Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

Gjirokastra, “qyteti i pjerrët” ku toka të rrëshqet nën këmbë…për shkak të erozionit

Autor: Blerim Kore | Citizens Channel 

Erozioni në zonën e Gjirokastrës është kthyer në rrezik për komunitetin. Si pasojë e shirave intensive të stinës janë regjistruar disa raste të rrëshqitjeve të tokës, të cilat po rrezikojnë edhe jetën e banorëve.  Zona si kodra e fshatit “Arshi Lengo”, zona e Palokastrës, një pjesë e lagjeve Kodra e Shtufit, Çfakë, mbartin nën vite probleme të erozionit dhe janë shënuar me rreth të kuq, në hartën e zonave të rrezikuara.

Aty ku toka të rrëshqet nën këmbë

Shirat e rrëmbyeshëm të pak ditëve më parë, sollën edhe një herë probleme në këtë kodër në lagjen Manalat, në zonën karakteristike të qytetit. Rrëshqitja masive e dherave kërcënon të dëmtojë disa banesa.

Sipas specialistëve, kjo kodër ka strukturë të dobët tektonike dhe mungesë të gjelbërimit ndaj nuk i përballoi reshjet, duke shkëputur vazhdimisht masive të konsiderueshëm dheu nga faqja e saj. Më problematike bëhet situata pasi përgjatë kodrës shtrihet njeri prej segmenteve rrugorë i cili lidh këtë pjesë të Gjirokastrës me lagjet e tjera. Në këtë situatë banorët që jetojnë në shtëpitë e ngritura aty, ndihen të kërcënuar.

“Vazhdimisht gjatë ditëve me shi nga kodra shkëputen masive dheu, dukuri e cila ngjall frikë dhe panik tek ne”, thotë Klement Shele, banor i lagjes Manalat.

Gjatë vitit të kaluar rrëshqitja e masiveve të dheut nga faqet e kodrës bllokoi qarkullimin në segmentin rrugor që shtrihet pranë saj ndërkohë që u desh ndërhyrja e mjeteve të rënda për të larguar dherat nga traseja e rrugës.

Një tjetër rast problematik i erozionit u regjistrua edhe në lagjen Çfakë. Shkarja e masiveve të dheut dëmtoi disa banesa që ndodheshin në këtë lagje duke rrezikuar edhe jetën e banorëve.

“Gjatë stinës së dimrit masive të tëra dheu shkëputeshin nga kodra mbi shtëpinë tonë duke përfunduar më pas fare pranë mureve të banesës. Në disa raste u detyruam të largojmë me ekskavator  baltën që mbulonte oborrin e shtëpisë madje menduam që ta braktisnim godinën”, thotë B. Rondo, banor i lagjes.

Rrëshqitjet e tokës po shkaktojnë problematika për banorët edhe në fshatin “Arshi Lengo”. Disa banesa në këtë fshat po rrezikohen si shkak i rrëshqitjeve masive të dherave nga faqet e kodrës ku janë ndërtuar. Megjithëse banorët kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje sërish nuk është ndërmarrë asnjë masë për rehabilitimin e zonës së dëmtuar dhe shmangien e rrezikut për banorët.

Gjeologët : Dora e njeriut shkatërron natyrën

Specialistët e gjeologjisë në Gjirokastër i kanë vlerësuar këto zona periferike të qytetit si më problematiket për sa i takon erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës. Sipas specialistëve të gjeologjisë për vetë profilin tektonik harta e zonës së Gjirokastrës përfshin pika problematike për sa i takon erozionit dhe rrëshqitjeve të tokës.

“ Gjatë stinës së dimrit në qytetin e Gjirokastrës por edhe rrethina konstatojmë rrëshqitje problematike të dherave, të cilat në disa raste dëmtojnë banesat duke rrezikuar madje edhe jetën e banorëve”, pohon specialisti i gjeologjisë, Çano Nora.

Sipas gjeologëve krahas përbërjes natyrore të shtresave gjeologjike të tokës problematike është edhe dëmtimi i këtyre formacioneve tektonike nga vetë dora e njeriut.

“Në shumë raste konstatojmë me shqetësim ndërtime të reja të pastudiuara në zonat e rrezikuara nga erozioni, prerjen pa kriter të masiveve pyjore, dëmtimin e pritave dhe argjinaturave gjatë rrjedhës së lumenjve apo përrenjve malorë çka ndikon negativisht për problematikën e erozionit”, shprehet gjeologu Nora.

Sipas gjeologëve problematike  ngelen ndërtime e reja në zona të pastudiuara nga ana tektonike.

“Në shumë raste banorët i ndërtojnë godinat e reja pa u konsultuar me specialistët e gjeologjisë duke bërë që ndërtime të tilla të jenë të rrezikuara nga erozioni dhe rrëshqitjet e tokës”, apelojn gjeoloku Nora.

Ndërhyrjet për parandalimin e erozionit mbeten ende në letër

 Financimet e pamjaftueshme në vite për parandalimin e erozionit të tokës në zonat e rrezikuara në Gjirokastër ka bërë që kjo problematikë të vazhdojë të jetë një ndër shqetësimet kryesore për komunitetin edhe gjatë këtij dimri. Sipas kryetarit të bashkisë së Gjirokastrës Flamur Golemi, pushteti vendor gjatë viteve të fundit nuk kishte zbatuar asnjë projekt për parandalimin e erozionit apo rehabilitimin e zonave të dëmtuara nga rrëshqitjet e tokës.

“Tashmë ne kemi disa studime për ndërhyrjet rehabilituese si në lagjet Çfakë, Kodrën e Shtufit, fshatin Palokastër, etj ndërsa do të mundësohen dhe financime për zbatimin e tyre”, shprehet Golemi.

“Në bashkëpunim me pushtetin vendor apo institucione të tjera publike dhe subjekte private të interesuara  ne kemi hartuar studimet dhe projektet përkatëse  për të ndërhyrë ne zonat e rrezikuara nga rrëshqitjet e tokës duke përmirësuar sistemin e drenazhimit të ujërave sipërfaqësorë në këto zona, ndërtimin e mureve mbajtëse si edhe pyllëzimin masiv të tyre por një pjesë e tyre vazhdojnë të jenë ende në letër”, shprehen gjeologët në Gjirokastër.

Në këtë situatë një pjesë e banorëve në Gjirokastër duket se edhe këtë dimër do ta kalojnë me frikën se toka po iu rrëshqet nën këmbë.

*Ky artikull u realizua në vazhdimësi të ciklit të trajnimeve “Mjetet dhe Teknikat e Raportimit Lokal”, të organizuara nga Citizens Channel. 
*Redaktor-Lorin Kadiu/Citizens Channel 

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *