Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Biçikleta, zgjidhja për një qytet më të jetueshëm

Në një kthesë ironike të fatit, shoqëritë më të industrializuara moderne po kuptojnë se lakmia njerëzore për komoditet po paguhet me një çmim të shrenjtë nga planeti ynë, e po përpiqen të rikrijojnë një jetë më të thjeshtë dhe idilike. Këto shtete, të përqendruara kryesisht në Europën veriore dhe veri-lindore, kanë ndërmarrë sfida që fillojnë nga riciklimi dhe ripërdorimi i mbetjeve industriale dhe njerëzore deri në minimizimin e ndotjes së mjedisit. Në këtë luftë kundër makinave, naftës dhe smogut, një rol kryesor e luan edhe biçikleta, e cila është një mjet i hershëm që i shërben si shëndetit individual ashtu edhe shëndetit mjedisor.

Në Shqipëri e sidomos në Tiranë, biçikleta ka një përdorim të gjerë, por të pallogaritshëm kur krahasohet me kushëriren e saj me katër rrota – makinën. Në vitet 2008-2012, Shqipëria ka importuar biçikleta dhe pjesë këmbimi me vlerë 3.7 milion dollarë. Automjetet e importuara në të njëjtën periudhë kanë kushtuar 880 milion dollarë. Ndërkohë kjo shifër është rritur sepse sipas INSTAT në vitin 2012 në Shqipëri ka patur 394 485 mjete të transportit rrugor, ndërsa në vitin 2015 numëroheshin 522 066 të tilla. Prandaj qytetet më të populluara të Shqipërisë vuajnë nga trafiku dhe smogu.

Statistika të mëtejshme zyrtare për përdorimin e biçikletave në Shqipëri janë të pakta, duke bërë burimin më të besueshëm për pyetje dhe informacion Lëvizjen Ecovolis, e cila synon të përmirësojë ajërin e ambjentin përmes fushatave sensibilizuese dhe jep biçikleta me qira në pika të ndryshme të Tiranës. Në lidhje me grupmoshën më të gjerë të çiklistëve, Ened Mato, Drejtor i Ecovolis, thotë: “Çiklistët e përditshëm janë baballarët tanë. Ata që kanë një jetë mbi biçikletë dhe nuk e ndërrojnë për asgjë. Të dytët janë fëmijët të cilët e kanë lojën e jetës dhe e dashurojnë pa kushte biçikleten. Të rinjtë janë të tretët, por edhe më të vërtetët”.

Por me çfarë përballen çiklistët në Tiranë?

Kryesisht, me infrastrukturën. Problemi nuk qëndron thjesht tek mungesa e korsive të dedikuara për biçikleta, por tek rrugët e ngushta, të pashtruara, e që zihen nga vargje makinash, kamionash dhe autobusash. Atje ku korsite e dedikuara ekzistojnë, del në pah një tjetër problem – ai i mentalitetit të këmbësorëve. Njerëzit ecin mbi korsitë e dedikuara, ndalojnë e diskutojnë ose presin autobuzin mbi to deri në momentin që dëgjojnë zilen e çiklistëve të irrituar që ju afrohen me shpejtësi. Jo më pak i rëndesishëm është problemi i moszbatimit të rregullave të qarkullimit, si nga shoferët, këmbësorët por edhe vetë çiklistët. E. Muça, i cili e ka përdorur biçikletën që në moshën 5-vjeçare, e prezanton problemin më konkretisht.

“Isha vonë për në punë dhe po nxitoja gjatë gjithë kohës. Po pedaloja në korsinë e biçikletave tek Rruga e Dibrës, paralelisht me një autobus. Nuk kisha si të shikoja nëse dikush po pret rrugen atje ku nuk duhet, thjesht po i ruhesha vijave të bardha,” tregon ai. “Ndodhi që një person preu rrugen para autobus dhe une nuk e pashë fare. Në momentin që ai eci mbi korsinë e biçikletave, une nuk frenova dot në kohë, sepse isha shpejt por edhe se biçikleta ime ka vetëm frenat e para. Sigurisht që u përplasëm, edhe këmbësori u vra më shumë se unë, edhe pse nuk kisha kokore që të më mbronte. Isha me fat.”

Ndërgjegjësimi që do sjelli zgjidhjen e problemit duhet të ndodhi në mendjen e të gjithëve qytetarëve, duke filluar nga mënyra dhe vendi ku kalojmë rrugën, e deri tek kujdesi që tregojmë ndaj vetes me mjete mbrojtëse si kokorja apo frenat funksionale.

Bashkia e Tiranës ka treguar se fundmi gatishmëri për të lehtësuar lëvizjen me biçikleta, duke ndërtuar më shumë kilometra korsi të dedikuara. Kryebashkiaku Erion Veliaj, në faqen e tij Twitter, u shpreh se “do nisim koristë e dedikuara të biçikletave me panele mbrojtëse ku s’hyn makina.”

Kësaj përpjekjeje duhet t’i pergjigjemi me të njëjtin dedikim dhe inteligjencë, duke bërë ç’të kemi në dorë për një harmoni mes të gjithëve. Ened Mato nga Ecovolis e përmbledh këtë thirrje sensibilueze më mirë se askush, duke thënë se “shoferë apo çiklistë nuk ka ndryshim, të dy jemi njerëz dhe njerëzit kanë prioritet absolut. Nëse makina ka mundësinë të vrasi çiklistë, çiklistët kanë aftësinë t’i japin ajër qytetit. Këtu peshorja anon në të gjitha kuptimet nga çiklistët. Duhet respekt reciprok. Tirana ka nevojë më shumë se kurrë për biçikletat. Me dashurinë për të ardhmen e qytetit të gjelbër, duhen sakrifica nga të dyja komunitetet.”

Autore: Sidonja Manushi

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *