Pak rëndësi ka nëse është dita më e nxehtë e verës ose dita më e ftohtë e dimrit, Petrit Kupit i duhet të qëndrojë jashtë.
Ai është 85 vjeç me origjinë nga Elbasani, por ditët dhe netët prej 4 – vitesh i kalon në Tiranë, ndërsa 6 fëmijët e tij qëndrojnë tek Bregu i Lumit.
Ai tregon për Citizens Channel se të ardhurat i siguron duke kërkuar lëmoshë nga kalimtarët dhe nuk ngurron të tregojë se shpeshherë ka dhe probleme me policinë bashkiake.
“As pysin, dalim e lypim vjen polici, ik. Po ca zonë kufitare është kjo, nuk më lenë. Në rregull. Dhe kafsha që a kafshë do t’hajë, jo robi. Mahet shtëpia me i lek, dy lekë?”
“Ja do rri gjithë natën unë t’lyp noj lek. Ja, pse jetë është kjo? Kjo është jeta e vështirë. Fukarai i shkretë ka qenë një i shtypur dhe i shtypur do jetë gjithmonë”, përmbledh vuajtjen dhe përpjekjet për të mbijetuar Petriti.
I papunë, me 6 fëmijë dhe me një ndihmë ekonomike të hequr, prej 4 vitesh Petriti sillet netëve nëpër Tiranë për të siguruar ndonjë të ardhur apo ushqim për fëmijët e tij të vendosur tek Bregu i Lumit. Ai bën dhe diferencën e jetës si tij me kohën që jeton në Tiranë dhe atë të kaluar në Itali duke rrëfyer për Citizens Channel:
“ Jo re, kam qenë n’Itali, pasha zotin, t’kënaqin, t’puthin dorën, si je, si shkon, nuk të bërtasin, t’japin rrobe, noj t’re. Po ne ikim se…Po rrobe me tasin kshu rrugvet..M’thoshin italianët, po pse ikën Petro thoshin, ti hanke tërë detin thoshte aj.”
Mirëpo, sfida e Petritit nuk është vetëm përballë institucioneve apo policisë bashkiake me të cilën i duhet të përballet jo rrallë herë. Sfida e tij është dhe me vetë shoqërinë.
Kjo e fundit ndoshta është më e vështira për ta përballur.
“Hajt ma, unë nuk kam moshë t’rri përjashta apo jo, për moshën që kam apo jo, se ti m’kupton. Unë jam të rri, t’pi një cigare, kafe e të rri si gjithë të tjerët. Edhe kur shkoj për kafe nuk pranojnë. Për ca? Për kafe. Nuk ka kafe”, tregon për Citizens Channel ai.
E njëjta gjë ndodh dhe kur kërkon të jetojë në një shtëpi me qera.
“Joo, nuk do pronari … (tregon veshjet qe është lypës prandaj se pranojnë)
Edhe ikim ne. Thashë shkojmë te ato që japin kafe fukarenjve. Aty na e japin me një gotë edhe e pimë, si ai qeni.”…
Pa një ndihmë sociale dhe në kushte shumë të vështira jetese, Petriti rrëfen copëza jete për Citizens Channel:
” Ja, m’lau çuni, vuri ashtu një tenxhere ujë, u la, po hajt mo. Po kalamoj, njeri ftohet, në dimër, po n’dimër kush do t’lajë. E pra,..Ku t’shkoj, te plaka ime, çohu moj më jep shpi. Nuk japin shpi”…tregon ai.
Gjendja e personave në situatë rruge…institucionalisht
Një studim i qendrës “T’reja” e cila është një qendër që merret me të drejtat e njeriut në Shqipëri, bazuar në vëzhgimet në terren dhe vëzhgimet në qendrat sociale ditore dhe njësitë administrative në Bashkinë Tiranë, evidentoi 147 persona në situatë rruge.
Studimi hedh dritë dhe mbi gjendjen sociale të personave në situatë rruge.
Ajo që vihet re në mënyrën si buxheti për këtë kategori shpenzohet, është se më shumë se 50% shkon për pagat e punonjësve, ndërkohë që shihet nevoja materiale mbështetëse për frekuentuesit e qendrave ditore. Për të përmirësuar situatën dhe për të rritur cilësinë e shërbimit në qendrat sociale qendra T’Reja ka rekomanduar 8 pika kryesore që konsistojnë në :
- Bashkëpunimin me donatorë dhe aktorë të tjerë lokalë e qendrore
- Fleksibilitet në ofrimin e shërbimit
- Trajtimi rast pas rasti i frekuentuesve/qasje ndërsektoriale
- Koordinim i shërbim ofruesve
- Shtimi i profesionistëve në përputhje me numrin e përfituesve të shërbimit
- Rritja e kohës së shërbimit në qendrat sociale
- Përfshirja e grupeve përfituese në hartimin e planit
- Ndarja e eksperiencave pozitive
Ndërsa Bashkia Tiranë, si përgjigje ndaj një kërkese për informacion të Citizens Channel ka listuar 6 qendra sociale ditore të cilat ofrojnë shërbime sociale multidisiplinare për kategoritë në nevojë të financuara tërësisht nga buxheti i shtetit, ndër të cilat vetëm një ofron strehim të përkohshëm. “Qëllimi i kësaj strehe”, shprehen përfaqësuesit e bashkisë, “është mundësimi i një strehe emergjente të përkohshme për të pastrehët e identifikuar në situatë rruge në qytetin e Tiranës”.
Sipas Bashkisë qendra ka një kapacitet prej 30 shtretërish dhe ofron shërbime çdo ditë 20:00 – 8:00. Asnjë nga personat në situatë rruge të kontaktuar nga Citizens Channel për realizimin e ciklit “Të pastrehë dhe të padukshëm”, nuk tregoi se ka marrë shërbim nga ky institucion.