Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Protesta: Ballkani nuk pranon të japë lumenjtë për HEC-e

Rreth 5000 njerëz dolën në rrugë një javë më parë në Serbi në një protestë për të mbrojtur lumenjtë e vendit për shkak se është planifikuar ndërtimi i qindra hidrocentraleve në to. Më shumë se 850 hidrocentrale janë planifikuar të ndërtohen në Serbi ndërkohë që 200 prej tyre do të jenë brenda zonave të mbrojtura të natyrës si Parqe Kombëtare ose Parqe Natyrore.

Me banera si “Nuk jua japim lumenjtë tanë”, “Shpëtoni ujin tonë” turma protestoi para qeverisë në Beograd.  Organizatorët, nga i gjithë vendi, kërkuan ndalimin e çdo projekti që parashikon ndërtimin e hidrocentraleve, veçanërisht atyre që konsiderohen hidrocentrale të vegjël. Mesatarisht 95% e e projekteve të planifikuar për t’u ndërtuar në Serbi janë hidrocentrale të vegjël dhe janë kryesisht me turbina të instaluara deri në 10 mega wat fuqi. Në këto lloj hidrocentralesh uji zakonisht shkon nëpërmjet tubave duke i tharë pothuajse lumenjtë dhe përrenjtë.

Debatet për Parkun Natyror Stara Planina, një zonë e mbrojtur në kufi me Bullgarinë, u bënë të ditura në të gjithë Serbinë. Pavarësisht statusit të zonës së mbrojtur, autoritetet siguruan një leje për ndërtimin e 60 hidrocentraleve të vegjël. Kjo çoi në një rezistencë të madhe. Megjithëse dy hidrocentrale të vegjël u ndërtuan, 57 të tjerët nuk u ndërtuan për shkak të rezistencës në vend. Së fundmi Gjykata Administrative anuloi lejet për këto projekte.

Çdo herë dhe më shumë njerëzit në Ballkan janë duke mbështetur çështjet e natyrës. “Gratë e forta të Kruscica-s” në Bosnjë dhe Heregovinë bllokuan aksesin në një urë për rreth 500 ditë dhe net për shkak të ndërtimit të një hidrocentrali. Në fundin e vitit të kaluar rezistenca e tyre u shpërblye për shkak se gjykata vendosi se lejet e dhëna për ndërtimin e dy hidrocentraleve të vegjël ishin dhënë në mënyrë të paligjshme.

“Populli i Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit janë të ngopur me politikanët dhe sistemet korruptive duke vjedhur lumenjtë dhe ujin e tyre dhe pastaj duke e shitur atë si mbrojtje klimatike. Protesta në Beograd ishte shumë motivuese për të gjithë ata që advokojnë për mbrojtjen e lumenjve në Ballkan. Zemra Blu e Evropës rreh mes Sllovenisë dhe Greqisë, duke pritur lumenjtë më të rëndësishëm dhe biodiversitetin më unik në kontinent. Megjithatë 3,000 projekte hidroenergjetike të planifikuara e vënë të gjithë rajonin në rrezik “, thotë Ulrich Eichelmann nga Riverwatch.

Tiranë, protesta për mbrojtjen e Kanionit të Holtës dhe Parkut Kombëtar të Zagorisë

Një javë më parë, edhe në Tiranë u zhvillua protestë nga aktivistë, qytetarë dhe ambientalistë. Të mbledhur në sheshin Skënderbej ata kundërshtuan projektet që kërcënojnë natyrën në Kanionin e Holtës dhe në Parkun Kombëtar të Zagorisë.

Në Kanionin e Holtës, i cili ka mirëpritur turistë nga vendi dhe jo vetëm,kanë nisur punimet për ndërtimin e një Hidrocentrali. Ndërsa në Parkun Kombëtar të Zagorisë, kompania holandeze Shell, do të nisë në pranverën e këtij viti gërmimet për gjetjen e rezervave të naftës. Këto zona janë pasuri kombëtare me vlera natyrore dhe kulturore si dhe me një shumëllojshmëri të faunës dhe florës.

Një nga pjesëmarrësit e protestës së organizuar për Holtën dhe Zagorinë është shprehur : “Duke ndaluar prishjen e Kanionit të Holtës ne do të ndalojmë edhe kush guxon të kërkojë të ndërtojë HEC-e edhe në Osum edhe në Nivicë.”

Thirrje për solidarizim dhe bashkim për mbrojtjen e zonave të mbrojtura kanë shprehur edhe aktivistë të tjerë: “Ne nuk jemi kundër zhvillimeve, kundër kërkimeve për naftë, apo ndërtimeve për energji elektrike. Por duhet t’i bëjmë pyetje vetes së pari se ku shkon kjo energji elektrike? Pse ne jemi akoma në kusht mesjete? Jemi vendi që kemi çmimin më të lartë të naftës si në rajon si në Europë.”

Protesta u zhvendos pranë Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit, ku qytetarët kërkuan zbatimin e ligjit për zonat e mbrojtura dhe veprime konkrete në mbrojtje të tyre. Marshimi vazhdoi drejt Ministrisë së Infrastrukturës ku u përsëritën kërkesat e tyre për ruajtjen e natyrës, për t’a mbyllur më pas përpara Kryeministrisë.

“Kjo që ne po kërkojmë është një e drejtë që garantohet me ligj. Ligji për zonat e mbrojtura është i qartë.”


Pas reagimit qytetar, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në një deklaratë për shtyp u shpreh se procesi i ndërtimit të HEC-eve jo vetëm për Kanionin e Holtës, por edhe në të gjithë vendin do të pezullohen dhe do të kalojnë në një proces verifikimi.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku u shpreh: “Kam vendosur ngrirjen e të gjitha konkratave jo operative deri në daljen e raportit të skanimit të tyre. Po ashtu do të bashkërendojmë me Ministrinë e Turizmit dhe te Mjedisit për një qasje ligjore dhe administrative të integruar në mënyrë që të mos përsëriten më situata ligjërisht të pa atakueshme, por faktikisht të papranueshme siç është rasti i fundit në Gramsh.” 

Por kjo deklaratë nga ana e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë nuk garanton anulimin e plotë të HEC-eve. Për këtë arsye qytetarët, aktivistët dhe ambjentalistët, kanë bërë thirrje për t’u mbledhur sërish më datë 9 shkurt në orën 12, në Tiranë për të protestuar për mbrojtjen e lumenjve, parqeve Kombëtare dhe çdo pasurie natyrore e cila rrezikohet.

“Të shpëtojmë natyrën është detyrë qytetare dhe kombëtare. Nga jugu në veri dhe lindje, Shqipërisë po i cënohet jeta e qindra shqiptarëve si rezultat i këtyre projekteve korruptive, mafioze dhe abuzive. Holta-Valbona-Zagoria-Vjosa-Shebenik-Jabllanic, Gryka e Vanave dhe Kanioni Shejes në Bicaj të Kukësit, Seta dhe Çidhna në Dibër, Urak dhe Fan në Mirdite, Kanioni Osumit, guroret në Tomorr, guroret në Sotirë-Kolonjë, Kanionet e Nivicës, lumi Cem Tamar-Kelmend etj”

Citizens Channel /L.K/ /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *