Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Turizmi në Lefkada flet shqip

Është vetëm fillimi i qershorit, por sezoni turistik ka nisur vrullshëm në brigjet joniane të Greqisë. Portet janë plot me anije e turistët gjermanë (janë ata që sjellin edhe më shumë para), anglezë, amerikanë, francezë, por edhe ukrainas e rusë kanë nisur të popullojnë qetësisht plazhet, duke i paraprirë valës së turistëve që pritet të mbërrijnë në Greqi gjatë kësaj vere. Me një rekord prej 27.5 milionë turistë në 2016 dhe që i sollën Greqisë plot 13 milionë euro, këtë vit shteti helen është përgatitur të presë deri në 30 milion vizitorë.

Por e gjithë kjo industri gjigande ka nevojë për punëtorë. Kamarierë, pastrues, menaxherë, kuzhinierë e çfarëdo lloj shërbimi tjetër që më së shumti zotërohen nga shqiptarë, të cilët duket se kanë marrë në dorë “frerët” e sektorit më të rëndësishëm të ekonomisë greke.

Lefkada është një nga ishujt më të bukur të bregut perëndimor të Greqisë. Ndërsa turistët e parë shijojnë tavernat e lira, çadra që janë ende falas dhe shkollat e panumërta të windserf, pronarët shpresojnë në sa më shumë vizitorë, që do të thotë edhe më shumë para dhe punë. Për ata që e kanë biznes ka nisur zyrtarisht edhe “gjuetia” e turistëve.

Legjenda, një 43 vjeçare nga Tirana, prej 4 vitesh menaxhon hotel “Argo” në fshatin Vasiliki të Lefkadës. “Që prej katër vitesh jam menaxhere e hotelit dhe përpiqem që t’i kënaq klientët e mi. Vitet e fundit kanë filluar e vijnë shumë edhe shqiptarë. Sa më shumë vizitorë aq më mirë për ne”, – na thotë Legjenda, që prej 21 vitesh jeton në Greqi.

Jetën e saj e ka ndërtuar jo pa mund mes Janinës dhe ishullit Lefkada, ku punon gjatë muajve të verës. “Fillimi, sigurisht që ka qenë shumë i vështirë. Tmerr! – kujton ajo, – por kurrë nuk do kthehesha më në Shqipëri. Edhe sikur ta dija se çfarë më priste, sërish do të kisha zgjedhur të njëjtën rrugë”, – na rrëfen shqiptarja që të gjithë e njohin si Eleni.

Legjenda duke folur për Citizens Channel.

Legjenda, ashtu siç ka edhe emrin në fakt, ka një histori thuajse të pabesueshme. “Jam martuar shumë e re, 15- vjeçe. Burrin e kam parë vetëm një natë. Bëmë dasëm, të nesërmen siç e donte zakoni ai tregoi çarçafët, që u dorovitën dhe po atë ditë iku ushtar. Që nga ajo ditë u zhduk dhe nuk u bë më i gjallë. Unë ngela shtatzanë dhe aktualisht vajza është 27 vjeçe. E martoj këtë vjeshtë dhe jam e lumtur që jetojmë të dyja këtu në Greqi”, – thotë ajo, e cila ka filluar të ndryshojë pak mendimin për shqiptarët nga turistët e shumtë që i vijnë nga Shqipëria.

Aktualisht ajo bën çdo punë që duhet për mirëmbajtjen e hotelit ku është menaxhere. “Katër muajt e verës unë jam këtu dhe kujdesem për çdo gjë vetë. Rregulloj prizat, kokat e dusheve kur prishen, laj, pastroj, merrem me klientët. Pronarët vinë vetëm në fundjavë. Kur mbyllet sezoni turistik shkoj dhe punoj në Janinë”, – tregon Legjenda për Citizens Channel.

Ndihet e plotësuar dhe e kënaqur me jetën që bën. “Më pëlqen shumë ky vend, me turistët ia kaloj shumë mirë. Dal me ta, këndojmë dhe kërcejmë së bashku. Madje shpeshherë ata më lënë edhe letra ku më shprehin mirënjohjen” – na thotë Legjenda duke na treguar një shënim që i lanë një grup vajzash gjermane.

Por Legjenda nuk është e vetmja shqiptare që takojmë, pasi në Lefkada ata janë kudo. Jani Çuko, nga Fieri, është pronari i një prej restoranteve më të preferuar të zonës, atij “Pondi Family”. Restoranti, është gjatë gjithë kohës plot e përplot, ndërsa jashtë tij ka gjithmonë një duzinë me turistë që presin të ulen.

“Sekreti? – na thotë Jani, – Unë kam vendosur që pjatat të jenë me bollëk dhe çmimet pak më të lira se sa restorantet e tjera”. Dhe ata ia kanë dalë. Jani, ka emigruar që në vitin ‘93 në Greqi dhe pasi ka mësuar profesionin e kuzhinierit dhe ka punuar në restorante me emër kudo nëpër Athinë, Arta, Santorini, etj vendosi të hapë restorantin e tij.

Restoranti i Jani Cukos në Lefkada

“Së bashku me gruan dhe dy fëmijët (që janë 12-14 vjeç) e nisim punën në orën 11:00 të mëngjesit dhe e lëmë në orën 01:00 pas mesnate, – na tregon Jani, i cili nuk lë askënd që të futet në kuzhinë dhe çdo gjë e përgatit vetë. Ka shumë lodhje, por jemi të kënaqur që na shpërblehet mundi”,- tregon për Citizens Channel, ndërkohë që edhe pjesa më e madhe e stafit janë emigrantë shqiptarë. Madje një pjesë e tyre kthehen në Shqipëri gjatë dimrit për të punuar në klubet e Tiranës.

Ina është një vajzë e re nga Gjirokastra. Me një anglishte të kulluar, ajo i afrohet me mirësjellje çdo pushuesi që zgjedh çadrën e lokalit ku ajo punon. “Pronarët janë shumë kërkues dhe nuk kënaqen kollaj. Më është dashur të mësoj anglishten se ndryshe nuk mund të filloje punë, por tashmë jemi mësuar me njëri-tjetrin dhe ia kalojmë shumë mirë. Ndryshe nga fillimi, tashmë pronarët na besojnë për shumë gjëra” – na thotë Ina që edhe për të Shqipëria duket një opsion i pamundur.

Kur e pyet përse, ajo përgjigjet. “Duket sikur atje çdo gjë ka mbetur në vend: njerëzit, mentaliteti…ne vërtet që këtu lodhemi, por ama edhe shpërblehemi, ndërsa atje nuk guxojmë të flasim në telefon me njerëzit tanë sepse vetëm ankohen”, – thotë Ina për Citizens Channel.

Ina duke shërbyer

Ndonëse me vështirësi, duket se shqiptarët ia kanë dalë të integrohen më së miri. Në punët e shtëpisë, në dyqane, në parkingje apo restorante duket se vendet e punës janë tashmë pronë e shqiptarëve. Shumë barriera janë rrëzuar dhe shqiptarët nuk janë ata njerëzit e “çuditshëm” që i linin të flinin në kasollet e kafshëve, por u janë besuar edhe çelësat e shtëpive.

Ndryshe nga vitet 90-të, kur edhe të flisje shqip mund të shkaktonte situata të pakëndshme, tani mund të gjesh lokale të tëra ku shqiptarët bëjnë tifo sa herë kombëtarja shqiptare luan futboll. Por sigurisht që emigrantët mundohen të jenë gjithmonë të kujdeshëm.

“Zeus bar” ndodhet në xhiron kryesore të Lefkadës dhe është plot me shqiptarë. Është data 11 qershor dhe luhet Shqipër-Izrael. Turistë shqiptarë e emigrantë shqiptarë shpërthejnë në brohoritje kur shënohet goli i parë. Por ndërsa turistët shqiptarë janë më të shpenguar dhe fillojën koret “Shqipëri, Shqipëri”, emigrantët iu bashkohen vetëm kur thërrasin “Goooool”.

“Pronari i lokalit është nga ata të “Agimit të Artë” dhe nuk duam që të kemi probleme – na thotë Admiri, një emigrant nga Fieri, – mund të provokohen shpejt, ndaj jemi të kujdesshëm. Vërtetë nuk bërtasim “Shqipëri”, por kënaqemi që mund të bëjmë tifo hapur për vendin tonë, se para disa vitesh vetëm nga divani i shtëpisë mund ta shikoje”, – tregon ai për Citizens Channel.

Shqiptarët e rinj të Greqisë

Me rreth 700 mijë emigrantë, shqiptarët renditen si komuniteti më i madh i huaj në Greqi. Pavarësisht vështirësive të fillimit, ata ia kanë dalë të integrohen më së miri, ndërsa tashmë janë krijuar edhe gjeneratat e fëmijëve të shqiptarëve që kanë marrë nënshtësinë greke. Të arsimuar, të punësuar, kursimet e shqiptarëve duket se kanë ndikuar ndjeshëm edhe në ekonominë e paqëndrueshme të Greqisë së viteve të Fundit. Madje studime të ndryshme referojnë se shqiptarët, gjatë viteve 2015-2016 kanë qenë blerësit më të mëdhenj të shtëpive në Athinë.

Qendra e ndërkombëtare e studimeve imobiliare “Pev Research Center”, e ka bërë të ditur lajmin në mars të 2017-ës, duke sqaruar se familjet shqiptare, janë targeti i preferuar i agjencive imobiliare vendase. “Me të ardhura mesetare, me nga 10-25 vite në emigracion dhe para që i kanë mbajtur jashtë sistemit bankar, kjo kategori  mund ta përballojë me para në dorë blerjen e një banese nga 20.000 – 100.000 Euro, pa qenë nevoja për t’ju drejtuar bankave, ku mundësia e kreditimit është pothuaj zero dhe “shpëtuar” prej qirave mujore që vërtiten nga 250 në 400 euro në muaj”, – kanë shpjeguar ekspertët e tregut të banesave.

Sipas të dhënave të qëndrës kërkimore “PEV”, shqiptarët e Greqisë vazhdojnë të mbajnë rekordin sa u takon parave që dërgojnë në Shqipëri, me plot 480 milionë dollarë të dërguara nga Greqia, të ndjekur nga emigrantët shqiptarë në Itali me 100 milionë.

Autor: E.K /Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *