Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vodafone dhe Telekom gjobiten për shkelje të rëndë të konkurrencës

Autoriteti i Konkurrencës ka gjobitur dy kompanitë celulare Vodafone Albania dhe Telekom Albania për shkelje të rëndë të konkurrencës.
Vendimi i publikuar në faqen e Autoritetit shpjegon se vendimi për gjobitjen është marrë pas konstatimit se dy subjektet nuk kanë përmbushur detyrimet e vendosura nga Komisioni i Konkurrencës me vendimin Nr. 475, datë 21.09.2017.
Të dyja kompanitë janë gjobitur në masën 0.02 % të xhiros së secilës ndërmarrjeje për vitin paraardhës financiar, përkatësisht në shumën 3 011 173 lekë për Vodafone Albania dhe në shumë 1 779 108 lekë për ndërmarrjen Telekom Albania.

Çfarë kërkonte vendimi Nr.495?

Me vendimin e marrë në shtator të vitit të kaluar Autoriteti i Konkurencës u kërkonte tri kompanive, Vodafone Albania, Telekom Albania dhe Albtelecom, që brenda 90 ditëve nga hyrja në fuqi e vendimit të merrnin masa për aplikimin dhe publikimin e çmimit për njësi për çdo shërbim (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) që përmbajnë paketat standarde, por kjo nuk ka ndodhur.

Kjo kërkesë e Autoritetit është publikuar më datë 21.09.2017 pas përfundimit të hetimeve të nisura në maj 2017, pasi tri kompanitë celulare që zotërojnë 95% të tregut në Shqipëri, njehsuan kohëzgjatjen dhe çmimin e paketave bazë të komunikimit.
Sipas raportit kjo sjellje e kompanive ‘mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në kuadër të informacionit të plotë ndaj konkurrentëve të tjerë dhe efekteve të tyre në njësi dhe tarifa’.
Ofrimi i paketave me tarifë të përcaktuar për të gjithë njësitë e paketës dhe jo me çmim të detajuar për çdo element të saj (lekë/min., lekë/sms, lekë/MB, etj.) krijon konfuzion për konsumatorët.
Sipas OECD, kur konsumatorët nuk kanë informacion të mjaftueshëm, ose cilësia e tij është keq informuese ata mund të krijojnë konfuzion nga ofertat dhe të paguajnë më tepër ose mund të blejnë shërbime të cilat nuk i nevojiten. Fuqia e konsumatorëve dhe mbrojtja e tyre është shumë e rëndësishme nga aspekti ekonomik dhe social.
Një lëvizje e tillë e Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, u cilësua si një lëvizje e pastër oligopoli, prandaj gjatë periudhës hetimore janë realizuar inspektime, me qëllim gjetjen e provave direkte dhe indirekte të një marrëveshje të mundshme ose të një praktike të bashkërenduar mes ndërmarrjeve.

Si ndryshoi tregu?

Në mars të vitit 2016 tre prej kompanive celulare kanë ndryshuar vlefshmërinë e paketave kryesore standarde në harkun kohor të tetë ditëve, përkatësisht Albtelecom me 15 Mars 2016, Telekom me 21 Mars 2016 dhe Vodafone me 23 Mars 2016. Ndryshimi i bërë në këtë periudhë konsiston në ndryshimin e periudhës së mbulimit të paketave nga 30 ditë në 28 ditë.
Gjithashtu referuar analizës së sjelljes së ndërmarrjeve anëtarët e komisionit kanë vënë re se ‘në periudhën Mars – Prill 2017, 3 ndërmarrje përkatësisht Vodafone, Telekom dhe Albtelecom, për një periudhë 2 javore, duke ndjekur njëra – tjetrën kanë ndryshuar paketat standarde duke shkuar në të njëjtat tarifa dhe numër njësish për disa prej tyre’.
Në raportin e Komisionit të Konkurencës thuhet se ‘sjellja e mësipërme mund të shpjegohet nga ndërlidhja oligopolistike ku ndërmarrjet përshtatin strategjinë e tyre në lidhje me kombinimin e shërbimeve brenda paketave standarde’.
Por referuar inspektimeve të Komisionit nuk janë gjetur prova direkte apo indirekte që të provojnë që këto ndryshime kanë ardhur si pasojë e një marrëveshjeje të ndaluar apo sjelljeje të bashkërenduar midis tyre.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *