Citizens.al

Raporti: Shqipëria me strukturë shëndetësore të vjetëruar dhe kosto shumë të larta për pacientët

Videot e bukura të spitaleve që poston kryeministri Rama në Facebook nuk kanë asgjë të përbashkët me cilësinë e shërbimeve që ata u ofrojnë shqiptarëve. Një raport i publikuar së fundmi nga Kontrolli i Lartë i  Shtetit, ve në dukje se spitalet janë “të paakredituara, pa protokolle mjekësore të miratuara gjë që sjell abuzim me medikamentet, por edhe në shmangien e përgjegjësive të stafit mjekësor, me procedura të zgjatura që sorrollasin pacientët dhe shpeshherë me kosto shumë më të larta se sa kushton vërtet kurimi i një sëmundjeje duke favorizuar privatët”.

E njëjta situatë aspak optimiste ka rezultuar edhe sipas raportit të Health Care Powerhouse, organizata lider në botë për vlerësimin e sistemeve shëndetësore, që konkludon se “sistemi shëndetësor në Shqipëri është primitiv, ka burime shumë të kufizuara të kujdesit shëndetësor dhe qytetarët detyrohen të paguajnë kosto të larta për t’u kuruar në spitale duke rrëzuar  kështu ‘arritjet e mëdha në shëndetësi’  të deklaruara nga qeveria shqiptare.

Raporti i Kontrollit të Lartë Shtetit

“Dhe me këto 2 minuta të vetme që i tregojnë kujtdo që do të shikojë e të dëgjojë, ndryshimin themelor mes nesh e atyre që sot s’kanë turp të shajnë e të protestojnë për shëndetësinë që vetëm e shkatërruan, ju uroj një ditë të mbarë”, është ky postimi i datës 25 janar në faqen e kryeministrit Rama, shoqëruar me një video nga spitali onkologjik.

Por nëse video duket vërtetë impresionuese, situata në spitale duket se nuk ka asgjë të përbashkët me muret e lyera bukur të kësaj video. Në raportin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili ka audituar performancën e shërbimeve të QSUT-së, spitalit të Shkodrës dhe të atij të Vlorës, i publikuar me datë 29 dhjetor 2017, vë në dukje një mal me mangësi që jo vetëm e zvarrisin pacientin, por rrisin fiktivisht kostot dhe ulin cilësinë e shërbimeve.

Pikat e dobëta të sistemit

Pikat e dobëta të shëndetësisë në Shqipëri janë disa, por KLSH ka renditur si ndër më kryesoren mungesën e protokollve klinike, duke sjellë një reaksion zinxhir negativ.

“Protokollet e mjekimit dhe procedurat standarde të punës nuk ekzistojnë akoma zyrtarisht në shërbimet spitalore duke rritur ndjeshëm keqpërdorimin dhe abuzimin në barna dhe materiale mjekësore si dhe mungesën e evidentimin të përgjegjësive të stafit mjekësor për trajtimin e pacientëve jo sipas protokolleve klinike të miratuara. Gjithashtu mungesa e tyre reflektohet në mënyrë të drejtpërdrejtë në cilësinë e ulët të kujdesit shëndetësor parësor dhe rritjen e kostove financiare të këtyre shërbimeve”, thuhet në raport.

Ekspertët e KLSH-së shpjegojnë edhe se si mungesa e këtyre protokollove rëndon  sistemin shëndetësor. “Protokollet klinike dhe procedurat standarde të punës nuk janë miratuar akoma zyrtarisht në spitalet rajonale dhe universitare, duke ndikuar ndjeshëm në keqpërdorimin dhe abuzimin me furnizimin dhe përdorimin me barna dhe materiale mjekësore”, citon KLSH, i cili sqaron më tej se hartimi i protokollove duhet “të jetë prioriteti kryesor i reformimit të sistemit të kujdesit shëndetësor” që do të çojë në në rritjen e transparencës, verifikueshmërisë, përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies, me qëllimin final rritjen dhe përmirësimin gradual të cilësisë së shërbimit spitalor.

Kosto më të larta

Përcaktimi se se sa lekë, i kushton një spitali çdo i sëmurë sipas diagnozave është “thembra e Akillit”, sipas KLSH. Pasi kanë analizuar të gjithë mënyrën se si bëhet vlerësimi i një kostoje, ekspertët që përfshihen në këtë proces, por edhe shpenzimet që përfshihen, KLSH është e mendimit se “sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre”.

Për këtë ekspertët që kanë audituar i referohen formulës që ka përdorur QSUT.   “Formula e vlerësimit të kostove është bërë duke u bazuar në shpenzimet e QSUT-së për konsumin e energjisë elektrike, ujit, pastrimit, hotelerisë, amortizim të ndërtesës, çmimet e barnave, medikamenteve të QSUT, etj”, por që për ekspertët e KLSH, nuk ëhstë e drejtë që të aplikohen edhe për sistemin jopublik.

“Përcaktimi i kostove nga këshilli teknik për hartimin e paketave duke marrë për bazë kostot direkte dhe indirekte të QSUT nuk mund të shërbejnë si kosto referencë për institucionet shëndetësore jopublike”, thonë eskpertët e KLSh, të cilët ngernë si shqetësim se në përllogaritjen e kostove të paketave bazë nuk janë të përfshirë ekonomistë, siç e parashikon ligji, por vetëm mjekë të QSUT-së, përfaqësues nga Ministria dhe Fondi.

Po ashtu KLSh konsideron si arbitrar “përcaktimin e marzhit të fitimit për paketat shëndetësore nga këshilli teknik dhe jo i përcaktuar sipas ndonjë studimi të mirëfilltë të analizimit të kostove dhe përcaktimeve ligjore për vendosjen e tij”.

Abuzimet me procedurat

Përfitimi i spitaleve jopublike në kurriz të atyre publike ka qenë gjithmonë një temë e nxehtë debati. Në bazë të marrëveshjes që kanë me Fondin, spitalet private janë kontraktuar për të ofruar një gamë të gjërë shërbimesh që për arsye të ndryshme, pacientët nuk mund t’i marrin në spitalet publike.

Nga auditi që ka ushtruar Kontrolli i Lartë i Shtetit rezulton se në të vërtetë Drejtoria e Shërbimeve Spitalore Universitare (DSHSUKS), nuk ka ushtruar asnjëherë kontrolle cilësore për respektimin e kontratave.

“DSHSUKS nuk ka realizuar asnjë mision kontrolli pranë QSUT dhe spitaleve universitare për respektimin e kushteve të kontratës të lidhur midis tyre. Kjo vjen pasi kjo Drejtori nuk ka një manual apo një metodikë të qartë për ushtrimin e kontrollit të këtyre paketave, duke u mjaftuar në zbatimin e disa detyra të përgjithshme që janë përshkruar në rregulloren e fondit”, thuhet në raport.

Spitale të paakredituara

Asnjë nga spitalet tona nuk është i akredituar, që do të thotë se askush nuk e di se çfarë cilësie shërbimi ofrojnë ata. Sipas raportit të KLSH-së, vetëm QSUT-ja ka aplikuar për t’u përfshirë në procesin e akreditimit në vitin 2016, por ende nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret, që është vetëvlerësimi i brendshëm, për t’u përfshirë në këtë proces të rëndësishëm. Ndërsa spitali i Shkodrës dhe ai i Vlorës, as nuk e kanë nisur procesin e akreditimit.

Raporti i ndërkombëtarëve

Në të njëtën linjë me problemet e vëna në dukje nga KLSH ka qenë edhe raporti “Euro Health Consumer Index 2017” i publikuar më 1 shkurt nga Health Care Powerhouse.

Nga 35 vende të përfshira nën monitorim, Shqipëria renditet në vendin e 27-të, por ekspertët sqarojnë se Shqipëria ka shmangur renditjen në vendet e fundit vetëm për shkak të aksesit të lartë që kanë qytetarët për të marrë një shërbim shëndetësor në Shqipëri.

 Sipas këtij raporti “Shqipëria vuan nga një strukturë shëndetësore e vjetëruar, me një kosto shumë më të lartë të pacientit kur shtrohet në spital në raport me kujdesin ndaj pacientit”.  

“Si pasojë, – citohet në këtë raport, – sistemi shëndetësor shqiptar nuk mund ta përballojë që një pacient të qëndrojë disa ditë në spital, pasi kjo i rrit së tepërmi kostot. Ata duhet të marrin mbështetje profesionale për të ristrukturuar shërbimet e tyre shëndetësore”, citon raporti i HCP, që po ashtu i rendit shqiptarët si ndër të parët që duhet të japin para nga xhepi për të përballuar kostot e sëmundjeve, dhe në vend të fundit sa i përket buxhetit që jep qeveria për shëndetësinë.  

Raporti shpjegon se “Shqipëria ndan të njëjtin problem me të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit, me përjashtim të Sllovenisë: është e vështirë të vlerësohet se cilat shërbime shëndetësore janë të aksesueshme pa pagesë nën dorë”.

Autor: Esmeralda Keta

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW