Në redaksinë e Citizens Channel ka mbërritur së fundmi eksperienca aspak e këndshme që lexuesja jonë Albana Kume – Robertson ka kaluar në Konsullatën Shqiptare në Milano dhe që ka preferuar ta ndajë me të gjithë ne. Sipas saj, aty gjen një sërë problemesh.
“Së pari, Konsullata e cila ka si detyrë të shërbejë për të gjithë zonën e Veriut të Italisë ka 3 numra telefoni dhe adresë elektronike, por tek asnjëra prej tyre nuk merr përgjigje. Njerëzit shkojnë në Milano dhe zyra konsullore është në katin e dytë të një pallati privat, me shkallë shumë të ngushta. Si rrjedhojë, nënat me fëmijë e karroca, të moshuarit apo personat me aftësi të kufizuara ngjiten me shumë vështirësi”, tregon Kume-Robertson për Citizens Channel.
Por problemet nuk mbarojnë me ngjitjen e shkallëve. “Zyra ka një sallë pritjeje me nxehtësi ferri, fëmijë disa-muajsh që qajnë, njerëz që mezi marrin frymë, sportele pa privatësi, sporteliste pa takt dhe edukatë. Nuk ka rregull dhe prioritet për fëmijë apo të sëmurë”, shton denoncuesja.
“Së treti, njerëzit presin me orë të tëra. Orari është 09:00-14:00, por edhe mund të ndodhë që nuk mbarojnë punë, edhe pse kanë ardhur nga vende të largëta. Kur hyn në zyrën e konsullit, dy persona njëherazi, nuk mund të flitet për privacy, apo takt. Vjet me mua (do bëja pasaportë) u fut edhe një grua që donte leje kalimi për fëmijën 2 muajsh. Z. Konsull (Faik Dishnica) e pyeti ç’ngjyrë i kishte sytë fëmija. Gruaja u pergjigj: gri ose jeshi. Konsulli i bëri namin, sepse sipas tij nuk kishte parë ndonjëherë një nënë që nuk di ngjyrën e syve të fëmijës. Gruaja mbrohej duke thënë që në moshë shumë të vogël sytë e fëmijëve ndërrojnë, por Konsulli këmbëngulte në teorinë e tij”, përfundon Albana Kume-Robertson.
Në galerinë më poshtë do të lexoni edhe disa nga eksperiencat e tjera negative të emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë kërkuar shërbime nga Konsullata e Shqipërisë në Milano.
“LEGEND PANAMA”
Albana Kume Robertson nuk është një emigrante e zakonshme. Ajo ka tre pasaporta: shqiptare, italiane dhe atë amerikane. I përket brezit që jetoi në dy sisteme në Shqipëri: atë të diktaturës dhe pak pas viteve ‘90. “Isha studente në vitin e dytë në Ekonomik. U largova me anijen e madhe Panameze më 6 Mars 1991 dhe mbërrita në Brindisi në 7 mars, 24 orë më vonë”, thotë Albana për Citizens Channel.
Në ditët e para të marsit të 26 viteve më parë, mijëra shqiptarë tejmbushën anijet që shkonin drejt Italisë, të cilën e shihnin si shpëtimin nga izolimi ku kishin jetuar për 50 vite me radhë. Kjo është mbase eksperienca më e veçantë në jetën e vajzës durrsake. “Gjatë rrugës doja të vdisja, sepse më zuri deti keq. Kujtime shumë të hidhura e të paharruara”.
Albana nuk ishte e vetme në atë aventurë rinie. Në krah kishte edhe djalin të cilin dashuronte, nga martesa me të cilin pati edhe një fëmijë. Vështirësitë e saj nuk ishin vetëm gjatë udhëtimit por dhe në ditët e para. “Pas një periudhe në një familje në provincën e Terramo-s dhe qëndrimit në një kamp refugjatësh në Ostuni, në korrik të 1991-shit arrita në provincën e Brescia-s. Një vit më pas, në vitin 1992 më lindi dhe djali. Më vonë, në 1994-ën më erdhën dhe prindërit për të më ndihmuar me djalin. Më pas divorc”, tregon Albana.
Pavarësisht sfidave të kaluara përtej detit, ajo nuk u ndal kurrë së luftuari. “Përveç punëve të ndryshme, paralelisht studiova për Ekonomik në Brescia ku dhe u diplomova. Pas diplomimit, vijova me studimet Master për Marketing në universitetin e Bergamos. Punova në retail dhe zyrën e punëve të jashtme, gjithmonë në Brescia.”
Pas dy dekadash jetesë në Itali, Albana bëri sërish gati valixhet dhe u nis drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Pas 20 vitesh që jetova në Itali, në mars 2011 shkova të jetoj në USA. Jap mësim në një gjimnaz. Ndërrova karrierë dhe tani jam mësuese matematike. Jam martuar me një qytetar amerikan.”
Kur bën një analizë të vendimeve të marra, ajo nuk është penduar. “Nganjëherë guxoj të mendoj çfarë rruge do të kishte marrë jeta ime nëse do të vendosja të mos nisesha, por nuk arrij të përfytyroj si do të kish qenë. Jam e kënaqur me zgjedhjen time. Ndoshta mund të më kishte qëlluar më mirë, por ndoshta edhe më keq.”
Autor: E.E/ Citizens Channel