Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Greva e minatorëve të Bulqizës hyn në ditën e tetë

Shqipëria është duke kaluar ditë të vështira nga ngjarja e rëndë që ndodhi më 26 nëntor, ku si pasojë e tërmetit humbën jetën 51 persona dhe u lënduan qindra të tjerë.

Krahas këtyre zhvillimeve, në veri të vendit, në qytetin e Bulqizës, vazhdon prej ditësh protesta e minatorëve të cilët janë në grevë për shkak të largimit nga puna të kreut të sindikatës të sapokrijuar të cilin e konsiderojnë të padrejtë. 

Lexo më shumë: “Barra e rëndë” e Elton Debreshit, minatori që u shkarkua pasi mori kreun e sindikatës në Bulqizë

Sot, në orët e para të mëngjesit, minatorët janë mbledhur sërish para kompanisë Albchrome për të vazhduar grevën e nisur prej disa ditësh tashmë.


 

Ata janë solidarizuar me dhimbjen e familjeve që kanë humbur të afërmit në Durrës, Thumanë e Tiranë.

“Prej vitesh punojmë në kushte nga më të rrezikshmet, thellë në galeri, me infrastrukturë dhe mjete mbrojtëse në degradim e sipër. Kemi humbur shumë shokë në këto galeri, por ditë si kjo e sotmja, dramatike për vendin dhe mijëra qytetarë, na kujtojnë se vetëm përmes solidaritetit me njëri-tjetrin mund t’i kalojmë vështirësitë,”- shprehen ata në një deklaratë publike.

Organizimi i minatorëve ka bërë që policia në ditën e tretë të grevës të përpiqet ti largojë nga greva, por ka rezultuar pa sukses.  


 

Me anë të një deklarate të ditës së djeshme ata kanë kërkuar përkrahjen e qytetarëve të Bulqizës dhe jo vetëm, në përpjekjen e tyre për të kërkuar punë dinjitoze, duke vazhduar kështu grevën disa ditore.

“Në këto ditë tragjike për Shqipërinë, ne minatorët e Bulqizës, jemi të detyruar ta vazhdojmë grevën. Deri më sot kemi duruar të na marrin jetën, shëndetin dhe dinjitetin. Por jo më!”

Minatorët kanë hedhur akuza ndaj Federatës Sindikale të Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, e cila sipas tyre i ka konsideruar absurde kërkesat e minatorëve të Bulqizës.

“Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë, drejtuar nga Taf Koleci, i cilëson si pretendime absurde kërkesat që ka ngritur Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës. Ne, si sindikatë, u krijuam si rezultat i padrejtësive që janë bërë prej vitesh karshi nesh. Federata e konfederata, që prej vitit 2011- të e deri më sot nuk kanë punuar karshi të drejtave të minatorëve, por të lidhur me interesat e disa personave që qëndrojnë të rehatuar në zyrat e Tiranës. Shndërruar në marioneta të partive politike”.

Si nisi organizimi i minatorëve në Bulqizë?

Organizimi i minatorëve të Bulqizës në grevë vjen pas largimit nga puna të Elton Debreshit, kryetarit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, i cili sipas minatorëve është vendim i padrejtë. 

Sipas tyre një vendim i tillë vjen si pasojë e organizimit sindikal të ndërmarrë nga minatorët.

Fakti që kompania dhe faktorë të tjerë, po sulmojnë ashpër dhe paligjshëm sindikatën tonë, dëshmon se ne jemi në rrugën e duhur dhe përfaqësuesit e vetëm të të drejtave të minatorëve. Veprime të tilla bëhen në kundërshtim me ligjin, konkretisht: Neni 50 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë parashikon se: “Të punësuarit kanë të drejtë të bashkohen lirisht në organizata sindikale për mbrojtjen e interesave të tyre të punës,”-thuhet më tej në deklaratën e Sindikatës.

I pyetur nga Citizens Channel Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Minatorëve të Bulqizës , i cili ka 6 vite që punon për kompaninë Albchrome shpjegon se informimi për heqjen nga puna nisi fill pas mbledhjes së firmave të punëtorëve për krijimin e sindikatës. 

“Në prill, me shokët e mi, kur mblodhëm firmat e punëtorëve të krijonim një sindikatë atëherë neve na dhanë paralajmërime për heqjen nga puna, mu dhe katër shokëve të mi. Vetëm prej këtij veprimi, thoshte se është shkelje e etikës në punë, mospërqëndrim në punë. Ata e kanë manipulu aq bukur,”-shprehet Elton Debreshi për Citizens Channel.

I pyetur se cdo të ndodhë në vazhdim me organizimin e tyre, Debreshi shprehet se greva do të vazhdojë. 

“Do vazhdojme me bojkot dhe na mbështetin punëtorët më shumë, Punëtoria na mbështetin 100%  e punëtorëve që ishin aty, ato që kanë reparte ndihmëse, mekanike, pompat e elektricistët që janë të detyruar të shkojnë në punë, e kanë në kontratë. Tashi neve do vazhdojmë hapat ti ndjekim, punëtoria ne na mbështet, ne do vazhdojmë deri në bllokimin e punës, nuk besoj se do shkojnë punët deri atje.” 

Sipas minatorëve, greva do të vazhdojë edhe nesër, edhe ditët në vazhdim derisa të plotësohen kërkesat, që tani kanë kaluar edhe në rritje page dhe rishikim normash. 

Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës është themeluar dhe njohur nga Gjykata më datë 15 Tetor 2019.

*Citizens Channel /E.K/ 

 

 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *