Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Kur vdekja apo gjymtimi vijnë nga mjekimi i gabuar

Pas çështjes së pronave, proceset hetimore dhe gjyqësore që zgjasin më tepër në Shqipëri janë ato dosje që kanë të dyshuar mjekët për mjekim të pakujdesshëm. Kjo pasi bërja e një sërë ekspertizash nga mjekët eksperto-ligjorë dhe dëgjimi i tyre në seanca kërkon kohën e duhur në mënyre që trupa gjyqësore të kuptojë konceptet mjekësore se çfarë ndodh në korridoret e spitaleve.

Në pak raste gjykata e kryeqytetit ka dënuar me burg mjekë që për shkak të pakujdesisë kanë dëmtuar pacientët apo iu kanë marrë atyre jetën, ashtu si rast i të miturit D. A, i cili u dërgua në Spitalin Francez pranë QSUT nga prindërit për një operacion plastik në sy, por që doli nga salla e operacionit i pajetë. Rastet me flagrante janë ato të vdekjes së grave shtatzana në spitale dhe të diabetikëve, për të cilët pasi janë hetuar është konstatuar se mjekët në disa raste kanë shkelur protokollin mjekësor.

Gjinovefa Polovina është pacientja e fundit e cila u bë shkak për hapjen e hetimeve e më pas dërgimin në gjykim të një mjeku, nën akuzë për mjekim të pakujdesshëm. Gruaja e cila vuante më herët me problemet shëndetësore të gjymtyrëve, e më konkretisht të këmbës së majtë, fillimisht ka kryer vizita dhe ndërhyrje kirurgjikale në Stamboll. Por pasi mjekët turq i vendosën protezë, shqetësimi i saj shëndetësor nuk gjeti zgjidhje.

Prokuroria thotë se më dhjetor 2012 gruaja është operuar pranë një spitali privat ku dhe i është rivendosur një protezë e re. Por situata e Polovinës është përkeqësuar më shumë, në çdo hap që hedh gruaja ndjen dhimbje dhe ecën me vështirësi. Prokuroria thotë se mjeku që e ka kryer ndërhyrjen është shtetasi grek Ch. Angeledis, i cili do të gjykohet për dëmtim të shëndetit të pacientes. Por ndërsa doktori do të gjykohet nga gjykata e Tiranës në gjendje të lirë, atij i është marrë edhe dëshmia nga organet e hetimit.

 

Angeledis këmbëngul se nuk ka asnjë gabim teknik prej tij gjatë operacionit, version i cili kundërshtohet nga ekspertët e mjekësisë ligjore. Pas ekspertizës pala shqiptare konkludon se operacioni për vendosjen e protezës nuk është kryer në mënyrë korrekte mjekësore. Sa më sipër thotë prokuroria ‘nuk ndodhemi para rrezikimit të jetës së pacientes por të dëmtimit të rëndë të saj’. Mjeku i njohur si kirurg ortoped me veprimet e tij nga pakujdesia në formën e besimit të tepruar apo në formën e neglizhencës ka kryer mjekim të pakujdesshëm.

Rastet e ngjashme

Por rasti i Polovinës nuk është i vetmi që ngjan gati gati paradoksal. Rasti i një vajze me inicialet N. Kapo e cila u operua në një spital privat në Tiranë i la të shtangur mjekët italianë të cilët konstatuan se në fakt mjekët shqiptarë kishin kryer operacion por nuk e kishin hequr masën tumoriale. Vajza denoncuese kallzoi në atë kohë mjekun Dorian Bozaxhi, me profesion kirurg i përgjithshëm. Por gjykata e dënoi atë me shërbim prove për shkak të kushteve familjare.

Mjeku italian Tullio Simoncini u dënua në mungesë nga gjykata për të njëjtën vepër, pas vdekjes së pacientit Luca Olivotto pas trajtimit në “Universal German Hospital Albania” në Tiranë. Simoncini sëbashku me kolegun e tij Roberto Gandini (ky i fundi u shpall i pafajshëm), “ofronin” mjekimin e pacientëve me tumor përmes një recete të prezantuar në rrjetet sociale që ishte mjekim me sodë buke përmes instalimit të një katateri në trup.

Gjatë betejës gjyqësore prokuroria solli dëshmitë e familjarëve të të ndjerit të cilët rrëfyen se Luca ishte përkeqësuar menjëherë pas dozës së parë, megjithëse mjekët i kishin qëtesuar se ai do të stabilizohej. Dy mjekë të mjekësisë ligjore thanë në gjykatë:

 “Pasi ka filluar trajtimin e tumorit me bikarbonat natriumi gjendja shëndetësore e shtetasit Luca Olivotto është rënduar. Në sistemin respirator administrimi i bikarbonatit të sodiumit sjell rritjen e presionit në mushkëri si rezultat i rritjes së përqëndrimit të CO2 në gjak dhe pa një ventilim të përshtatshëm shfaqet acidoza sistemike me pasoja fatale. Në sistemin nervor futja e bikarbonatit të sodiumit shkakton irritim, paraliza, gjakrrjedhje intraventrikulare (si rezultat i premeabilitetit të rritur të barrierës cerebrale për hidrogjenin sesa për bikarbonatin pH i lëngut cerebrospinal mund të ulet ndjeshëm dhe çon në gjendje stupori dhe kome). Trajtimi i tumorit-oligodentroglioma e gradës së dytë nuk është bërë në mënyrë të saktë shkencore sipas protokolleve bashkëkohore. Vdekja e shtetasit Luca Olivotto ka ardhur nga edema pulmonare akute në një subjekt me tumor malinj të trurit, i trajtuar me bikarbonat natriumi”.

 Propozimet ligjore

Mos dhënia e ndihmës së parë nga mjekët apo nga çdo punonjës tjetër mjekësor është një nga figurat e reja që janë parashikuar të futen si vepra penale në propozimet e shpërndara nga Ministria e Drejtësisë për disa ndryshime në Kodin Penal. Në një rast të tillë kjo do të konsiderohet si krim dhe parashikohet të jetë i dënueshëm me gjobë apo burgim deri në një vit.

Të dënueshme propozohen të jenë edhe mashtrimi me trajtimin mjekësor atëherë kur mjeku nuk ka kualifikimin e duhur, sikurse edhe ushtrimi i mjekësisë alternative nëse ushtrohet pa lejen e autoriteteve shëndetësore dhe nëse shkaton pasoja tek pacientët është e dënueshme me gjobë.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *