Me datë 1 nëntor, ora 4.30 do të zhvillohet marshimi i radhës nga të rinj shqiptarë të cilët kanë zgjedhur t’i bashkohen nismës botërore “Fridays For Future” [E Premtja për të Ardhmen]. Kjo lëvizje nxjerr në pah nevojën urgjente që të gjitha shtetet, në nivel global, të marrin masa për të ulur emetimin e dyoksidit të karbonit në mënyrë që temperaturat të mos pësojnë rritje të mëtejshme por të ulen gradualisht.
Endrit Haxhiraj, pjesë e Institutit të Politikave Mjedisore dhe një ndër organizatorët e eventit, theksoi se marshimet e kësaj natyre kanë si qëllim ngritjen e problemit dhe nxitjen e një debati publik, duke i adresuar problemet ne nivel lokal dhe qendror. Ashtu sikurse të premtet e shkuara, të rinjtë do të mblidhen tek sheshi “Nënë Tereza” për të pasur sheshin “Skënderbej” ndalesën e fundit.
“Ne mendojmë se duke bërë këto marshime bëjmë sensibilizim publik për problemet dhe do jenë sputo për t’i detyruar autoritetet të reflektojnë edhe një herë për zotimet që kanë dhënë dhe për zbatimin e Marrëveshjes së Parisit“, shpjegon Haxhiraj gjatë intervistës me Citizens Channel.
“Ky marshim është një ngritje e përbashkët zëri e të gjithë të rinjve të cilët janë të shqetësuar për të ardhmen e tyre dhe dëshirojnë të ndërmarrin aksione për ndryshim”, tregon Tea Zeqaj, koordinatore e të rinjve në qendrën mjedisore EDEN dhe njëkohësisht pjesë e grupit organizativ të marshimit.
Duke përmendur Marrëveshjen e Parisit, të cilën edhe Shqipëria e ka ratifikuar, Haxhiraj artikulon se shumë nga elementët e saj nuk janë praktikuar, të cilat sigurisht janë në dëm të mjedisit dhe klimës.
“Unë nuk mundem të them sot që ne e kemi arritur atë duke parë që pyjet po digjen dhe po priten dhe i shohim përditë, duke parë që pritat e ndërtuara për të frenuar rritjen e nivelit të detit në drejtim të tokës janë disa prita të përkohshme, duke parë që industria e çimentos nuk është reduktuar ose limituar“, shprehet ai. Në këndvështrimin e Haxhiraj edhe transporti publik është një ndotës i madh i ajrit.
Zeqaj ndan më Citizens Channel disa mënyra, të cilat po të kthehen në stil jetese, janë tejet miqësore për mjedisin dhe nuk kontribuojnë më tej në thellimin e krizës klimatike.
“Ne duam të tërheqim vëmendjen e të gjithë qytetarëve të cilët duhet të ndryshojnë sjelljen e tyre në nivel individual duke përdorur biçikletën në vend të makinës, duke përdorur shishe shumëpërdorimshme, eliminuar sa më shumë plastikën, duke ricikluar veshjet“, informon ajo.
Për aktivistët mjedisorë është shumë e rëndësishme që të gjenerohen të dhëna të sakta rreth nivelit të ndotjes në Shqipëri, si hap i parë në hartimin e politikave ndaluese dhe rehabilituese për mjedisin.
“Ne kërkojmë shifra më të sakta dhe më të besueshme mbi sasinë e ndotjes që gjenerojnë bizneset në Shqipëri, në mënyrë qe gjithë energjinë e krijuar së bashku, ta kanalizojmë në aksione konkrete në të mirë të mjedisit, të vendit tonë“, përfundon Tea Zeqaj.
*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj