Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Diga e HEC-it në Holtë u shemb për tu zhvendosur

Pas pezullimit 7 muaj më parë të punimeve, ka nisur të shembet sot diga e HEC-it të ndërtuar pranë Kanionit të Holtës në qytetin e Gramshit. Kryeministri Edi Rama, pak minuta më herët bëri me dije se bukuria e Holtës nuk do të preket dhe HEC-i nuk do të ndërtohet aty.

“Dhamë fjalën publikisht që JO, ky HEC nuk do të ndërtohej aty dhe PO, ky HEC nuk do të ndërtohet aty.”


 Reagimi erdhi edhe nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë e cila me anë të një statusi në facebook deklaroi se shqetësimi i banorëve të Gramshit mori zgjidhje. 

“Ka nisur shembja e pllakës së betonit ndërtuar në afërsi të kanionit, për ta shndërruar këtë vend të mrekullueshëm në një pikë turistike, duke i rikthyer orgjinalitetin e vet”

Edhe kryetari i Bashkisë Gramsh, Klodian Taçe, falenderoi ata që mbështetën interesat e qytetarëve të Gramshit. 

“Iku koha kur Bashkia e Gramshit përbuzej dhe pasuritë e shumta natyrore përdoreshin për përfitime personale të një grupi të caktuar personash. 
Bashkia Gramsh nën drejtimin tim nuk do lejoj asnjë investim, sado strategjik të jetë nëse cënon pasuritë natyrore të zonës.”

Në të gjitha deklaratat e tyre, konstatojmë se diga pranë Kanionit të Holtës do të prishet, por nuk thuhet se ajo nuk do të rindërtohet sërish.  

Mediat lokale, kanë raportuar se HEC-i nuk është anuluar, madje ditët e fundit ka pasur intensifikim të punimeve. Në zonën pranë Kanionit janë parë kamionat dhe tubat e mëdha të sjella nga kompania private “Era Hydro”, të cilët do të bëjnë të mundur marrjen e ujit nga rrjedha e lumit.


 

Sipas ligjit të ri për Zonat e Mbrojtura, ndërtimet pranë monumenteve natyrore duhet të bëhen mbi 200 m larg perimetrit të monumentit.  Xhek Nezha, drejtor i Agjencisë së Zonave të Mbrojtura Elbasan, tha për Citizens Channel se prishja e digës i shërben zbatimit të ligjit të ri për zonat e mbrojtura, që nuk lejon asnjë ndërtim në një perimetër prej 200 metrash nga zonat e mbrojtura.

 “HEC-i që filloi punimet në janar ishte në kundërshtim me ligjin e ri te Zonave te Mbrojtura , pasi distanca nga kanioni tek diga ishte 145 m, ndërsa me ligj duhet mbi 200 m. Por me ligjin e vjetër ishte në rregull pasi ka qenë 50 m.”

Nezha shton se nëse diga do të vazhdonte të qëndronte në atë vendndodhje rrezikonte mbushjen e kanionit me inerte.

 “Për mua si specialist mjedisi dhe si drejtor, të gjitha HEC-et kanë impakte në mjedis. Rasti në fjalë, po të qëndronte diga aty ku ishte rrezikonte të mbushej gryka e kanionit me inerte, pasi disniveli nga gryka e kanionit dhe diges ishte i vogël. Tani diga do ndërtohet poshtë ku del uji i HEC-it , që është ndërtuar vite me parë dhe për kanionin nuk do ketë më impakte negative“.

Punimet për ndërtimin e HEC-it nisën në fillim të vitit 2019, si rezultat i miratimit të lejes së ndërtimit nga Ministria e Energjetikës dhe Infrastrukturës.

Për shkak të protestave të qytetarëve kundër ndërtimit të HEC-it, punimet u pezulluan menjëherë. Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku zhvilloi një dëgjesë me banorët e Gramshit, ku tha se do të verifikohej leja e dhënë për HEC-in.  Gjatë dëgjesës ajo u shpreh:  “Por dua ta them shumë qartë, vërtetë HEC-ët e vegjël kontribuojnë në ekonomi por dhe mund të dëmtojnë ekonomikisht shumë më tepër sesa kontributi i tyre, nëse për një HEC-i të vogël i bie vlera një pasurie të madhe natyrore. Ndaj na duhet një ekuilibër perfekt mes zhvillimit ekonomik dhe mbrojtjes se pasurive tona natyrore, të cilat janë pasuria më e madhe që ne shqiptarët kemi.”

Kanioni i Holtës është një nga mrekullitë shqiptare që ndodhet në verilindje të Gramshit, ndërsa lumi Holta nis shtrirjen e tij nga fshati Bardhan deri në fshatin Kobash me gjatësi rreth 3 km, ndërsa shpatet e luginës ngjiten lartë deri në lartësi 100 – 150 m dhe me thellësi të ujit që shkon deri në 3 m. Vitet e fundit ai është kthyer në një atraksion turistik për qytetarët. 

 

*Citizens Channel /E.K/

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *