Citizens.al

Shqipja pa TOEFL

Atë që nuk na e bëri pushtimi osman për 500 vjet, e bëmë vetë për 25. Gjuhën shqipe po e zhdukim, po e largojmë, po e tallim, po e përbuzim, po e harrojmë, po e zëvendësojmë. Nuk po e mbrojmë.

Shumë studentë shqiptarë nuk e zotërojnë mirë gjuhën shqipe. Mijëra prej tyre dalin nga leksionet e fakulteteve me anglishte të përsosur, por me shqipe për të qarë hallin. Kjo duket që nga mënyra si shkruajnë në rrjetet sociale, gjer te përgjigjet e pyetjeve në provime. Askush nuk testohet për nivelin e gjuhës shqipe përgjatë studimeve të larta, por dëshmitarë të vazhdueshëm janë pedagogët. Si vijnë ata në punë pasi kanë lexuar një natë më parë përgjigjet plot gabime të studentëve në provime? Si mund t’i vësh dhjeta e ta quash student të ekselencës një që nuk shkruan saktë as emërtimin e fakultetit ku studion? Si mund ta diplomosh me medalje ari atë që e kopjoi temën e diplomës pa shkronjat ë dhe ç? Si mund të nxjerrësh në tregun e punës analfabetë në të shkruar e të lexuar, por me master shkencor?

Nëse do të jepnin provimin e gjuhës shqipe, një pjesë e mirë e studentëve do të dilte dobët në rezultate. Kjo është e trishtueshme, sepse është një nga treguesit se ç’lloj intelektualësh do të kemi nesër. Në gjimnaze, vijon të jetë një lëndë e përbashkët me letërsinë, por programi i lëndës tregon se gramatika e drejtshkrimi nuk studiohen aq rigorozisht sa në shkollën nëntë vjeçare, prandaj mënyra e vetme për të mësuar gjuhën shqipe është të lexuarit. Përjashtim bën gjimnazi i gjuhëve të huaja, që për shkak të profilit të tij, e ka lëndë të posaçme gjuhën shqipe. Por gjithçka mbyllet me provimin e Maturës Shtetërore, dhe nxënësi e kalon lumin. Në fakultet, mund të shkruajë si të dojë.

Cili është shkaku rrënjësor i kësaj neglizhence? Liria dhe demokracia? Mungesa e instancave kontrolluese? Largimi i të rinjve nga libri? Gjuhët e huaja?

Paradoksi ndodh kur mijëra studentë diplomohen me gjuhë të huaja kur nuk i aplikojnë aspak gjatë fakultetit. Ligji u kërkon që për të ndjekur studimet, duhet të paraqesin dëshminë e gjuhës së huaj, pavarësisht se nuk bëjnë as edhe një orë të vetme anglisht, italisht, apo frengjisht, përveç ndonjë libri apo materiali që mund të jepet prej pedagogut si literaturë. Thjesht, përballen me presionin për të mbrojtur TOEFL-in ose provime të ngjashme, pa iu ofruar procesi për të shkuar gjer te provimi. Presion për gjuhën shqipe nuk ka.

Profesori im gjerman njihte disa gjuhë, por kur dikush bënte gabime gjatë mësimit, ndonjëherë, ndalonte së foluri gjermanisht dhe thoshte “e bëre mish-mash”. Neve, gjimnazistëve, na vinte për të qeshur si një i huaj e dinte mirë gjuhën tonë, por gjuha nuk është thjesht bashkim fjalësh. Ajo përcjell emocione, tregon kulturën, zhvillimin e vendit. Publicisti Branko Merxhani e konsideronte popullin shqiptar si qenie gjuhësore, duke qenë se është pikërisht gjuha që e bashkon, dhe shkruante se një popull, kur humbet gjuhën e tij humbet edhe kombësinë.

Nuk do të duhej të ishte mbrojtja e gjuhës së huaj kusht shumë më i rëndësishëm se gjuha shqipe, e cila po bëhet e huaj, për të mos thënë se është bërë. Megjithatë, ka plot studentë që flasin, shkruajnë, e lexojnë shkëlqyeshëm shqipen, dhe e vetmja shpresë e jona është që numri i tyre të shtohet dhe të mos lindë më nevoja për të rilexuar mbi të njëjtin shqetësim.

Fiona Kopali

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW