Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Reklamat seksiste në Shqipëri; Aktivistja: “Reagimi është detyra jonë”

Sistemi patriarkal është një sistem i cili në thelb konsiston në mbizotërimin e gjinisë mashkullore ndaj asaj femërore. Rolet, detyrat dhe pritshmëritë janë të ndara sipas seksit dhe individi në çdo stad të jetës pritet të sillet sipas normave të përcaktuara nga shoqëria (Organziata Botërore e Shëndetësisë). Gratë pritet të jenë të bindura, të nënshtruara, pa të drejtë fjale në familje dhe shoqëri, kujdestare të fëmijëve dhe anëtarëve të tjerë të familjes, nga ana tjetër, burrat pritet të jenë të fortë, joemocionalë, drejtuesit e familjes, trashëgues të mbiemrit, pronës dhe burimi kryesor i të ardhurave. Lëvizja feministe  ka në thelb kundërshtimin e këtyre kodeve morale të cilat cënojnë drejtpërdrejtë të drejtat dhe liritë themelore të grave dhe burrave. 

Gresa Hasa është aktiviste aktiviste e Organizatës Politike dhe Lëvizjes Për Universitetin. Në veprimtarinë e saj të përditshme, Gresa i jep një fokus shumë të madh dhunës me bazë gjinore dhe rolit të gruas në Shqipëri.  Para pak javësh ajo ka shkruar parullën politike “Poshtë patriarkati” në një nga posterat e një kompanie private e cila ofron shërbime të internetit.

“Ku qëndron lidhja mes imazhit të përçudnuar të një gruaje të re, të reduktuar në atë që i përngjan më së shumti një vogëlusheje epshndjellëse dhe një kompanie interneti që po rreket të shesë shërbimin e vet në treg? Ç’lidhje ka pra mes pedofilisë së imazhit në fjalë dhe shërbimit të internetit që ofron kompania? Lidhjen e mundëson një sistem shfrytëzimi që punon kundër grave” shprehet Gresa Hasa gjatë intervistës së saj për Citizens Channel. Sipas saj, imazhet e vazhdueshme të grave në media nuk bëjnë asgjë më shumë veçse përforcojnë stereotipet gjinore dhe rëndojnë më tej situatën në të cilën ndodhen vajzat dhe gratë në shoqërinë shqiptare.

Sulltana Aliaj është psikologe klinike dhe pedagoge pranë Universitetit të Tiranës. E pyetur rreth arsyes pse kompanitë vazhdojnë të kenë imazhin kryesor të tyre gruan si objekt seksual, ajo sqaron: “Qëllimi kryesor i reklamimeve është që të të tërheqin vëmendjen e konsumatorit dhe ta bindin për blerje. Për ta përmbushur këtë qëllim, reklamat duhet ta bëjnë trurin tonë të reagojë. Mesa duket reklamat me përmbajtje seksuale e arrijnë më së mirë këtë gjë”.

Duke hyrë më tej në psikologjinë e konsumatorit, Aliaj na bën me dije se ekziston një lloj lidhjeje me imazhin e paraqitur dhe dëshirën e brendshme për të pasur dukjen dhe fizikun e atyre personazheve me të cilën media na bombardon çdo orë të ditës.  

Lexo më shumë: Seksizmi në media nxit depresionin; psikologja: “Vajzat duhet të edukohen me thyerje të tabuve”

Këto reklama përdoren dhe shesin produkte për arsyen e thjeshtë se ne na pëlqen të ëndërrojmë. Ne e duam ëndrrën. Ne mendojmë se ndoshta mund të dukemi si modelet, nëse blejmë produktin e duhur dhe hamë ushqimin e duhur. Nënndërgjegjja jonë na thotë se nëse blejmë birrën ose  përzgjedhim parfumin e duhur, mund të tërheqim supermodelën në kuti apo mund t’i ngjajmë asaj”.

Gresa Hasa tregon se vendosi të ndërmarrë veprimin e mësipërm ndaj posterit që ajo e quan “me përmbajtje thuajse pornografike”, pasi sipas saj reagimi është jo vetëm zgjedhje politike, por edhe detyrë e jona si shoqëri.

“Ne nuk jemi copa mishi të tregtueshme për lakminë e paepur të kësaj pakice! Ne nuk jemi objekte seksuale dhe nuk ekzistojmë për të shuar epshet e burrave të shoqërisë! Ne nuk e pranojmë këtë rol degradues që tentohet të na mvishet me dhunë e po aq refuzojmë të jemi viktima! Reagimi është detyrë primare jona, jo thjesht zgjedhje politike”.

Sipas psikologes Sulltana Aliaj, këto imazhe të vëna në dukje nga aktivistja Hasa ndikojnë në psikologjinë e të rriturve por edhe brumosin sjellje negative tek fëmijët, duke i drejtuar shpesh ndaj qëndrimeve dhe sjelljeve që lidhen me bullizimin.

Kështu, edhe fëmijët në moshën parashkollore preferojnë të kenë shokë dhe shoqe që janë me trup të ngjashëm me imazhet televizive dhe priren që të anagzhohen në sjellje ngacmuese ndaj fëmijëve që mund të jenë më të shëndoshë. Fëmijët priren që të bullojnë më tepër vajzat mbipeshe, sesa djemtë, duke pohuar edhe njëherë qartazi fenomenin e objektifikimit seksual”.

Sulltana Aliaj dhe Gresa Hasa e shohin edikimin si formën e vetme të zhvillimit ku anëtarët e shoqërisë mund ta gëzojnë ekzistencën dhe lirinë, të ndryshmen dhe të panjohurën, dëshirën dhe nevojën e cila përcaktohet nga shtysat e brendshme thellësisht individuale. Edukimi si mjet i njohjes së vetvetes dhe mjedisit socio-kulturor, edukimi si forma kryesore e vetaktualizmit i cili pranon diversitetin si shtyllë e një shoqërie humane dhe pranuese.

Sot, vajzat e vogla nuk duhet të edukohen me perfeksionin, delikatesën, brishtësinë, por me rebelimin, guximin dhe thyerjen e tabuve. Sot vajzat dhe gratë duhet të  dinë të përmbushen nga arritjet, plotësimit e objektivave dhe qëllimeve kuptimplota! Gratë e forta nuk qëndrojnë pas askujt, aq më pak pas burrave të suksesshëm. Gratë e forta ndjekin sukseset personale, angazhohen në vetërritje, për të kontribuar më pas në të gjithë shoqërinë!” përfundon psikologia Sulltana Aliaj.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *