Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit: Deklaratat e Ramës tregojnë se ai nuk ka respekt për ligjet

Kryeministri i vendit Edi Rama, i ftuar mbrëmë në televizionin Top Channel, u shpreh edhe në lidhje me çështjen e Teatrit e cila është shtyrë për diskutim në Parlament në datën 20 shtator. Ligji Special i cili parashikon shembjen e Teatrit Kombëtar dhe dhënien e pronës publike në të cilën ai ndodhet subjektit privat “Fusha sh.p.k” u shty për diskutim pas kthimit nga Presidenti.

Edhe Komisioni Europian u shpreh për këtë çështje nëpërmjet një letre. Letra mban firmën e Shefes së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella, dhe i drejtohet Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, Engjëll Agaçi.

Burimi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Letra e Komisionit Europian
Burimi: Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit
Letra e Komisionit Europian

Në letër thuhet se ky ligj nuk e cenon Marrëveshjen e Stabilizim – Asociimit dhe se Komisioni Europian nuk ka kompetenca për të gjykuar mbi përputhshmërinë e Ligjit Special me kuadrin ligjor në Shqipëri, por Komisioni Europian inkurajon qeverinë që të hapë garën për të gjithë dhe të lejojë konkurrencën.

Kryeministri Rama u shpreh mbrëmë se i vetmi problem që kishte Ligji Special sipas Komisionit Europian ishte fakti që ligji i drejtohet vetëm një subjekti të vetëm.

“Unë prapë mendoj që ne kemi bërë gjënë e duhur, pavarësisht se ne do ta adoptojmë sipas sugjerimit të tyre”, tha Rama.

Ndërsa kur u pyet se a do të ishte sërish fituese kompania “Fusha sh.p.k”, Rama tha:“Një kompani tjetër që do dojë të ndërtojë teatrin, duhet të shkojë dhe të marri prokurat e pronarëve. Nëse i merr bujrum, ne nuk kemi asnjë problem”

Lidhur me vlerat e trashëgimisë kulturore që godina e Teatrit Kombëtar mbart Rama tha se ajo nuk ka asnjë vlerë dhe se toka aty është një karakatinë që nuk vlen asgjë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit që po proteston prej 5 muajsh për të mbrojtur teatrin dhe për të mos tjetërsuar pronën publike reagoi ditën e sotme me një deklaratë në të cilën i quan deklaratat e Kryeministrit skandaloze dhe  jo të vërteta.

Deklarata e plotë e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit: 

Deklaratat e djeshme të Kryeministrit Rama për Teatrin janë skandaloze.

Së pari, Aleanca nuk ka kërkuar një opinion subjektiv nga Komisioni Evropian nëse duhet ndërtuar apo jo një teatër i ri. Komisioni po ashtu nuk ka dhënë, e nuk ka pse të jepte një përgjigje të tillë. Ata janë pyetur për vlefshmërinë e procesit, të cilin e kanë rrëzuar.

Së dyti, Kryeministri ka deklaruar publikisht se i gjithë koncesioni është kërkuar prej tij e jo nga kompania Fusha. Ai ka pranuar se lejet e ndërtimit nuk jepen falë një plani urbanistik, por sipas dëshirave të tij. Ai nuk e pranoi haptazi, por është po ai që ka negociuar direkt me Bjarke Ingels për projektin, përsëri në shkelje të ligjit. Kjo deklaratë skandaloze mjafton që të fillojë më së paku një hetim ndaj marrdhënieve të tij me kompaninë në fjalë.

Së treti, Kryeministri ka pranuar se në truallin e projektit ka disa pronarë të tjerë privatë me të cilët një kompani tjetër duhet të negociojë. Në fakt pronarët privat nuk kanë asnjë marrveshje me Fushën, dhe është komplet e paqartë si e pse janë përfshirë në këtë projekt. Kjo është një shkelje e të drejtës themelore të pronës që po ashtu duhet hetuar sa më shpejt.

Deklaratat e djeshme tregojnë edhe njëherë se Kryeministri Rama nuk ka respektin më minimal për ligjet, rregullat dhe procedurat e vendit që drejton. Përtej problemit të Teatrit, që do mbrohet deri në fund, deklaratat e djeshme tregojnë se Kryeministri e konsideron Shqipërinë një feud personal të tijin.

*Citizens Channel /F.S/ 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *