Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Mbetjet spitalore të rrezikshme mbushin koshat e mbeturinave në zona urbane

Në Shqipëri ekzistojnë katër ligje për administrimin e mbetjeve spitalore por nisur nga një investigim i Citizens Channel zbatimi i tyre është i dyshimtë. Duke i konsideruara të rrezikshme, ligji parashikon se në rast se nuk trajtohen si duhet, pra nëse nuk magazinohen deri sa të incinerohen (shkatërrohen), shkaktojnë jo vetëm rrezikimin e shëndetit të popullatës por edhe ndotje në mjedis.

Spitali publik i Senatoriumit ka rregulla të forta sapo futesh në portën e tij, që nga pagesa që duhet të japësh në rast se hyn me automjetin që duhet parkuar e deri tek oraret e caktuara për të takuar pacientët. Por kjo është vetëm dukja. Në pjesën e pasme të spitalit, një punonjëse e këtij spitali hedh në koshat e mbeturinave publike mbetjet spitalore, mes tyre tuba me gjak dhe mbeturina të infektuara siç janë shiringat shpuese, që sipas ligjit të shtatorit 2010 konisderohen mbetje spitalore të rrezikshme.

Sanitare e Senatoriumit duke hedhur mbeturinat në kosha publikë të mbeturinave. Foto: Citizens Channel

Hava Z. e cila kalon aty pranë për të blerë mish, pasi 30 metra më tej është një dyqan mishi, shprehet e shqetësuar. Ajo nuk e ka idenë e rrezikut që vjen nga këto mbetje pasi i mungon informacioni, por ajo flet në mënyrë popullore. Gruaja ka frikën e qenve se mos kërkojnë në këto kosha e më pas mund të ndodhë që fëmijët të infektohen prej kafshëve. Kjo banore e Saukut tregon se qese të tilla flaken shpesh në kosha, që siç i përshkruan janë tuba, shiringa, dorashka dhe shishe faramaceutike, edhe këto në fakt të ndaluara me ligj për tu hedhur në ambjent të hapur.

E njëjta gjendje është edhe në Spitalin e Traumës, mbetjet hidhen hapur dhe pa frikë nga stafi i mirëmbajtjes në koshat publikë. Aty në fakt mund të hidhet gjithçka përveç tyre.

Në koshat e mbeturinave mbrapa Spitalit të Traumës duken qartë mbetjet spitalore. Foto: Citizens Channel

Rasti i denoncuar

Por ndërsa për spitalet e mësipërme ata që ankohen janë banorët, të cilët shqetësohen së tepërmi nga kafshët që mund ti infektojnë njerëzit, një spital i ri i hapur në afërsi të ish-Qytetit të Nxënesve është kthyer në problem për një nga kompanitë që kryen shërbimet e pastrimit të pjesës perëndimore 3 të kryeqytetit.

Citizens Channel siguroi ekskluzivisht një shkresë të një kompanie pastrimi e cila vë në dijeni Bashkinë e Tiranës për hedhjen e këtyre mbetjeve spitalore nga ky spital. Shkresa mban datën 14 shkurt 2017 dhe përmes saj kompania Alko Impex General Construction kërkon nga Bashkia e Tiranës të ushtrojë autoritetin e saj që në koshat publikë afër këtij spitali të mos hidhen mbetje spitalore.

Pjesë nga dokumenti i dërguar në Bashkinë e Tiranës nga kompania Alko Impex General Construction

Dokumenti thotë: “Së pari në ushtrimin e punës tonë në shërbimin e pastrimit të rrugëve kemi konstatuar një problem gjatë procesit të grumbullimit të mbetjeve tek Qyteti i Nxenënsve pranë një spitali privat, ku përtej rritjes së konsiderushme të mbetejve që krijohen në mënyre permanente, çdo ditë ky spital në mënyrë të posaçme, krijon  edhe mbetje spitalore, të cilat klasifikohen të ndryshme nga ato të cilat shoqëria jonë është e autorizuar të trajtojë, duke cënuar në këtë mënyrë jo vetëm cilësinë e shërbimit, por duke krijuar edhe problematika të tjera sociale. Kërkojmë nga ana juaj të merren masat e duhura urgjentisht në këtë drejtim dhe të na krijoni lehtësi në procesin e punës sonë.”

