Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mjekët: Tani është vonë për të bërë vaksinën anti-grip

Jemi ende në pikun e epidemisë së gripit AH3N2 dhe shumë prej nesh kemi nevojë të dimë se ku të drejtohemi, si ta prandalojmë apo kurojmë. Mjekja infeksioniste e Qendrës së Specialiteteve Nr. 2 në Tiranë, Dr.Sabahete Dedja jep disa këshilla të vlefshme për lexuesit e Citizens Channel.

Si është fluksi i pacientëve në zyrën tuaj këto ditë epidemie?

Mund të them me gojën plot që është një paradoks i sëmundjeve infektive. Për gripin e sivjetëm dhe shumë sëmundje të tjera infektive pacientët që duhet të paraqiten tek ne, nuk paraqiten. Ne zakonisht punojmë me atë që quhet sistemi i referimit. Pacienti vizitohet tek mjeku i familjes, mjeku i familjes e gjykon në mënyrën më të drejtë nëse ky pacient është për t’u dërguar tek specialisti apo është për tu kthyer në shtëpi me mjekimin me simptomatikë. Rastet që vijnë tek specialisti normalisht janë format e mesme dhe të rënda të gripit, ose kur gripi komplikohet atëherë këto janë rastet që duhet të paraqitet në spital. Por referimin për spital e bëjnë specialistët infeksionistë. Në Tiranë, për fatin e mirë ndodhen katër qendra të mëdha specialitetesh të cilat kanë mjekë infeksionistë paradite dhe pasdite. Në specialitetet e Tiranës numri i rasteve të paraqitur me grip qoftë të formës së mesme, të rëndë apo me komplikacione të gripit është minimal. Nuk shfrytëzohen këto specialistë infeksionistë që janë të shërbimit ambulator por mbingarkohen spitalet në mënyrë të tillë sa jo vetëm krevate që nuk ka, por dhe karriget nëpër korridore janë plot.

Cilat janë këto qëndra specialitetesh?

Specialitetet në Tiranë janë: Specialitetet nr 1 që ndryshe i themi Iraniani, (afër ministrisë së Jashtme), Specialitetet nr. 2 që janë 21 Dhjetori, Specialitetet nr. 3 ose Poliklinika Qendrore dhe Specialitetet nr. 4 në Paskuqan, qendra të cilat mbulojnë të gjithë territorin e Tiranës bashkë me fshatrat.

Do të ishte ndryshe situata nëse fluksi i parë do të mbërrinte në këto qendra specialitetesh dhe jo në spital?

Them që do të ishte menaxhim më i mirë i situatës sepse nuk do të mbingarkoheshin spitalet. Mbi të gjitha ne jemi specialistë siç janë edhe ata të spitaleve dhe në lidhje me sëmundjet infektive ky paradoks ndodh si me gripin, zjarrin e natës, shytat dhe variçelën. Shumë sëmundje infektive ne i shohim të ndara në specialitete të tjera ose që nuk përfundojnë tek infeksionisti.

Sa pacientë keni pasur dje?

Me sinqeritet po ju them ose po t’i hidhni dhe një sy regjistrit, unë dje kam pasur vetëm një rast në të gjithë këtë fluks të sëmurësh. Por mesa kam biseduar edhe me kolegen e Poliklinikës Qendrore edhe atje gjendja pak a shumë është e njëjtë.

Cilat janë simptomat e këtij gripi?

Gripi i sivjetëm është shkaktuar nga virusi AH3N2. Ndodhemi në epidemi, që do të thotë që është një numër shumë i madh rastesh të përhapura në Tiranë dhe në të gjithë Shqipërinë. Rastet paraqiten me dhimbje koke, temperaturë të lartë e cila është 39-40 gradë, nganjëherë në moshat e reja ka kaluar edhe 40 gradët, shoqërohet me sekrecione të ujshme nga hundët me gjendje të përgjithshme jo të mirë, kollë e cila ndonjëherë është me gëlbazë.  Duhet të keni parasysh që edhe pasi përmirësohet gjendja gripale, kolla ngelet deri në 1 ose 2 javë pas kalimit të simptomave të gripit. Nëqoftëse gripi është i pakomplikuar, kolla mund të shoqërohet pa rikthim të temperaturës. Nëqoftëse kolla shoqërohet me rikthim të temperaturës atëherë kemi dy lloje komplikacionesh: infeksione të rrugëve të sipërme dhe të rrugëve të poshtme të frymëmarrjes. Tek rrugët e sipërme gripi komplikohet me infeksion të veshit, me infeksion të veshit të mesëm apo të veshit të brendshëm, me infeksion të grykës, të bajameve, të sinuseve si dhe faringut e laringut. Ndërsa infeksionet e rrugëve të poshtme pulmonare janë infeksione të bronko-pneumonisë apo të pneumonisë.

A ka një kurë për këtë grip?

Dua të theksoj që të sëmurët që vuajnë nga sëmundje kronike janë shumë të predispozuar për të bërë komplikacione. Kura ideale në këto raste do të ishte kura me simptomatikë, që do të thotë sipas gjendjes së të sëmurit jepen edhe ilaçet, me ose pa antibiotikë. Me antibiotikë në pjesën më të madhe të rasteve kur kemi pneumoni, bronko-pneumoni ose infeksion urinar.

Ka dy kategori: ata që alarmohen shpejt dhe marrin menjëherë antibiotikë ndonjëherë edhe pa shkuar tek mjeku, dhe ata që neglizhojnë dhe rrinë në shtëpi. Çfarë do t’u rekomandonit?

Marrja para kohe e antibiotikëve kur është vetëm një gjendje virale dhe nuk ka filluar mbivendosja e mikrobeve të tjera në terrenin e gripit nuk parandalon asgjë. Antibiotiku nuk e vret virusin por vetëm mbingarkon organizmin. Antibiotiku i krijon kushte virusit të shumohet më shumë ose të përkeqësojë gjendjen më shumë. Ndërsa në lidhje me personat që rrinë gjatë në shtëpi: mesatarja për të qendruar në shtëpi nëse gripi është i formës së lehtë ose të mesme është tre ditë. Në ditën e katërt nëqoftëse temperatura nuk bie, nëqoftëse gjendja e përgjithshme nuk përmirësohet, është stabile ose përkeqësohet, atëherë duhet patjetër konsultë me mjekun. Vetëm një porosi do të jepja për të gjithë shërbimin ambulator të Tiranës, le ta dëgjojnë edhe specialistë të ministrisë së Shëndetësisë: sëmundjet infektive janë sheshit, bredhin nëpër të gjithë qytetin edhe fshatrat por nuk shkojnë tek specialisti i duhur.

Në këtë situatë epidemie, a është vaksina shpëtimi?

Vaksina është shumë e mirë kur bëhet në kohën e duhur. Tani nuk e ka efektivitetin 100% siç do të ishte bërja e saj në fund të tetorit apo në fillim të muajit nëntor. Për të krijuar imunitetin, organizimit i duhen disa javë. Përshembull, nëse personi bën sot vaksinën por ndërkohë bie në kontakt me virusin gjatë kësaj jave dhe e merr virusin, kjo vaksinë nuk e mbron sepse nuk ka arritur koha e përshtatshme, nuk është krijuar imuniteti në organizëm për t’u mbrojtur nga shtamet e virusit të cilat i kemi marrë me anë të vaksinës.

A është kjo epidemi ndër më të rëndat e viteve të fundit?

Epidemitë e çdo viti kanë qenë të tilla sepse ne i klasifkojmë në raste sporadike, raste të shprehura, epidemi ose pandemi. Epidemia e sivjetshme është rënduar sepse temperaturat e ulëta e favorizojnë shumë virusin.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *