Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Të gënjesh, si “job description” për politikanët shqiptarë!

Nga Ben Andoni

Duket se të 27 vitet e jetës në demokraci nuk kanë qenë të mjaftueshme për shqiptarët që të kuptojnë se gënjeshtra dhe fshehja e të vërtetës është gati një normë në demokracitë e brishta por jo vetëm. Sali Berisha, Fatos Nano, Ilir Meta, Edi Rama, Lulëzim Basha, si përfaqësuesit më të dukshëm të dy krahëve të mëdha të politikës shqiptare, jo vetëm nuk i janë shmangur trendit ndërkombëtar të premtimeve të politikanëve, por e kanë pasuruar me kontributin e tyre.

Në një demokraci ku politikanët synojnë për të marrë pushtetin ose për ta mbajtur sa më gjatë atë, një politikani i duhet të gënjejë në mënyrë të vazhdueshme lidhur me qëllimet e tij ose si të thuash duhet të manovrojë t’i ngatërrojë kundërshtarët në qëllimet e veta dhe shpesh duhet të tregojë një kinse fytyrë tjetër, nga ajo që njerëzve u duhet ta pranojnë.

E tillë po duket fushata zgjedhore 2017, që për herë të parë, pas shumë e shumë fushatave zgjedhore të përgjithshme dhe lokale është privuar nga ofendimet e rënda dhe denigrimet apo edhe përplasjet fizike, krejt të zakonshme në të shkuarën. Të ketë ndodhur gjë ndryshe, sa i përket përmirësimit të individit shqiptar ose modelit homo-albanicus?

Këtë se beson askush ashtu si dihet se në fakt s’ka ndodhur asgjë, përveçse dy krerët e partive kryesore në vend, respektivisht nga PS-ja dhe PD-ja e Edi Rama dhe Lulëzim Basha kanë përshtatur ligjërimin e tyre politik. Edi Rama për shkak të madhësisë së makinës së propagandës, që ka në dispozicion, është bërë më populist, teksa i shmanget me kujdes premtimeve të pambajtura në katër vjet, duke fajësuar direkt aleatët, kurse kundërshtari i tij në lista, por njëkohësisht edhe aleati teknik Basha mundohet të bëjë një fushatë shumë pa nerv, duke e kritikuar pa e ngacmuar fare.

E gjitha po ndodh, pasi për herë të parë parashikimet presin që dy partitë kryesore në vend do të bashkëjetojnë edhe pas zgjedhjeve. Në një pakt ende të pazbardhur, që është realizuar në mesnatën mes 17-18 Majit, të dy fuqitë politike kanë kuptuar se mund të drejtojnë shumë më mirë të dyja, kuptohet me avantazhin e kryeministrit të ardhshëm për partinë që do grumbullojë më shumë vota.

Kjo i ka lënë disi me gisht në gojë shumicën e partive të vogla në vend, që nuk e prisnin këtë kthesë të jashtëzakonshme nga dy rivalet. Gënjeshtrat dhe mënyra sesi e bënë kthesën nuk mjafton edhe për një almanak të tërë sociologjie, që ta shpjegojë si duhet.

Megjithatë, gënjeshtra më e këndshme ka qenë ajo që është bërë nga përfaqësuesit e opozitës që premtojnë për një Republikë të re. Dhe, nuk mbaron këtu, sepse fjala që dëgjohet më shumë në këtë fushatë zgjedhjesh është mbiemri “e re” për një “republikë të re”, “rifillim të ri”, “administratë e re”, e sigurisht që mungon fjala “njeriu i ri”.

“Që të kemi një republikë, siç e gjejmë në historinë e mendimit dhe praktikës europiane, duhet që republika të përbëhet jo thjesht nga njerëz, por nga qytetarë që mendojnë në mënyrë karteziane, domethënë që dyshojnë për ato që u thonë drejtuesit e tyre. Që kjo republikë që kemi krijuar nuk i do qytetarët dinjitozë, por do njerëz që edhe pse jetojë në shtëpi që janë gati duke rënë, të ndihen krenarë për kullën e qytetit, apo sheshin më të bukur të qytetit, apo se drejtohen nga udhëheqësi më i madh në botë. Që të kemi një republikë demokratike, duhet që në themel të saj të qëndrojë barazia e kushteve, jo barazia e individëve, pasi vetëm në këtë mënyrë do të shpalosen aftësitë e njerëzve që do të rekrutohen në çështjet publike”, shprehet për Citizens Channel,  Prof. Gjergj Sinani.

Ekziston një postulat i cili duhet vlerësuar si ajo që mund të përcaktojë karakterin e një politikani. Një politikan është i zoti për aq kohë, sa mundet të mbajë mbi vete intensitetin e fyerjeve dhe pështymën e publikut në drejtim të tij. Në fakt, politikanët me përvojë kanë një personalitet që i lejon ata të jenë të paqortueshëm, të jetojnë me gënjeshtra dhe të mbajnë një fytyrë kinse të drejtë. Anipse nuk munden të gjithë njerëzit ta bëjnë këtë. Kjo është arsyeja pse shumë njerëz nuk janë të gatshëm të shërbejnë në një rol politik.

Politikanëve u duhet të gënjejnë paq, pasi është e vërtetë se në kohën e sotme, gënjeshtra është bërë jo vetëm një “lubrifikues social”, që vë në lëvizje makinën e madhe e të kushtueshme të çdo fushate elektorale, por përbën një “teknikë politike” për të fituar ose mbijetuar”. Lie or Lose! (Gënje ose humb!), shkruante pak kohë më parë gazeta britanike The Indipendent, e sillte për publikun shqiptar si përcaktim një sociolog i njohur shqiptar.

“Në fakt, në këtë fushatë elektorale, ashtu si në të shkuarën, qytetarët po dëgjojnë nga politikanët e të gjitha partive atë që presin prej tyre. Të gjithë politikanët gënjejnë; çështja është kush gënjen më pak dhe kush më shumë. Ata u premtojnë qytetarëve ato që këta të fundit duan të dëgjojnë. Po nuk premtove, nuk zgjidhesh. Por premtimet shumë herë janë të tilla, që nuk përmbushen dhe premtimet e papërmbyshura janë gënjeshtra”, shprehet profesor Fatos Tarifa për Citizens Channel.

Në fakt, nëse do të flasim për politikanë që e kanë më të kujdesshëm sensin për t’i bërë gënjeshtrat e qeta, kjo është e pranueshme, porse duket se politikanët gënjejnë ngaqë ata mendojnë se qytetarët nuk u bëjnë më përshtypje të pavërtetat e tyre.

Më keq akoma ndodh teksa politikanët shqiptarë përsërisin të njëjtat gënjeshtra, besojnë se ashtu të ripaketuara më bukur, ato nuk janë më si më parë, kurse njerëzit të mësuar me to, e kanë të nevojshme t’i dëgjojnë. Madje, sociologët mendojnë se politikanët gënjejnë edhe ngaqë, duke gënjyer vazhdimisht, ata fillojnë t’u besojnë edhe vetë gënjeshtrave të tyre, të cilat përpiqen t’ua rifalin qytetarëve për të vërteta.

Me gënjeshtrat nuk mjaftohen vetëm ata porse njësoj veprojnë edhe stafet e tyre, që përgatisin materialet. Edi Rama premtoi uljen e borxhit publik, hapje e një numri vendeve të punës dhe uljen e taksave për biznesin e vogël. Në  fakt, asnjë nga këto premtimet jo vetëm nuk është mbajtur por është përkeqësuar. Në një farë mënyre gënjeshtra është bërë një lloj vërtetësie në Zgjedhjet-2017 , por tashmë e ambalazhuar ndryshe, që përtypet lehtë nga njerëzit që besojnë se institucionet shqiptare vetëm gënjejnë.

“Në fund te fundit, një popull që ka humbur besimin te institucionet e vendit të tij nuk mund t’u besojë politikanëve që kërkojnë të vijnë në krye të këtyre institucioneve, edhe pse votojnë për ta. Ç’mundësi tjetër do kenë? A nuk thoshte Churchill se demokracia është një forme e keqe qeverisjeje, por ama është më e mira e provuar deri më sot?”, shprehet Prof.Tarifa

Është e mirëditur se në një fushatë elektorale, që qytetarët të shkojnë të votojnë, duhet që t’u japësh premtime. Në një farë mënyre ai që kërkon votën e qytetarëve duke premtuar shumë herë tejet mundësive, e ka të pamundur të mos gënjejë. Ato që këshillohen politikanët nga dhjetra njësi lotimi është e thjeshtë: Politikanët u thonë qytetarëve gjërat, që këta të fundit i nanurisin në dëshirat e tyre. Por, ndodh që jo rrallë herë, premtimet janë të tilla, që nuk përmbushen, dhe premtimet e papërmbushura janë, në më të shumtën e rasteve, gënjeshtra.

“Dikur Tokëvili, një nga filozofët më të mëdhenj të demokracisë, u jepte këtë këshillë politikanëve europianë, në bazë të përvojës së Revolucionit Amerikan; mos premtoni gjëra të mëdha, më mirë do të ishte që të premtonin njerëz të mëdhenj, sepse këta njerëz do të dinë të nxjerrin frutet e lirisë, në qoftë se ata do ta gëzojnë realisht këtë liri. Një komb nuk mund të jetë i fortë në qoftë se përbëhet nga njerëz të flashkët nga mendja dhe nga shpirti. Dhe qytetarë të tillë duhet të përgatisë shkolla. Kjo është arsyeja pse despotët nuk duan një sistem të tillë edukimi, por duan një sistem edukimi se si të përgatisë skllevër të mirë. Dhe kur etja për para përfshin dhe përzgjedhjen e teksteve shkollore, apo kur procesi i përzgjedhjes drejtohet nga një njeri mediokër, nuk ka gjë më të keqe për një shoqëri që aspiron vlerat europiane”, shprehet për Citizens Channel, Gjergj Sinani.

Aty ku bashkohen edhe partitë shqiptare është fakti se asnjë nga partitë nuk thotë gjëra që mund t’i përmbushë lehtë. “Diskursi politik synon të lozë me pasionet e njerëzve dhe jo të prekë mendjet e tyre. Por me timon dhe tepsi, që po përdoret kaq shumë në Shqipëri nuk ndërtohet shteti i të drejtës dhe demokracia”, vazhdon sociologu.

Në fakt, politologët besojnë se përçojnë te njerëzit besimin se duhet dyshuar për ato që ju thonë! Duhet mësuar të përdoret liria dhe demokracia për një jetë më të mirë dhe për një lartësim shpirtëror dhe jo për unin dhe qejfet e drejtuesve, anipse kjo këshillë nuk vlen shumë për Shqipërinë. Sa për politikanët është e ditur atyre u duhet të gënjejnë se përndryshe, kurrë nuk do të marrin atë që i kanë vënë vetes si detyrë për të marrë.

“Sidoqoftë asnjë politikan që kërkon votën e qytetarëve nuk mund të mos premtojë, pra edhe të mos gënjejë. Të gënjesh është, si të thuash, kjo është pjesë e “job description” për të qenë politikan”, qartëson Tarifa.

Autor: Ben Andoni/ Citizens Channel  

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *