Nivele të larta dioksidi karboni, të pa ajërosura mirë, klasa të ftohta, të mbushura me myk dhe lagështirë. Këto janë kushtet në të cilat mësojnë nxënësit në shkollat shqiptare. Pjesa më e madhe e problemeve vijnë për shkak të mbipopullimit të klasave dhe materialeve jo të mira të ndërtimit. Si pasojë nxënësit kanë shpesh dhimbje koke, lodhje, vështirësi në përqëndrimin në mësim e deri tek irritimi i syve. Përfundimet janë nxjerrë nga një raport monitorimi i Bankës Botërore në bashkëpunim me Institutin e Shëndetit Publik.
Ema ndjek klasën e parë te shkolla “Emin Duraku” në Tiranë. Klasa e saj, ndonëse një ndër më të mëdhatë e kësaj shkolle, sërish nuk u mjafton 38 nxënësve që e ndajnë çdo ditë. E mobiluar me kujdes me orenditë më të domosdoshme që duhen për mbarëvajtjen e mësimit, çdo gjë që shton brenda mureve të klasës “u hyn në pjesë” sipërfaqes që duhet të ketë çdo nxënës për të siguruar një ambient të përshtatshëm. Në shkollën “Emin Duraku” këtë vit u hapën 5 klasa të para, me të paktën 34 nxënës.
“Nuk lëvizim shumë. Jemi shumë nxënës dhe përplasemi me njëri-tjetrin”, na tregon me të qeshur Ema, të cilës i duket argëtuese kjo gjë.
Por mbipopullimi i shkollave ka vite që është shndërruar në gangrenë për qytetin e Tiranës. Madje në disa shkolla të mesme numri i klasave paralele mund të shkojë edhe deri në 9-11 për një vit, dhe të gjithë klasat janë të tejmbushura e si pasojë mësimi ende zhvillohet me turne.
Monitorimi i Bankës Botërore
Por mbipopullimi i klasave, nuk është vetëm një problem mbarëvajtje në mësime. Sipas Bankës Botërore mbipopullimi mund të dëmtojë shëndetin e nxënësve. Në dimrin e vitit 2011-2012, Banka Botërore në bashkëpunim me ISHP-në përfshiu Shqipërinë, për të parën herë, në një studim pilot për vlerësimin e ekspozimit të nxënësve ndaj rreziqeve mjedisore në shkolla. Dhe rezultatet nuk ishin aspak optimiste.
Dioksidi i karbonit është njëri prej elementëve që ka rezultuar në nivele shumë të larta gjatë kohës që nxënësit zhvillonin mësim. Ndërkohë që niveli i CO2 përgjysmohej gjatë 5-minutëshit të pushimit. Kjo si pasojë e numrit të madh të nxënësve në një klasë dhe ventilimit të dobët. “Nivelet maksimale të CO2 varionin nga 2800-5800 ppm (5200 – 10800 mg/m3) gjatë orëve të mësimit në shumicën e klasave, duke rënë në 1000-2500 ppm (1800- 4500 mg/m3) gjatë pushimeve të vegjël e të mëdhenj dhe 400-800 ppm (750- 1500 mg/m3) gjatë natës”, thuhet në raportin e monitorimit të BB-së dhe ISHP-së. Për ekspertët e mjedisit “ky nivel është mjaft i lartë e i palejueshëm higjenikisht dhe flet qartë për mbingarkesën e klasave me nxënës”.
Një tjetër problem ishte ajrosja e pamjaftueshme e shkollave. Sipas këtij raporti monitorimi, shkalla mesatare e ventilimit gjatë orëve të mësimit ishte 1 litër për sekondë për person (lpspp), disa herë nën nivelin e rekomanduar prej 7 lpspp në vendet e BE e në SHBA. Po ashtu 41 % e klasave kishin lageshti ose myk.
Temperatura mesatare në klasa gjatë orëve të mësimit varionte nga 9 gradë celcius, në 14 gradë celcius. Ndërkohë që minimumi i mëngjesit ishte 6 gradë celcius. Po ashtu 95 % e paisjeve sanitare ishin të lidhura me ujin e rrjetit, por asnjëra nuk kishte letër higjienike ose sapun. Niveli i përmbajtjes së formaldehidës dhe benzenit është rreth dy herë më i lartë në ajrin e brendshëm të klasave, krahasuar me ajrin jashtë atje. Ekspertët e komentojnë si “shenjë të sigurtë e ‘ndotjes’ nga avullimet e paisjeve të klasave”.
Ekspertët
Agron Deliu, që ka marrë pjesë në këtë raport monitorimi shpjegon se lidhur me cilësinë e ajrit të brendshëm, “kushtet e shkollave në Shqipëri janë shpesh të pakënaqshme, për efekt të problemeve që lidhen me mungesën e ngrohjes në stinën e ftohtë, dritaret e vjetra, lagështinë e tepërt nga rrjedhjet e gjithfarëshme dhe mbingarkesën e klasave me nxënës”.
Sipas tij, “sasia e madhe e dioksidit të karbonit CO2 që rezulton nga ventilimi i pamjaftueshëm dhe numri i madh i nxënësve në klasa; lagështia e tepërt në strukturën e ndërtesave ose ajrin e brendshëm, që rezulton në zhvillimin e myqeve; avullimet nga materialet e ndërtimit dhe pajisjet e klasave bëhen shkak për krijimin e problemeve dhe shqetësimeve të përgjithshme te nxënësit, si dhimbja e kokës, lodhja dhe përqendrimi i dobët në mësim”.
Gjithashtu, ai sqaron se, gjatë qëndrimit në klasë hasen edhe raste të irritimeve të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes dhe syve, infeksione të sinusit dhe simptoma alergjike. Studimi u krye në qytetin e Tiranës dhe atë të Elbasanit si dhe Pezë. Ai përfshiu 12 shkolla fillore e të mesme, në të cilat u monitorua cilësia e ajrit të brendshëm dhe shkalla e ventilimit të çdo shkolle gjatë një jave mësimi, si dhe u inspektuan për prani myku dhe lagështie.
Studimet
Prej vitesh ekspertë të ndryshëm mendojnë se ka lidhje të qarta mes godinës së shkollës dhe performancës dhe sjelljeve të nxënësve. Mosha e ndërtimit të objektit, temperatura, ventilimi, akustika, ndriçimi, zhvillimi i kurrikulës, dhe madhësia e shkollës janë faktorët që gjithnjë e më shumë po gjejnë lidhje të drejtpërdrejtë me rezultatet në testet finale. Sipas tyre, nxënësit që mësojnë në kushte më të mira figurojnë me rezultate më të larta sesa ata që studiojnë në ndërtesa me kushte nën-standarde. Diferenca në rezultate shkon nga 5-17 %.
Autor: Citizens Channel
One Response
Jam ne kete foto. Ishte bere para covid-19