tyre, por edhe treguan se rikthmi tek tradita duhet të shihet si një mundësi për përmirësimin e financave të familjeve në zonat rurale dhe ato urbane.

Lindita Herri, qendistarja nga Kruja

Duart e krutanes Lindita Herri prej 40 vitesh kanë qendisur mijra kostume tradicionale, jelekë dhe mbulesa. Ajo tregon për Citizens Channel se gjithëçka nisi pas një kursi gjashtë mujor qendistarie në komunalen e Krujës. “Pas prishjes së sistemit u prish edhe komunalja. Në ato vite ishte e vështirë të ruaje traditën, por bashkë me bashkëshortin ia dolëm. Unë qendistare dhe ai rrobaqepës”, tregon ajo.

Dhe ia kanë dalë shumë mirë sepse punimet e tyre kanë kaluar kufijtë e Shqipërisë. Një nga kostumet tradicionale për femra, të cilën e kishte ekspozuar në stendën e saj, do të nisej për në Itali. “Pjesa më e madhe e klientëve të mij janë shqiptarë që jetojnë në Amerikë, Angli, Itali dhe vende të tjera. Edhe turistët që vijnë në Krujë duan të marrin me vetë një copëz nga Shqipëria.”

 

Lindita na thotë se i vjen keq që të rinjtë e sotëm nuk e shohin qendistarinë si zanat që mund tu sigurojë të ardhmen e tyre, por ajo do të përpiqet t’ia kalojë artin e qendistarisë nuseve të dy djemve të saj.

Fatmir Metko, bletërritësi nga Kolonja

Gjatë gjithë pranverës dhe verës ai është lodhur duke u kujdesur për kosheret e tij, ndërsa me ardhjen e dimrit është periudha e ‘mjaltit’ kur mbledh frytet e punës.

Stenda e Fatmirit gumzhinte tamam si një koshere bletësh. Të gjithë në kërkim të një produkti natyral e jo me sheqer, siç mund të blihet në disa raste në dyqanet kryeqytetase. “Kërkesë ka, por njerëzit kanë gjithnjë dyshime për cilësinë. Kanë frikë se mos i hedhim sheqer, por pasi e kanë konsumuar marr telefonata falenderimi dhe porosisin sërish”, na tregon Fatmiri.

Bletërritësi nga Kolonja na thotë se qytetarët kanë të drejtë të jenë dyshues sepse mjalti është një produkt që mund të abuzohet me sheqerin. Por sipas tij ky nuk është problemi kryesor me mjaltin. “E keqja ime është kriza e bletës. Sëmundjet po bëjnë kërdinë tek bleta. Thonë valët telefonike ndikojnë për keq, por nuk ka një studim të që ta konfirmojë këtë.”

Dritan Frroku, guida turistike nga Puka

Në rast se artizanët të tjerë kishin ardhur në panair në mënyrë individuale, ata të Pukës ishin bashkuar në një stendë të vetme. Plisa, jelekë, sharki, çifteli, vegsh, tupana e shumë objekte të tjera të prodhura në mënyrë artizianale ishin mbledhur për tu ekspozuar nga Dritan Frroku, i cili ofron guida turistike në zonën e Pukës.

“Jo të gjthë artizanët e Pukës mund të vinin këtu. Këtë gjë e bëj gjithnjë edhe në zyrën time turistike sepse turistë që vijnë  atje duan të marrin një copëz Puke me vete.”

Dritani na tregon se çiftelia, sharkia, stoli dhe djepi janë ndër objektet më të kërkuarat. Por nuk mund të lihen pa permendur edhe produktet natyrale të prodhura në Qendën At Mhill Troshani, si reçeli, likeri, rakia dhe bimët medicinale të mbledhura në pyjet e Pukës.

“Puka me traditën, me produktet natyrale dhe klimën e saj mendoj se duhet të viztohet nga më shumë turistë”, përfundon Dritani.

Autor: Amarildo Topi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *