Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Inspektorati i Punës nis hetimin ndaj kompanisë që shkarkoi minatorët në Bulqizë

Inspektorati i Punës ka nisur hetimin administrativ ndaj kompanisë “Albchrome”. Zëri i Amerikës, në bashkëpunim me BIRN (Rrjetin Ballkanin të Gazetarisë Investigative), i janë drejtuar këtij Inspektorati, i cili me anë të një përgjigjeje me shkrim, sqaron se kjo ndjekje administrative ndaj kompanisë ka ardhur si pasojë e shkeljes së Kodit të Punës dhe ndërhyrjes së saj në veprimtarinë sindikale.

Nga Elton Debreshi tek Behar Gjimi, si janë shkarkuar nga puna minatorët e përfshirë në sindikatë

Pak ditë pas shpalljes së Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB), Elton Debreshi, kryetar i tij u pushua nga kompania “Albchrome” me arsyetimin se ky i fundit kishte shkelur kodin etik në punë. Gjatë një intervistë të dhënë për Citizens Channel, ai sqaron se në fakt pushimi ishte i padrejtë dhe se shkaku i vërtetë është organizimi i tij në formimin e sindikatës së re. Ky organizim ka nisur në muajin prill të vitit 2019 dhe u finalizua në 17 nëntor, me shpalljen e saj në qytetin e Bulqizës.

Largimi i Debreshit nga puna ka revoltuar minatorët e tjerë, të cilët prej datës 25 nëntor, për disa ditë radhazi,  kanë ndërprerë procesin e punë dhe kanë shpallur grevë, duke shtuar në listën e kërkesave edhe kthimin e kryetarit të sindikatës në punë. Kërkesat fillestare të minatorëve konsistonin në rishikimin e pagave dhe normës, sigurisë dhe  njohjen e vjetërsisë dhe vështirësisë në punë.

Ndonëse asnjë nga kërkesat e parashtruara nga minatorët nuk ishin plotësuar dhe Debreshi i kishte shkëputur marrëdhëniet me këtë kompani, “Albchrome” njofton në datën 2 dhjetor se ndërpret marrëdhënien kontraktuale edhe me z. Beqir Duriçi, pjesë e Këshillit Sindikal. Beqiri pohon se pushimi ka ardhur si pasojë e angazhimit me Sindikatën e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Në letër shkrun shkelje etike. Shkelje etike gjoja që unë nuk kam zbatu 8 orarshin nga prilli e mbrapa. Unë nuk e pranova këtë lloj shkeljeje, se i kam qëndru punës te koka. Këto janë thjesht presione që po më kërkoni ju, u thashë. Unë kam një përgjegjës niveli, kam një brigadier, kam një teknik që në çdo fund muaj duhet të më raportojë nëse kam një mungesë ose një shkelje etike, sic thonë ata. Mirëpo mua nuk ma ka tërheq vëmendjen askush. Kam qenë shumë i rregullt. Ky ishte presion në lidhje me sindikatën e formuar nga ne”, shprehet ai për Citizens Channel.

Gjatë zhvillimit të grevës disa ditore, forcat policore kanë qenë të pranishme dhe janë shoqëruar disa minatorë apo mbështetës të tyre në komisariat, me arsyetimin se kanë marrë pjesë në tubime të paligjshme.  Greva është ndërprerë në datën pesë dhjetor, njoftim i bërë i ditur nëpërmjet faqes zyrtare të kësaj sindikate në rrjetin social Facebook, ku SMBB-ja sqaron se tashmë pushimi i dy minatorëve dhe shoqërimet e të tjerëve në polici do të ndiqen nga ana ligjore.

Thuajse dy javë më pas, Behar Gjimi, punëtor që prej vitin 1995 në nëntokën e Bulqizës, u bë minatori i tretë në radhë i cili shkarkohet nga puna. Ky lajmërim është bërë me shkrim, ku thuhet se kompania “Albchrome” përfundon me efekt të menjëhershëm marrëdhënien e punës. Arsyeja e përmendur është “Mungesa pa arsye dhe braktisje e vendit të punës pa shkaqe të arsyeshme dhe pa njoftuar më shumë se shtatë ditë“.

Në një intervistë për Citizens Channel, Gjimi është shprehur se kjo është një hakmarrje nga ana e kompanisë pasi ata kanë zgjedhur të organizohen dhe kanë formuar sindikatën e re.

Më 25 nëntor kam qenë thirrë në Tiranë edhe u kam thënë, unë mungesa nuk kam, se arsyeja pse më kanë thirrë kanë qenë mungesat pa arsye. Ju po hakmerreni ndaj një veprimtarie sindikale që po bëhet në Bulqizë”, tregon Behar Gjimi.

Një event solidarizues u mbajt javën e shkuar në mjediset e qendrës sociale “Logu i Shkëndijes”. Aty ishin të ftuar minatorët Elton Debreshi dhe Beqir Duriçi për të folur më tej rreth organizimit dhe situatës aktuale. Ata ndanë me të pranishmit pjesa nga veprimtaria e tyre me sindikatën, si nisi krijimi i saj dhe si përshkallëzoi situata deri në heqjen e tyre nga puna. Të pranishmit patën mundësi të pyesnin më detajisht dy minatorët e pranishëm dhe gjithashtu ishin të ftuar të kontribuonin financiarisht për t’i ndihmuar ata.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *