Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Video e Sharrës, si vriten dhe hidhen në plehra qentë endacakë të Tiranës

Ndonëse një ndër premtimet e para të Erion Veliajt në krye të bashkisë së Tiranës ishte se “ne nuk do të përdorim mënyra shtazarake për të zgjidhur problemet e shtazëve. Pra, ne nuk do t’i vrasim qentë e rrugës”, por duket se po ndodh krejt e kundërta. Një video e shpërndarë nga Viola Kusi, dhe që tashmë është bërë virale, tregon masakrën që bashkia e Tiranës po kryen ndaj qenve të rrugës.

Viola Kusi, që banon në afërsi të tregut Elektrik ka humbur në më pak se një muaj 7 nga 9 qentë e lagjes për të cilët ajo kujdesej çdo ditë. E alarmuar për zhdukjen e qenve të saj, Viola së bashku me anëtarët e familjes, ka nisur kërkimet për të gjetur vendin se ku mund t’i kishin dërguar, por është përballur me më të paimagjinueshmen: një masakër të vërtetë.

[facebook url=”https://www.facebook.com/viola.kusi/videos/1390313317714560/” /]

“Dy të fundit mi kanë marrë ditën e shtunë. Ka qenë ora 8 e 10 e mëngjësit pasi më thanë banorët e lagjes që kanë ardhur me furgon dhe i kanë marrë. Përveç tre qenve të mij që i mbaj në shtëpi, kisha edhe 9 qen të lagjes që kujdesesha për ta. U gatuaja, i vaksinoja, u jepja ilaçet për parazitë. Ata ishin shëndoshë e mirë dhe nuk përbënin asnjë rrezik, madje ishin të sterilizuar edhe nga vetë bashkia. Jam shokuar nga ajo që kam parë”, – tregon ajo për Citizens Channel.

Në fillim, pranë bashkisë i kanë thënë se qentë nuk janë vrarë, por bashkia u ka ndryshuar habitatin. “Më thanë se i kishin çuar në një qendër diku në Kombinat dhe aty shkuam të kërkonim. Filluam të pyesnim ata që kërkojnë nëpër kazanët e mbeturinave dhe na thanë që kot i kërkoni se i kanë vrarë dhe i hedhin te mbeturinat e Sharrës. Madje ata na thanë se Bashkia i paguan 5 mijë lekë të vjetra për çdo qen që ata vrasin apo helmojnë dhe më pas i çojnë në Sharrë. Njëri prej tyre, që nuk është pjesë e punonjësve të bashkisë që punojnë në Sharrë, por është pjesë e komunitetit rom dhe që futet brenda në landfill për të mbledhur kanaçe na bëri edhe atë videon e tmerrshme. Sipas tij, ata u bënë rreth 3 muaj që lëvizin me kocka të helmuara në xhep dhe në sharrë shkojnë çdo ditë rreth 3-4 makina me qen të rrugës. Bëhet fjalë që deri më tani mund të jenë vrarë rreth 300 qen. Aksioni ka nisur edhe në zonën e Liqenit Artificial, ku qytetarë të shumtë na kanë raportuar se i kanë parë duke u injektuar gjilpëra. Jam e sigurtë se i kanë vrarë, pasi janë zhdukur nuk janë rikthyer më. Madje dy prej qenve të mi, mi kanë marrë pikërisht ditën kur tek Liqeni bashkia organizoi panairin e kafshëve”, – na shpjegon Viola.

“Unë nuk e kuptoj këtë masakër, pasi i ka sterilizuar vetë dhe u ka vënë po pullën vetë, tani i vret. Kjo nuk ka kuptim fare, – na thotë Viola. – Nëse i kanë çuar diku tjetër, siç edhe pretendojnë nga bashkia, le të na tregojnë se ku i kanë çuar që të shkojmë dhe t’i shikojmë- sqaron Viola.

Viola Kusi me një nga qentë e saj. Foto: Private

Sipas Violës, problemi i qenve të rrugës nuk zgjidhet në këtë mënyrë. “Zgjidhja e vetme është sterilizimi dhe jo vrasja. Të hapen qendra strehimi, ku çdo gjë të bëhet në mënyrë vullnetare. Ka plot kafshëdashës që do të punonin me turne, bashkia të gjejë vetëm ambientet. Kështu e ka zgjidhur Torino dhe funksionon. Që të eleminohen të gjitha lindjet e reja, duhen së paku 25 vjet: çfarë do të bëjmë deri atëherë, do të vazhdojnë t’i vrasin në këtë mënyrë barbare?”, – pyet Viola.

Reagimi

Videoja e shpërndarë nga Viola Kusi tashmë është bërë virale dhe ka shërbyer për të sensibilizuar ata që i duan kafshët apo jo. Për këtë arsye është krijuar edhe grupimi “Të bashkuar për kafshët”, e cila do të nisë një lëvizje për mbrojtjen e dhe respektimin e të drejtave të kafshëve. Ata do t’u dërgojnë një peticion edhe të gjithë institucioneve ndërkombëtare për t’i vënë në dijeni për situatën në Shqipëri në mënyrë që t’i jepet fund njëherë e përgjithmonë kësaj situate alarmante.

Ekspertët

Krsitaq Bërxholi, pedagog pranë Veterinarisë në Universitetin Bujqësor na shpjegon se kjo situatë alarmante ka zgjidhje, por nuk ka predispozitë. “Nuk është fare çështje kostosh ekonomike, por është çështje predispozite. Kostoja ditore e ushqimit është vtëm 1 euro në ditë, por askush nuk e di me saktësi të thotë se sa qenë kemi ne dhe si është gjendja e tyre shëndetësore. Edhe sterilizimi që bëjnë këta nuk është zgjidhje. Pasi i sterilizojnë i lënë sërish të lirë së bashku me infeksionet që ata kanë, se problemi më i madh janë infeksionet që mbartin. Një studim i fundit që ne kemi bërë tek Universiti Bujqësor na ka rezultuar se një pjesë e qenve janë mbartës të infeksioneve të rrezikshme për njerëzit dhe këtu qëndron problemi. Ata duhet të mblidhen nëpër qendra të caktuara, të mjekohen në mënyrë që të mos përbëjnë problem infeksionesh. Ndërsa për qentë që komisioni i ekspertëve vendos se kostoja e trajtimit të infeksionit apo sëmundjeve është shumë më e lartë se sa mbajtja e tij në jetë, ata eleminohen. Vetëm nëse ndiqet kjo procedurë është gjetur zgjidhja, në të kundërt do të vazhdojmë që qentë e rrugës të jenë problem madhor i qytetit”, – na shpjegon ai.

Premtimi i bashkisë

Në gusht të 2015-ës, pak pasi mori postin e kreut të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj u angazhua personalisht në zgjidhjen e situatës së qenve të rrugës. Sipas tij ata nuk do të ishin më “makthi” i banorëve, pasi ishte gjetur zgjidhja. “Ne nuk do të përdorim mënyra shtazarake për të zgjidhur problemet e shtazëve. Pra, ne nuk do t’i vrasim qentë e rrugës. Propozimi ynë është të kthejmë disa kapanone të vjetra të bashkisë ose të ushtrisë në qendra strehimi. Aty të kryejmë vaksinimin për të ndaluar infeksionet. Ajo që duam të bëjmë është të gjejmë një proces, ku të vaksinohen, të sterilizohen, që mos të shumohen edhe të kenë pastaj një pjesë dinjitoze tjetër ose në qoftë se dikush do t’i adoptojë”, – deklaroi asokohe Veliaj.

Kryebashkiaku Veliaj tek streha e qenve në Kombinat

E në vazhdën e këtij procesi, në  shkurt të 2016-ës në zonën e Kombinatit u hap një klinikë Veterinare nën kujdesin e Agjencisë për Mbrojtjen e Konsumatorit ku nisën sterilizimet falas të qenve të rrugës. Puna nisi me 5 veterinerë profesionistë,  ndërsa parashikohej që në këtë klinikë do trajtoheshin rreth 15 qen në ditë. Duke marrë parasysh se në Tiranë janë rreth 15 mijë qen, është parashikuar se do të nevojiten 1000 ditë për përfundimin e procesit të sterilizimit. Bashkia pretendon se që pas nismës së sterilizimit në kryeqytet ka 1500 qen endacakë më pak.

Autor: Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *