Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Vlerësimi i burimeve të paidentifikuara tek lajmet

https://www.facebook.com/citizenschannel/videos/850649548658486/?__xts__

“Op – ed” ose “opposite of the editorial page” ose “opinion editorial” është një zhaner i gazetarisë i cili lejon autorin të shprehë pikëpamjet e veta mbi një çështje të caktuar me rëndësi për opinionin publik. Ky lloj shkrimi jo domosdoshmërisht përfaqëson qëndrimet apo pikëpamjet e linjës editoriale të redaksisë.

Në Shqipëri ngelet e vështirë ndarja midis fakteve dhe opinioneve për arsye se nuk ekzistojnë struktura të mirëfillta dhe të konsoliduara të teknikës “fact – checking”. “Fact – checking” ose kontrrolli i fakteve është ajo disiplinë e gazetarisë e cila mbikëqyr vërtetësinë e fakteve të shprehura. Në këto kushte është e vështirë të përcaktohet një “op – ed” i mirëfilltë i cili në bazën e tij ka një opinion të caktuar, por nuk përjashtohet në asnjë rast prania e fakteve për ta përforcuar atë.

Në lidhje me këtë çështje, Citizens Channel  zhvilloi një trajnim me gazetarë të rinj dhe studentë të gazetarisë. Trajnimi u udhëhoq nga gazetarja gjermane Joanna Izkek e cila aktualisht është editore e revistës IPJ Jornal e cila ka në fokus debatet për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Duke pasur parasysh ndarjen e paqartë në një artikull midis fakteve dhe opinioneve në mjedisin aktual mediatik në Shqipëri, studentët u njohën me definicionin e saktë se kur një artikull quhet “op – ed” dhe kur ai ka një karakter të mirëfilltë raportimi.

Citizens Channel është një media në të cilën kontributin më të madh e japin gazetarët e rinj të cilët gjatë trajnimit mësuan se edhe kur shkruhet një “op -ed”, ai duhet të jetë domosdoshmërisht i pajisur me fakte.

Artikulli i mëposhtëm jep një informacion më të detajuar në lidhje me “op – eds”, mënyrën se si dhe kur burimet e identifikueshme dhe të paidentifikueshme përdoren si dhe rëndësinë e tij në gazetari.

Vlerësimi i burimeve të paidentifikuara te lajmet

Më 5 Shtator, redaktorët e redaksisë së “New York Times” ndërmorën atë që ata e quajtën “hapi i rrallë i botimit të një eseje të quajtur Op-Ed”. Veprimi ngre një çështje të rëndësishme në gazetari dhe një mundësi për t’i mësuar studentët rreth vlerësimit të burimeve të paidentifikuara në lajme.

Me “burime të paidentifikuara”, po u referohem njerëzve që japin informacione të botuara në artikuj informativ, editoriale apo opinione, emrat e të cilëve nuk i zbulohen publikut. (Është e rëndësishme të mbani mend se identiteti i burimit është i panjohur për ne, lexuesit apo shikuesit, por dihet nga gazetari apo redaktorët e organizatës së lajmeve).

Të qenit një konsumator kritik i lajmeve përfshin kuptimin dhe vlerësimin e llojeve të ndryshme të burimeve për të gjykuar me saktësi nëse një artikull është i besueshëm. Por vlerësimi i burimeve të paidentifikuara kërkon një vëzhgim më të ngushtë të gazetarëve dhe organizatave të lajmeve.

Shumica e artikujve në mënyrë rutinore ja atribuojnë faktet kyçe një burimi, i cili identifikohet me emër dhe titull, domethënë ka informacion që na tregon pse burimi e njeh dhe është në gjendje të komentojë mbi temën.

Kur burimi nuk dihet, ekzistojnë dy elementë kyçë që duhen marrë në konsideratë nga konsumatorët e lajmeve: pse burimi dëshiron anonimitet dhe cilat janë motivet pse ata po shpërndajnë informacion.

Në përgjithësi, në gazetari ka tre nivele të atribuimit. Gazetarët e mirë vendosin rregullat bazë me burimet e tyre para fillimit të raportimit.

I identifikueshëm: Burimi lejon që fjalët e tyre të citohen dhe emri i tyre të përdoret në histori.

Jo i atribuar: Informacioni nga burimi do të përdoret në histori, por burimi do të jetë pa emër.

I paidentifikueshëm: As emri i burimit as informacioni nuk do të përdoren drejtpërdrejt në histori (gazetari mund të përdorë informacionin për të kuptuar më mirë subjektit e tij, por detajet specifike nuk do të publikohen).

“Jo i atribuar” duket se është në kundërshtim me kodin e etikës për Shoqatën e Gazetarëve Profesionistë (SPJ), e cila thotë se gazetarët duhet t’i ‘identifikojnë qartë burimet’. Publiku ka të drejtë të ketë sa më shumë informacion që të jetë e mundur për të gjykuar besueshmërinë dhe motivimin e burimeve”.

Atëherë, pse gazetarët përdorin burime të paidentifikuara, duke qenë se kjo mund të rrezikojë besimin që publiku ka në punën e tyre?

Në fund të fundit, publiku duhet të dijë nëse personi është në gjendje të jetë plotësisht i informuar për çështjen, apo nëse ai ose ajo ofron një version të shtrembër që i shërben qëllimeve të tyre, e jo tonave.

Detyrat e organizatave të lajmeve

Për fillestarët: Organizatat e mira të lajmeve nuk publikojnë informacione nga burime të paidentifiuara pa marrë parasysh disa kritere.

Si gazetar Jason Grotto i ProPublica Illinois shkroi se kodi i etikës së organizatës së tij lejon që burimet të mbesin të paidentifikuar “vetëm kur ata këmbëngulin dhe ofrojnë informacion jetik”, “kur nuk ka rrugë tjetër për të marrë atë informacion” dhe kur gazetari e di se burimi është “i mirë informuar dhe i besueshëm”.

Në fakt, gazetarët i ndajnë emrat e këtyre burimeve me redaktorët e tyre, të cilët vlerësojnë nëse kriteret janë plotësuar.

Kodi i etikës i SPJ gjithashtu thotë se gazetarët duhet të “konsiderojnë motivet e burimeve” para se të premtojnë anonimitetin.

“Rezervoni anonimitetin për burime që mund të përballen me rrezik, ndëshkim apo ndonjë dëm tjetër dhe merrni informacion që nuk mund të merret diku tjetër”.

Motivet variojnë: Burimet mund të jenë duke folur shumë, duke ekspozuar korrupsionin ose sjellje të tjera kriminale. Ata mund të ndihen të detyruar të ndajnë informacionin.

Ose, dhe gazetarët e mirë e dinë këtë, ata mund të kenë interesat e tyre primare. Kjo jo domosdoshmërisht skualifikon saktësinë e informacionit, por kjo është arsyeja pse gazetaria cilësore përpiqet të ketë fakte të verifikuara nga burime të shumta.

Mbulimi i lajmeve me burime të paidentifikuara i detyron konsumatorët e lajmeve të kërkojnë sa më shumë që të jetë e mundur, se pse personit iu dha anonimiteti dhe pse motivet e burimit nuk e zhvlerësuan vlerën e informacionit.

Detyrat e konsumatorëve të lajmeve

Sfida për konsumatorët e lajmeve është se nuk kemi asnjë mënyrë për të verifikuar atë që ka publikuar gazetari. Ne duhet të vendosim nëse do t’i besojmë gazetarit dhe organizatës së lajmeve. Për fat të mirë, ka disa veprime që mund t’i ndërmarrim të cilat ndihmojnë në ndërtimin e atij besimi.

Kur vlerësojmë një artikull lajmi që citon burime të paidentifikuara, duhet të tërhiqemi një hap prapa dhe të angazhohemi në leximin të thelluar për gazetarin që shkroi artikullin dhe organizatën e lajmeve që botoi historinë. Ne duhet të kalojmë kohë duke kërkuar artikuj të tjerë të këtij gazetari.

