Ndërsa Ministria e Arsimit konsideron se nisma e re “Tri lëndë në 6 orë”, do të revolucionarizojë mënyrën tradicionale të mësimdhënies, ekspertët e arsimit, por edhe të shëndetit mendor janë skeptikë.
Sipas tyre, fëmijët e kësaj moshe e kanë krejtësisht të pamundur të përqendrohen në një orë mësimi 90 minutëshe. Ata shpjegojnë se është kjo arsyeja, që edhe universitetet nuk aplikojnë më orën 90-minutëshe, por atë 60 minutëshe.
Përtej entuziazmit të parë, për përgjysmim të librave që mbajnë në çantë fëmijët, nisma “Tri lëndë në 6 orë” nuk do të jetë aq e lehtë as për nxënësit dhe as për mësuesit.
Kjo nismë komplikohet edhe më, në kushtet kur shkollat tona bëjnë ende mësim me turne, kanë klasa të mbingarkuara dhe mungojnë laboratorët apo mjetet e tjera që do ta bënin një orë sa më interesante. Në këtë situatë, të zhvillosh jo më një por dy orë të njëjta mësimi rrjesht, ta zëmë dy orë kimi apo dy orë biologji, do të jetë sfida e re e mësuesve, që duhet të gjejnë mënyrat për të mbajtur të mbërthyer vëmendjen e nxënësve.
Edmond Dragoti, profesor në Fakultetin e Shkencave Sociale, pranë Universitetit e Tiranës, i njohur edhe për studimet e shumta në psikologji sociale dhe kërkim shkencor social është skeptik për formulën çudibërëse që ministria e Arsimit “zbuloi” kaq papritur.
“Në aspektin psikologjik unë them që kjo reformë nuk do të japë rezultatin për të cilin po ndërmerret. Një lëndë që zhvillohet në dy orë mësimi, pra 90 minuta, eskperienca ka treguar se mundësia për të qenë efektiv është shumë e ulët. Bëhet fjalë për fëmijë të arsimit 9-vjeçar që janë shumë të vegjël, dhe ata nuk e kanë as pjekurinë fizike, por as pjekurinë emocionale që të mobilizohen dhe të rezistojnë në një përqendrim afatgjatë. Të përqendrohesh 90 minuta në një gjë është shumë e vështirë edhe për më të rriturit. Madje është kjo arsyeja, që edhe në universitet, orët nuk i kemi më 90-minutëshe, por 60 minutëshe, pasi nuk janë efikase”, shpjegon Dragoti për Citizens Channel.
Për profesorin e njohur, megjithatë kjo nismë ka edhe disa anë të mira, por që gjithashtu sipas tij kufizohen nga kapacitetet e shkollës sonë. “Mendoj se ana e mirë e kësaj nisme është se e zgjat kohën e shpjegimit, i lidh ciklet, nuk i fragmeterizon. Nëse deri më tani mësuesi vihej para presionit për të shpjeguar lëndën e re brenda 45 minutëshit, tashmë ka mundësi ta shpjegojë, por edhe ta zhvillojë më tej. E megjithatë unë prapë tek kjo pjesë jam skeptik, sepse metoda 45 plus 45 do të thotë teori + praktikë dhe që të realizosh këtë duhen kushte: këtu kam parasysh laboratore, kabinete, mjete didaktike, ambiente të veçanta, që në shkollat tona thuajse mungojnë plotësisht”, shprehet Dragoti.
Ndërsa psikologia Denada Toçe, problemin e sheh tek mënyra se si po kërkohet të implementohet kjo nismë. “Arsimi nuk reformohet me VKM. Kjo mund të jetë një reformë e mirë që edhe mund të japë rezultate pozitive, por ne nuk e dimë këtë gjë, sepse është një reformë e pa testuar, e pa pilotuar. Është rregull universal: para se të nisë një reformë radikale, siç është kjo, fillimisht patjetër që pilotohet dhe vetëm pas kësaj, ke mundësi të krahasosh rezultatet e të vendosësh mbi bazë argumentash që kjo është më e mira për sistemin tonë. Vetëm në Shqipëri ndodh që i shkrep një drejtuesi në mendje për një reformë, dhe e bën direkt fakt, madje edhe në mes të vitit shkollor dhe pa asnjë argument. Po përdoren nxënësit si kavie. Edhe nëse është një gjë që ka nevojë për ndryshim, ato janë metodat e mësidhënies pasi kemi mbetur ende vetëm tek riprodhimi i dijes. Ndërsa këta kanë ndryshuar sistemin pa ndryshuar metodat e mësidhënies. Nga ana tjetër pa trajnuar mësuesit nuk mund të bësh ndërhyrje të tilla radikale, ndërkohë që edhe infrastruktura nuk i përgjigjet këtyre ndryshimeve”, na shpjegon Toçe.
Jehona Gjurgjeala, drejtoreshe e qendrës “Toka” në Kosovë që ofron edukim alternativ për një pjesë të shkollave të Kosovës, e vë theksin tek mënyra se si do të zbatohet kjo formulë e re. “Parimisht kjo është një mënyrë interesante për të tërheq vëmendjen e nxënësve, për t’u thellluar edhe më tej në një temë të caktuar. Por nëse do të jetë një formulë e suksesshme apo jo, kjo mbetet për t’u parë nga mënyra se si do të implementohet. Kjo pasi në këtë mënyrë për të mbajtur zgjuar vëmendjen e nxënësve, duhet të ketë mënyra interaktive të zhvillimit të mësimit, duhet të zhvillohen aktivitete të ndryshme, të gjenden forma për të nxitur kureshtjen e tyre, në të kundërt nxënësi do të ketë interes vetëm 20 minutata e para”, shpjegon Gjurgjeala.
Por pavarësisht kontenstimeve që kanë ekspertët e arsimit, një gjë e qartë: që nga 1 shkurti në arsimin parauniversitar do të fillojë të zbatohet nisma e re, ku nxënësit në të njëjtën ditë do të zhvillojnë një lëndë në dy orë rrjesht.
Autor: E.K / Citizens Channel