“Kam 8 muaj që punoj në një fabrikë këpucësh, në periferi të qytetit ku jetoj. Punoj 6 ditë në javë dhe kjo është puna ime e parë. Në fabrikë kushtet higjenike janë të tmerrshme dhe aroma e lëkurës dhe e mastiçit është e rëndë. Askush nuk vjen të kontrollojë dhe as të bëjë ndonjë vërejtje ndaj pronarëve. Nuk i njohim fare sindikatat, madje as me njëra- tjetrën nuk flasim se midis punëtoreve ka spiunë e nuk dua të humbas vendin e punës për momentin.“
Kjo është historia e Anës, 28 vjeç që me pagën e saj ushqen familjen, bashkëshortin e papunë dhe dy fëmijët. Duhej të paguhej minimalisht 24 mijë lekë, sa është me ligj paga minimale. Por në fakt këtë shumë nuk e ka marrë asnjëherë të plotë, pasi nuk e realizon dot normën ditore.
Është një ndër shumë histori të ngjashme të atyre që punojnë sot në kompanitë fason. Kryesisht të huaja, që shfrytëzojnë krahun e lirë të punës në Shqipëri, duke përfituar nga niveli i lartë i papunësisë dhe mungesa e sindikatave.
Anën e takuam falë Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim, e cila ka disa vite që punon për të trajnuar gratë punëtore në fabrikat e tekstileve e këpucëve për çështje të sigurisë e shëndetit në punë, si dhe për të drejtat në punë në përgjithësi.
“Shumica e fabrikave të tilla punojnë për firma të njohura evropiane, me porosi nga kompani kryesisht italiane. Forca e punës përbëhet më së shumti nga gra me moshë mesatare relativisht të re. Në disa fabrika kushtet e punës janë të mira, por në shumë prej tyre ka mungesa të theksuara, cilësi të kushteve të punës e disa prej fabrikave janë larg kushteve të denja të punës. Zakonisht në sektorin e prodhimit të veshjeve dhe tekstileve gratë punojnë në kapanone, shumë afër njëra tjetrës, në mjedis të ndotur nga papastërtitë dhe zhurma. Mungon sistemi i ajrim – kondicionimit, tualetet, pastërtia e ajrit etj. Mjeku i fabrikës mungon ose është një mjek për disa fabrika, që vetëm firmos. Më tej, sindikatat mjaftohen me kontratat kolektive, për të cilat punëtoret nuk kanë dijeni për detaje. Punonjësit në këto fabrika, megjithë të drejtat, nuk kanë mundësi të organizohen dhe të ankohen për kushtet e punës. Shantazhet janë të vazhdueshme për të mos ngritur zërin e për të mos u ankuar”, tregon Mirela Arqimandriti, kryetare e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim.
Kushtet e vështira të punës në disa kompani, që duken të pabesueshme që të ndodhin në vitin 2017, i pranon edhe vetë Dhoma e Fasonistëve. Por kryetari i saj, Gjergji Gjika shpjegon se kjo nuk është situata e përgjithshme e industrisë fason. Sipas tij, kushtet në Shqipëri janë në përputhje me legjislacionin vendas, nga më të përparuarit e Europës dhe janë shumë më mirë se në rajon. Rastet problematike janë kryesisht në kompani të huaja.
“Fasoni është pjesë e shoqërisë shqiptare dhe plus minus, reflekton edhe ai dritë-hijet e kësaj shoqërie, me të mirat e të këqijat e saj. Nuk i di këto raste të dëmtimit të shëndetit, por ka patjetër disa sëmundje që quhen sëmundje profesionale. Këtu mund të hyjnë edhe këto në fjale. Një rast i veçuar apo disa të tilla nuk përbëjnë të tërën. Ka një të vërtetë të madhe: niveli i shfrytëzimit të grave ndryshon nga kompania në kompani. Sidomos kur ka pronarë të huaj. Në përgjithësi, investimet shqiptare janë shumë më cilësore se ato të huaja. Edhe shkalla e shfrytëzimit, po ashtu. Por ata kanë avokatë amabasadat e tyre, kurse ne jetim! Kjo është kontradikta! Korça është shembull tipik i kësaj nga grekët! Kushtet mizerabël, pagesat po ashtu! Por këta grekë s’i prek kush! Kjo është puna!”, shprehet Gjika.
Fasoni në Shqipëri, 1281 fabrika në të gjithë vendin
Sipas Regjistrit të Ndërmarrjeve për vitin 2016, të publikuar nga Instituti i Statistikave, në Shqipëri operojnë rreth 744 fabrika të konfeksionimit të veshjeve, 247 fabrika të përpunimit të tekstileve dhe 290 ndërmarje të prodhimit të lëkurës dhe produkteve prej lëkure.
Gjithsej, 1281 fabrika që ofrojnë punësim në atë që njihet si industria fason. E përhapur dendësisht jo vetëm në Shqipëri, por në të gjithë Ballkanin. Me kushte pune të ngjashme, pasi të varfërit trajtohen nga të huaj njësoj, në të gjitha vendet.
Sipas një studimi të kryer nga vetë Dhoma e Fasonëve të Shqipërisë në vitin 2014, numri i të punësuarve në sektorin e prodhimit të këpucëve është rreth 30 mijë punonjës dhe në sektorin e prodhimit të veshjeve është rreth 36 mijë punonjës. Në të dy këta sektorë, 95 % e punonjëve jane gra dhe 5 % burra. Mosha mesatare e punonjësve është 31 vjeç.
INDUSTRIA FASON NË SHQIPËRI
Konfeksionimi i veshjeve 744 fabrika
Përpunimi i tekstileve 247 fabrika
Prodhimi i lëkurës 290 fabrika
Në total 1 281 fabrika
“Nuk është e qartë se për cilat firma këto kompani punojnë në Shqipëri. Nëse do të qartësohej kjo nga shteti shqiptar, do të ishte më e lehtë që kompani të mirënjohura të kërkonin llogari për kushte e punës nga partnerët e tyre”, deklaron Mirela Arqimandriti, kryetare e Qendrës Aleanca Gjinore për Zhvillim.
Pagat në fason
Fasoni është sot industria, ku prodhimi i veshjeve të shtrenjta, ose ndryshe e firmave të luksit kushton për një muaj pune më pak se komçat e një veshjeje.
“Pagat janë të ulëta dhe oraret e punës janë të zgjatura dhe në ditët e pushimit. Paga që marrin rrallëherë kalon pagën minimale të përcaktuar këtu e para 3 vitesh nga shtetit shqiptar, megjithëse siç pohojnë vetë ato, puna është mjaft e rëndë dhe norma e lartë. Të zëna në grackë nga varfëria dhe kërkesat e familjet gratë durojnë kushtet e rënda të punës për të sjellë bukë në shtëpi. Pronarët e fasonerive për sa kohë plotësojnë punonjësit me pagën minimale janë në rregull me kërkesat e shtetit shqiptar. Sektori i prodhimit është i zhvilluar në Shqipëri edhe për faktin se paga minimale është më e ulët në rajon e ndjekur nga Kosova”, shprehet për Citizens Channel Mirela Arqimandriti.
Pagat ndryshojnë nga kompania në kompani, në varësi edhe të pronësisë së tyre. Por edhe kjo industri ka problemet e saj, me mosrespektimin e kontratave nga porositësit, çka më pas reflektohet tek pagesat për punonjësit. Ndërsa abuzimet, duket se janë pjesë e pashmangshme e realitetit.
“Në kompaninë time punojnë 80 persona, me fond mujor pagash 22 milionë lekë të vjetra, mesatarisht 27.500 leke të vjetra paga neto në muaj. Mesatarja e vendit tonë 25.600 lekë të vjetra. Ka devijacione sporadike, të cilat varen totalisht nga frekuenca e pagesave të klientit të huaj, plus rimbursimi i TVSH, dy burimet e vetme financiare të fasonit. N.q.s klienti nuk paguan rregullisht ose fare, tatimet nuk rimbursojnë TVSH-në në kohë, ku do i gjejnë fasonistët paratë? Nuk flas këtu për një grup të vogël abuzuesish, që abuzojnë nën hundën e tatimorëve dhe me bekimin e tyre. Si mund të bësh evazion pa bashkëpunimin me ta? Shteti të mos flejë gjumë, por të veprojë me forcën e ligjit!”, deklaron për Citizens Channel Gjergji Gjika, kryetar i Dhomës së Fasonistëve.
Shqipëria dhe vendet e tjera ballkanike, si Serbia, Maqedonia etj, janë shndërruar në parajsën e fasonistëve të huaj, që e blejnë punën lirë dhe i shesin produktet shtrenjtë, duke garantuar fitim të sigurtë dhe duke mos u shqetësuar për sindikata, kushte punë e të drejta. Në fund të fundit, varfëria nuk bën zë, mjafton një copë bukë!
Autor: Aurora Sulçe