Siç investigoi më pas Citizens Channel, Bashkia e Tiranës përmes Drejtorisë së Përgjithshme të Punëve Publike i është drejtuar menjëherë Inspektoriatit Shtetëror Shëndetësor dhe Inspektoriatit Shtetëror të Mjedisit për të verifikuar situatën pranë Spitalit Amerikan 3, që ndodhet në rrugën Konferenca e Pezës.

Citizens Channel e investigoi problematikën në koshat e mbeturinave në afërsi të këtij spitali dhe përveç mbetjeve urbane objektivi i kameras tonë fikësoi edhe mbetje spitalore (shihni foton më poshtë). Por ligji themelor i vitit 2011 thotë se mbetjet spitalore duhet të mbahen të magazinuara në një vend të posaçëm dhe transporti i tyre duhet kryer me mjete të posaçme dhe sipas rregullave të caktuara.

Sanitarja e infektuar

Katër vjet më parë një punonjëse e pastrimit në spitalin civil hapi padi pikërisht pas një aksidenti në punë. Gruaja u shpua me një nga shiringat e hedhura në koshat e spitalit dhe pas kësaj pretendoi se ishte sëmurë me verdhëz duke kërkuar edhe dëmshpërblim. Por megjithë procesin e rrallë dhe pretendimin e saj Maria nga Puka dhe me banim në Allias u tërhoq nga procesi me argumentin se kishte gjetur gjuhën e duhur me palën e paditur, çka solli edhe pushimin e dosjes.

 Mbetjet siptalore problem edhe në qytetet e tjera të Shqipërisë

Në një raport mbi menaxhimin e mbetjeve spitalore në pesë qytete të vendit të publikuar në nëntor të vitit 2014 nga Rrjeti i Vigjilencës Mjedisore “Një sy për mjedisin!” dilej në përfundimin se ‘87% e subjekteve prodhuese të mbetjeve spitalore përgjigjen që i njohin detyrimet ligjore që duhet të përmbushin në sektorin ku punojnë, por ndërkohë pjesa më e madhe e tyre nuk i zbatojnë ato. 27% e tyre nuk janë të pajisur me leje mjedisore dhe 64% e tyre nuk i administrojnë, mbetjet spitalore që prodhojnë, por më e keqja e konstatuar është se e gjithë kjo ndodh në të shumtën e rasteve me vullnet dhe dëshirë të plotë. Duhet të përmendim se ka përpjekje sporadike për vullnet të mirë dhe ndërgjegjësim sikundër është rasti i bashkëpunimit me spitalet; apo rasti i subjekteve që kontraktojnë për shërbimin e trajtimit të këtyre mbetjeve edhe pse përfaqësojnë vetëm 32%.’

Në Tiranë janë aktualisht janë 809 subjekte që prodhojnë mbetje spitalore, si spitale private e publike, klinika dentare, klinika të specialiteteve të tjera dhe laboratorë. Ndërsa në rang vendi janë rreth 1500 subjekte të tilla.

Problem edhe mbetjet farmaceutike

Po sipas raportit të nëntorit 2014 akoma më problematike është situata e mbetjeve farmaceutike. Në vendin tonë ato ‘nuk trajtohen nga asnjë nga kompanitë e liçensuara për trajtimin e mbetjeve spitalore. Si rrjedhojë mendojmë që kjo kategori në vend nuk trajtohet fare, ose trajtohet nga subjekte që punojnë jashtë kushteve ligjore.’

Gjendja nuk ka ndryshuar as dy vjet më pas. Qendra EDEN në muajin nëntor dhe dhjetor te 2016 ndërmori një nisëm për të zhvilluar një studim në lidhje me menaxhimin e mbetjve farmaceutike në Tiranë. Sipas studimit vetëm ‘një numër shumë i vogël i farmacive deklaruan që kanë kontratë me një subjekt trajtues dhe 60% e të intervistuarve u shprehën se ata nuk kanë kontrata me një subjekt trajtues’.

Për studimin u zhvilluan intervista në 73 farmaci (nga 730 që ka në gjithë Tiranën) ‘në lidhje me procedurën e mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve farmaceutike. Bazuar në legjislacionin aktual për menaxhimin e mbetjeve spitalore dhe farmaceutike, çdo farmaci është e detyruar të jetë e lidhur me një subjekt që trajton mbetjet farmaceutike në mënyrë që mbarëvajtja e sistemit të menaxhimit të funksionojë ashtu siç duhet’.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *