Këshilli Shqiptar i Medias (KShM), përmes një deklarate ka shprehur shqetësim rreth tre veprimeve të qeverisë ndaj mediave online, pas raportimeve për tërmetin e 26 nëntorit.
Fillimisht KShM e cilëson të jashtëligjshme qarkoren dërguar mediave online nga Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Kjo qarkore sanksionon portalet të publikojnë lajme siç parashikohen në shkresën e Ministrisë së Mbrojtjes, të përcaktuar në ligjin 45/2019 “Për mbrojtjen civile”. KShM e konsideron këtë veprim të ndërmarrë të jashtëligjshëm, pasi ligji në fjalë i referohet vetëm televizionit dhe radios.
“KShM i kujton qeverisë që kërkesa është e jashtëligjshme, sepse ky ligj i referohet vetëm TV-ve dhe Radiove, (licencat e të cilëve i shpërndan qeveria dhe frekuencat ku ato transmetojnë janë pronë e qeverisë), dhe nuk përfshin hapësirën globale, publike, falas të botës online”, thuhet në deklaratë, ku saktësohet më tej se KShM inkurajon portalet të publikojnë njoftimet që ndihmojnë në përmirësimin e gjendjes.
Në pjesën e dytë, bllokimi në rrjetin social Facebook i një editoriali të Gazetës Dita, cilësohet si bllokim i kritikave ndaj qeverisë: “Kritikat ndaj qeverisë nuk mund t’i ndalojë askush, aq më tepër nën pretekstin e gjendjes së jashtëzakonshme, sidomos nëse janë të bazuara”.
Në fund KShM e cilëson mbylljen e domainit të medias JOQ në Shqipëri si të paligjshëm, duke paralajmëruar se ky rast, reflekton se si do të jetë situata nëse kalon Paketa Antishpifje: “Qeveria nuk mund të ndalojë qytetarët e as portalet të denoncojnë keq-menaxhimin e situatës (aty ku ka) dhe për më tepër, nuk mund të bllokojë një portal të tërë për një publikim të vetëm. Rasti i JOQ reflekton qartë se çfarë do të ndodhë me mediat në të ardhmen nëse Qeveria kalon ligjin famëkeq të ashtuquajtur “kundër-shpifjes”. Qeveria ka të drejtën të dërgojë për ndjekje penale këdo që ka shkelur ligjet, qoftë dhe në kuadrin e gjendjes së jashtëzakonshme, por, nuk mundet të mbyllë me anën e AKEP-it dhe instrumenteve të tjerë, pa një vendim gjyqësor, asnjë media” – shkruhet më tej në deklaratën publike të KShM-së, ku nënvizohet fakti se AKEP ka proceduar me mbylljen e portalit pa një vendim gjyqësor.
Reagimi i plotë i Këshillit Shqiptar të Medias:
Në datë 28 nëntor, me anë të një postimi në Twitter, kryeministri Rama kërcënoi me mbyllje çdo kanal të vogël informimi apo portali i cili shpërndan lajme që përmbajnë panik apo lajme të rreme. Sipas tij, ky veprim vjen si pasojë e gjendjes së jashtëzakonshme të shpallur me datë 27 nëntor dhe censura do të jetë e përkohshme.
Po ashtu, një vajzë me iniciale XH.A është arrestuar nga Policia e Shtetit. Sipas deklaratës së bërë nga ky institucion me datë 29 nëntor, ajo është arrestuar pasi ka shpërndarë në rrjetin social Facebook informacione të pavërteta të cilat ngjallin panik. Policia e Shtetit e ka konsideruar shpërndarjen e një artikulli nga një burim italian si vepër penale. Ata gjithashtu informuan se drejtoria e Antiterrotit po bashkëpunon me struktura të tjera për të vijuar më tej procedime penale për qytetarë që bëjnë të njëjtin veprim.
*Citizens Channel /E.K/