Sa shpesh përdorin burime të paidentifikuara? A shkruajnë rregullisht për këtë temë të caktuar, duke treguar se kanë njohuri të thella? A janë historitë e tyre kryesisht lajme apo botojnë opinione? A i ka përmbushur gazetari dhe organizata e lajmeve detyrimet në lidhje me burimet e paidentifikuara?

Një tjetër pikë e vlerësimit është nëse gazetari na ka dhënë kontekst të mjaftueshëm për burimin anonim për të përcaktuar disa nivele autenticiteti. Duke kërkuar për frazat kryesore na tregon diçka në lidhje me burimin.

Në postimin e tij në blogun “FiveThirtyEight”, “Kur duhet të besosh një histori që përdor burime të paidentifikuara”, Perry Bacon Jr ofron pesë detaje që lexuesit duhet të kërkojnë kur vlerësojnë një histori që përdor burime të paidentifikuara.

Postimi pasues i Bacon, “Cilët burime anonime janë të vlefshme për t’i kushtuar vëmendje”?, shpjegon se si të gjykojnë tituj të ndryshëm të aplikuar për burime të paidentifikuara si “zyrtarë të Pentagonit”, “burime të njohura me…” dhe “zyrtarë të zbatimit të ligjit”. Sa më shumë detaje të dhëna nga gazetari, aq më e shumë mund ta besojmë informacionin.

Më thellësisht, a ka shpjeguar artikulli se pse burimi është anonim? Të japësh një arsye për anonimitetin është diçka që mund ta vlerësojmë. Megjithëse nuk duhet të pajtohemi me të, mund të gjykojmë pse u dha anonimiteti.

Duhet të kontrollojmë gjithashtu nëse organizata e lajmeve ka një politikë të publikuar për përdorimin e burimeve të paidentifikuara. Këtu janë shembuj nga The Washington Post, NPR dhe Associated Press.

Nuk duhet të heqim dorë nga përdorimi i burimeve anonime. Kur bëhet fjalë për raportimin e qeverisë, gazetarët gjejnë se duhet të mbështeten në burime që kanë frikë të emërohen. Të njëjtët gazetarë e pranojnë se përdorimi i burimeve anonime mund ta bëjë punën e tyre më pak të besueshme.

Margaret Sullivan, ish-redaktore publike e New York Times, në një kolonë të vitit 2013 citoi një redaktor të sigurisë kombëtare, i cili tha për burimet e qeverisë: “Është pothuajse e pamundur të merrni njerëz që dinë asgjë për të folur”, veçanërisht në procesverbal. “Pra, ne jemi të zënë ngushtë me këtë dilemë.”

Është e rëndësishme të kuptohet se përdorimi i burimeve anonime është në disa raste i pashmangshëm, por gazetarët e mirë përpiqen të shmangin këtë. Ajo që ne si konsumatorë lajmesh duhet të bëjmë është të vendosim njëfarë besimi te gazetarët profesionistë që do të na japë informacionin përkatës për të ditur se informacioni nga këto burime është verifikuar dhe se anonimati i burimit ishte e vetmja mënyrë për ta marrë atë.

Sa i përket New York Times-it, autori është identifikuar si një “zyrtar i lartë në administratën Trump”; redaktorët gjithashtu thonë se “puna e këtij personi do të rrezikohet”. Ngre debat nëse redaktorët e faqes kanë marrë një vendim të mirë për botimin e këtij opinioni.

Dhe kjo është ajo që ne si konsumatorë kritikë të lajmeve duhet të jemi në gjendje të bëjmë: Të vlerësojmë informacionin në dispozicion dhe të vendosim vetë nëse ajo që është botuar është e besueshme.

Burimi: The News Literacy Project

Përktheu dhe përshtati: Citizens Channel/ F.R

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *