Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta drejt Kryeministrisë dhe Presidencës për të kërkuar tërheqjen e ligjit të Teatrit Kombëtar

Ditën e djeshme, Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, një grupim i përbërë nga qytetarë, artistë dhe intelektualë, kishte parashikuar të protestonte para Presidencës, për të kërkuar mos dekretimin e këtij ligji, mirëpo Presidenti e tha fjalën e tij më herët.

Protesta u zhvendos fillimisht përpara Kryeministrisë, ku iu kërkua Kryeministrit Rama të heqë dorë nga ky ligj ose të dorëhiqet.

“Duhet reagim i fortë. Presidenti Meta për mua ka bërë një akt shumë të rëndësishëm, unë do e quaja historik, dhe e them pse: Sepse po ta shikoni me kujdes në interpretimin e ligjit, ai ka marrë një ligj me të njëjtin numër dhe thotë formalisht ky mund të jetë i njëjti ligj, po në përmbajtje nuk është i njëjti ligj. Që do të thotë ka bërë interpretim, që do të thotë ka bërë Gjykatën Kushtetuese, që do të thotë se ka bërë atë që duhet të bëjë një institucion, kur këtu institucionet e tjera kanë rënë”, u shpreh pedagogu Ervin Goci para  Kryeministrisë.

Pas një qëndrimi të shkurtër pranë Kryeministrisë ku u kërkua të hiqet dorë nga ky ligj ose që kjo çështje të “ngrijë” deri sa të riformohet Gjykata Kushtetuese, protestuesit iu drejtuan Presidentit dhe e falenderuan duke e duartrokitur për vendimin e marrë.


“Zoti President, doja t’ju falenderoja personalisht, jeni personi i vetëm në 27 vite demokraci që shpëtuat Teatrin Kombëtar nga një shembje e sigurt. Bëtë detyrën tuaj dhe i dolët për zot këtij shteti që po shkon në drejtim të paditur. Kisha një kërkesë: kaq, më vjen keq, por nuk mjafton. Ne duhet të restaurojmë Teatrin Kombëtar”, u shpreh regjisori Robert Budina para godinës së Presidencës.

Presidenti Meta ktheu dje sërish për shqyrtim në Kuvend ligjin e shumëdiskutuar për Teatrin Kombëtar.  Mënyra se si është hartuar ky ligj dhe përpjekjet për ta implementuar sa më shpejt nga ana e Qeverisë ka ngjallur debate dhe reagime të shumta edhe nga institucionet ndërkombëtarëve.

Në një letër të hapur Bashkimi Evropian ka sugjeruar që në garën për prokurimin e marrjes së territorit të Teatrit Kombëtar të mos ketë vetëm një firmë, por disa. Kjo ka shërbyer si indicie që ligjin e vjetër për teatrin i cili parashikohej me ligj t’i jepej vetëm një firme, qeveria ta ndryshonte duke hapur garën për të gjithë.

Ligji i parë u kthye nga Presidenti Meta për rishikim në Kuvend duke renditur 9 shkelje, ndër to cenimi i veprimtarisë së lirë ekonomike, natyra antikushtetuese e ligjit dhe cenimi i marrëveshjeve të nënshkruara nga shteti shqiptar me organizata ndërkombëtare.

Maxhoranca, pak javë më parë, hartoi një ligj të ri mbi bazën e ligjit të vjetër, duke bërë një ndryshim të vetëm thelbësor: hapjen e garës për të gjitha kompanitë që duan të konkurrojnë për  të ndërtuar një teatër të ri në hapësirën e teatrit ekzistues.

Presidenti Meta ditën e djeshme e ktheu edhe këtë ligj në Kuvend për rishikim duke argumentuar se në thelb nuk është zgjidhur asnjë nga 9 shqetësimet e ngritura të cilat e kanë origjinën nga ligji i mëparshëm. “Kuvendi megjithëse është përpjekur që të plotësojë vetëm 1 (një) prej konstatimeve kushtetuese të Presidentit të Republikës dhe që kishte të bënte me trajtimin preferencial dhe jo të barabartë të një subjekti privat, sërish edhe me ligjin e ri të miratuar, Kuvendi rezulton se nuk ka arritur ta zgjidhë edhe këtë çështje”, u shpreh Presidenca.

*Citizens Channel

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *