Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reportazh/ Të braktisësh Lurën, për të jetuar në helmin e Sharrës

Caje Vladi, e mban mend shumë mirë fushën e bukur që i shtrihej para syve kur erdhi nuse në zonën e Sharrës para 50 vitesh. Lindur e rritur pak kilometra më tutje në fshatin Damian, ajo kujton jo pa merak se si fusha e gjelbëruar e dikurshme, tashmë është kthyer në makthin e të gjithë zonës sepse po i vret dalëngadalë. Bëhet fjalë për vendgrumbullimin e mbeturinave në Sharrë.

“Në fillim e kishim shtëpinë lart në kodër dhe menduam që për më mirë të zbrisnim këtu poshtë, – na tregon Caja, tashmë një grua në moshë. – Dhe ndërtuam në fund të viteve 80-të këtë shtëpinë këtu (që është vetëm pak metra larg hyrjes kryesore të Sharrës). Por ta dinim që do të ndodhte kjo gjë, nuk do të lëviznim kurrë. Më mirë atje lart në kodër, sepse këtu është tmerr i vërtetë”, na thotë ajo.

Caje Vladi duke folur për Citizens Channel

“Po pse jetohet kështu? – vazhdon më tej ajo. – Këtu nuk ka ajër, por helm. Nuk guxojmë të hapim njëherë dritaret e shtëpisë që të na ajrosen, pasi na futet në shtëpi jo vetëm një ajër i qelbur, por edhe na sëmur. Këtu nuk preket asgjë me dorë, edhe nga uji kemi frikë, edhe nga toka kemi frikë, po nuk kemi ku të shkojmë”, – thotë Caja e cila më tutje tregon se madje njërën nga mbesat e vogla iu desh ta çonin për kurim në Itali. “Kam hallin e këtyre të vegjëlve, se ku po rriten”, – thotë Caja. “Ne të gjithë të sëmurë jemi”, – përfundon ajo.

Thuajse ngjitur me fushën ku depozitohen të gjitha mbeturinat që prodhon Tirana, në Sharrë, është ndërtuar një lagje e tërë e re. Shumica të ardhur pas viteve 90-të nga zona e Dibrës, kanë investuar të gjithë pasurinë e jetës duke ndërtuar vila luksoze. Një pjesë punojnë vetë brenda fushës së Sharrës, por për ta jetesa këtu është një ferr i vërtetë.

“Kur kemi ardhur në fillim të viteve 90-të nuk ishte kështu, por tani unë ta them me bindje se këtu nuk jetohet. Pjesa më e madhe jemi nga Lura dhe imagjino të jetosh këtu. Sikur të kisha mundësi do të ikja sa më parë që këtu”, – thotë njëri nga banorët e zonës, por që nuk do të identifikohet pasi punon brenda në landfill dhe i druhet ndonjë mase nga punëdhënësi.

Ndotja kalon kufijtë e Sharrës

Ali Çoka, i cili në viti 2010 ishte pjesë e një grupi që analizuan për pëmbatje të lëndëve të dëmshme shllamin (që është ekstrakti ujor që del nga dekompozimi i mbeturinave) na thotë se rrezja e kontaminimit është shumë më e gjerë se vetëm banorët përreth.

“Dihen efektet që ka Sharra dhe zona e rrezikut shkon deri në Kombinat dhe për më tepër është i ndotur i gjithë pellgu i lumit Erzen, pasi aty përfundon shllami. Rreziqet janë që nga ndotja e ajrit, e deri te depërtimi i helmeve nëntokë, në ujërat e qytetit”, – na thotë ai. Në fakt monitorimi në fjalë identifikoi 15 mbetje metale të rënda vetëm dy vite pas ndërtimit të këtij landfilli në 2008-ën, ndërkohë që 9 vite më pas gjasat janë që ndotja të jetë rritur disa herë më shumë.

Por çfarë ndodh në Sharrë? 

Landfilli i Sharrës është ndërtuar në vitin 2008, dhe çdo muaj aty hidhen rreth 30 mijë ton mbetje organike dhe inorganike. Situata është kaq alarmante për faktin se mbetjet shkojnë të përziera dhe jo të ndara, çka do të ulte edhe nivelin e lartë të dekompozimit.

Në fillim të 2016-ës kryebashkiaku Erion Veliaj premtoi punësim për rreth 450 persona në vendepozitimin e Sharrës, që do t’i jepte fund edhe luftës për mbetjet në Tiranë. Por në të vërtetë situata është krejt ndryshe.

Nga një vëzhgim nga afër i “Citizens Channel”  duket qartë që në fushën e Sharrës është e pamundur të ndalosh të futen “kundravajtje” edhe qindra pjestarë të komunitetit Rom që punojnë për hesap të vet dhe nuk pranojnë të jenë pjesë e stafit me sigurime dhe kontrata pune.

Mbetje plastike gati për tu çuar për riciklim

Rrethimi me tela është hequr në një perimetër të konsiderueshëm dhe thuajse 200 pjesëtarë të komunitetit Rom punojnë fare pranë punonjësve të kontraktuar për diferencimin e mbeturinave. Që më pas i ngarkojnë në karrocat, i nxjerrin nga fusha e Sharrës dhe i çojnë në pikat e riciklimit që ndodhen përreth landafillit.

 “Jemi rreth 200 veta që punojmë, megjithëse këta të bashkisë herë na lënë e herë jo”, – na thonë një grup të rinjsh Rom që po shkojnë të marrin mbetjet që kanë ndarë (shishe plastike, mbetje kartoni dhe më rrallë qelqi). “Pse budallenj jemi ne të punojmë për bashkinë? – na thonë ata kur i pyet pse nuk futen me kontratë. – Bashkia i paguan 8 mijë lekë të vjetra në ditë, ndërkohë që në vetë nxjerim minimumi 15 mijë lekë të vjetra në ditë, por shkojmë edhe 20 mijë lekë të vjetra në ditë”, – shpjegojnë ata.

Sëmundjet e mushkrive   

Sëmundjet e mushkrive janë rritur ndjeshëm vitet e fundit. Spitali i mushkrive “Shefqet Ndroqi” raporton mbi 50 mijë persona që kanë probleme me mushkritë në vit, ndërkohë që Dispanceria e Tiranës raportoi më shumë se 35 mijë vizita në fund të 2015-ës.

Ndërkohë që një studim i ISHP-ë për sëmundshëmrinë e popullatës shqiptare, niveli i vdekshmërisë nga sëmundja pulmonare obstruktive kronike në Shqipëri është një nga më të lartit në rajon, ku përveç duhanpirjes shkaktari tjetër kryesor është ndotja e ajrit. Organizata Botërore e Shëndetësisë i atribuon ndotjes së ajrit, rreth 400 vdekje të parakohshme në vendin tonë.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *