Citizens.al

Aktivistët e të drejtave të njeriut në Shqipëri gjenden nën kërcënime të vazhdueshme

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut në Shqipëri përballen me një serë problematikash lidhur me ushtrimin e të drejtës së tyre për të mbajtur qëndrime pro apo kundër tematikave me natyrë sociale, kulturore, ekonomike apo politike.

Shpesh ata kërcënohen, u shpërndahen të dhënat personale, foto apo statuse në rrjete sociale, hasen me komente me natyrë intimiduese, pushohen nga puna dhe janë vazhdimisht nën presion të të afërmve dhe miqve që të heshtin e të heqin dorë.

Kjo klimë e tensionuar është evidentuar edhe më herët. Organizata e Mbrojtësve të të Drejtave të Njeriut  (Civil Rights Defenders) ka publikuar raportin vjetor referuar problematikave që hasin aktivistët në Shqipëri.  

Raporti  “Intimidimi në vend të mirënjohjes” [Intimidation instead of recognition] zbuloi se aktivistët dhe gazetarët përjetojnë sulme të vazhdueshme me qëllim denigrimin apo frikësimin e tyre, përballen me gjuhë urrejtjeje dhe ngacmime, dhunë fizike apo psikologjike. Ata gjithashtu kanë raportuar raste presioni të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë nga autoritetet shtetërore që të heshtin. Mbrojtësit e të drejtave të njeriut më në rrezik në Shqipëri janë ata që punojnë për të mbrojtur të drejtat e komunitetit LGBTI +, vë në dukje raporti.

Aktivistet që lëvrojnë kauza të barazisë gjinore kërcënohen vazhdimisht nga persona anonimë, përballen me shpifje rreth punës së tyre. Problematikat marrin një shtrirje të madhe në rrjetin sociale Facebook, ku dhjetëra individë me profile të stisura që konsiderohen “trolls” baltosin punën e aktivistëve, vijon më tej raporti. Edhe mbrojtësit e mjedisit përballen më kërcënime të vazhdueshme nga autoritete shtetërore apo persona të paidentifikuar. Një kontroll i lartë është ushtruar në media, sqaron raportimi, ku disa artikuj investigativë janë censuruar dhe është shtypur fjalën e lirë.

Vështirësitë e të qenit mbrojtës i të drejtave të njeriut në Shqipëri 

Alida Karakushi, mbrojtëse e të drejtave të njeriut dhe kauzave të tjera publike ndan vështirësitë dhe sfidat që ajo ka ndeshur gjatë 12 viteve aktivizëm në Shqipëri. Ajo tregon se ndaj saj janë përdorur metodikave denigruese për ta heshtur, të cilat kanë ndikuar edhe tek rrethi i saj familjar dhe e kanë detyruar të tërhiqet.

[Jam kërcënuar ] në mënyrë indirekte, po. Dikush ne Shqipëri, sapo kisha organizuar protestën e parë në 2012, ishte futur duke bërë komente denigruese, duke pretenduar se ishte një anëtar i familjes sime. Impersonifikim ky që shkaktoi shumë dhimbje në familjen time, e ku për disa kohë edhe nuk shkrova shkrime”, tregon Karakushi për Citizens Channel.

Karakushi shpjegon se i janë shpërndarë të dhëna personale apo statuse për ta linçuar publikisht atë.

Njëherë një akademike, medemek që nuk e pranon kritikën, i kishte bërë opinionet ndaj meje fakte. Kishte shkruar një post publik, ku në imagjinatë ia kalonte edhe regjisorëve të Hollivudit, me akuza e pretendime të pabazuara. Rasti tjetër ishte vjet, teksa një video e një shkëmbimi u postua në YouTube e ku medemek një kundërshtar më kishte bërë “fërtele” sipas publikuesit”, shpjegon më tej ajo.

Artikulimi i problemeve shoqërore shoqërohet me pasoja edhe për aktivistët e tjerë. Arjola Hajdini rrëfen se pas një statusi në Facebook, ku dënonte femicidin dhe dhunën me bazë gjinore, janë marrë fotografi nga profili i saj dhe janë shpërndarë në faqe humoristike, në formë meme-sh.

Ka qenë shpërndarja e disa meme-ve, pas një shkrimi që kisha bërë. Nuk ishte shkrim, ishte thjesht një status Facebook-u që u shpërnda nuk e di se si, pa qëllimin tim… U bënë disa meme ku thuheshin gjëra të ndryshme për mua dhe për shkrimin. U kërcënova që do i shpërndajnë edhe në faqe të tjera sepse bënim report, fshiheshin dhe i hidhnin prapë, prapë fshiheshin”, kujton Hajdini teksa tregon se kjo situatë ka vijuar disa ditë radhazi. 

Aktivistët për të drejtat e grave janë vazhdimisht nën thumbin e komenteve ironike, tallëse apo satirizuese në mjediset shoqërore apo ato virtuale. Liri Kuçi, feministe dhe mbrojtëse e të drejtave të njeriut tregon se shpesh ndeshet me komente seksiste si rrjedhojë e aktivizmit të saj dhe tregon se është sfiduese të jesh individ që lufton për emancipim dhe barazi gjinore.

Tallja dhe batutat që bëhen, kur ka diskutime për fenomene sociale si dhuna e shumanshme që provojnë gratë në shoqërinë tone, janë vetëm një hallkë e shtuar dhunës që marrin vajzat dhe gratë aktiviste teksa tentojnë të hapin dritare të reja diskursive mbi emancipimin gjinor dhe shoqëror”, artikulon Kuçi për Citizens Channel.

“Është sfiduese të jesh aktiviste për emancipim e barazi gjinore në një shoqëri si e jona – ku as nuk mësohet nëpër shkolla për lëvizjet feministe dhe përpjekjet historike të grave për të drejta politike, ekonomike dhe shoqërore, apo ku dhuna ndaj grave përmendet shkujdesur nëpër ndonjë kronikë mediatike, që me anë të ndonjë titulli skandaloz, lajmëron se një grup inicialesh femërore iu shtuan së fundmi listës së viktimave të dhunës në familje”, nënvizon ajo.

“Kështu, kur nga një situatë rehatie e status-quosë mashkullore, ku edhe batutat që qeshen fort, janë seksiste dhe të dhunshme, duke tentuar të ngresh ligjërim dhe madje “të pretendosh” se gratë sot janë të pambrojtura nga shteti dhe të dhunuara nga shoqëria – minimalisht do të marrësh në këmbim romuze (në rastin më të mirë) dhe tallje dhe intimidim për shumë gjatë”, përmbledh më tej Liri Kuçi.

Reagime të mbushura me gjuhë urrejtjeje dhe me përmbajtje dhune janë lehtësisht të hasura kur trajtohen tematika të cilat në Shqipëri, deri para pak vitesh, ishin thuajse krejtësisht të mënjanuara. Aktivistët që dalin hapur në mbështetje të komunitetit LGBTI+ shpesh përballen me mesazhe dhe komente që paralajmërojnë ndërmarrjen e një veprimi të dhunshëm kundrejt tyre.

Isa Myzyraj prej pak vitesh, shkruan dhe merr pjesë në organizime që janë në mbështetje të komunitetit LGBTI+. Ai tregon se qëndrimet e tij publike janë shoqëruar me kërcënime dhe kanosje.

Kam pasur dhjetëra mesazhe private e kërcënime të hapura, nga vrasja që është “më e lehta” deri tek djegia me benzinë, apo dhunim në publik. Unë kam shkruar shpesh për komunitetin LGBT, dhe njerëzit guxojnë të kërcënojnë edhe në komente publike, pa e ditur, dhe pa qenë të informuar se kjo gjë përbën vepër penale. Kam dashur disa herë të denoncoj raste konkrete, por asnjëherë nuk e kam bërë. Më e rënda ka qenë në dhjetorin e 2018, kur disa faqe njëherësh filluan duke publikuar fotografi me një rreth në kokë, dukej sikur donin të më vrisnin”, ndan ai me Citizens Channel.

Reagimet online të Arjola Hajdinit janë raportuar në mënyrë të vazhdueshme dhe profili i saj në Facebook është mbyllur deri në pesë herë gjatë këtyre muajve të fundit dhe kjo e ka privuar nga shprehja e mendimit rreth tematikave të ndryshme.

Në momente të caktuara, duke qenë së Facebook-un e përdor si platformë ku shprehem, kur ka ndodhur diçka dhe kam qenë e bllokuar më ka acaruar, më ka bërë që të frustrohem në një lloj mënyre. Për shembull, kur është miratuar ligji i shpifjes, unë kam qenë e bllokuar dhe kam bërë statusin pas një jave… për një njeri që do të flasë, do të shprehet, do të komunikojë është shumë mbytëse si gjë”.

Familjarët e Arjolës i kërkojnë të tërhiqen pasi i druhen pasojave që mund të sjellë artikulimi i saj publik. 

Mua është thënë edhe shiko ‘se do të të hedhin në ndonjë qoshe, do të të vrasin’, ‘do na lësh pa bukën e gojës’… që janë shumë larg, nuk mendoj gjëra të këtilla. Mendoj se duhet marrë një farë risku për të krijuar një të ardhme më të mirë”, sqaron ajo gjatë intervistës. 

Aktivizmi dhe dhuna policore                                                                                               

Nismat e ndërmarra nga qytetarët aktivë në Shqipëri i kanë shoqëruar jo pak herë aktivistët nëpër komisariate. Alida Karakushi tregon si ajo, bashkë më dy protestues të tjerë, u dërguan në polici sepse kundërshtuan zgjedhjen e Presidentit aktual të Shqipërisë.

Po, jam shoqëruar në polici teksa protestoja bashkë me dy veprimtarë të tjerë të pavarur ndaj zgjedhjes së Metës si President. Ishte i trishtë shoqërimi im në polici, por të paktën videoja u bë virale dhe shpresoj se shumë qytetarë e kanë parë sesi policët mbetën të pafjalë kur u kërkoja arsye për shoqërimi tim. Bile, më e rëndë fare është se vetë ata më kërkuan ndjesë në rajon e më thanë se ishin të detyruar ta kryenin atë veprim me urdhër nga lart”, shprehet më tej ajo.

Jo vetëm ndaj Karakushit, edhe Myzyraj ka përjetuar dhunë policore dhe është gjendur nën kërcënime të vazhdueshme kur është përfshirë në mbrojtjen e kauzave publike.

Më ka ndodhur, për shembull tek protestat për Liqenin, të më ndalnin njerëz pa uniformë të hequr si policë e të më thonë hip në makinë. Nuk kam pranuar sigurisht, pa pasur një fletë arresti ose fletë thirrje”, rikujton ai.

“Më kanë kontaktuar nga telefoni, duke thënë ju telefonojmë nga Prokuroria për tu paraqitur për protestën që keni bërë tek Bashkia, kam shkuar dhe Prokuroria e Tiranës nuk kishte asnjë fletë thirrje për mua. Kërcënime në komente në rrjetet sociale, mesazhe private të rënda në dukje por me një formë presioni të jashtëzakonshëm. Përmendja e familjes, e marrëdhënieve të tua të punës dhe deri tek arrestimet dhe dhuna fizike brenda dhe jashtë komisariateve të policisë”, përcjell më tej Isa Myzyraj.

Punësimi, sfidë për aktivistët

Mbrojtësit e të drejtave të njeriut tregojnë se kanë marrë shpesh oferta pune të cilat janë përdorur si metoda për t’ua “mbyllur gojën”, janë gjendur me kontrata pune të pa rinovuara ose janë pushuar si pasojë e angazhimit në kauza të caktuara.

Liri Kuçi u pushua nga puna fill pas protestës studentore që nisi në dhjetor të vitit 2018 dhe u zgjat deri në muajin janar të 2019-ës. Angazhimi në këtë protestë ishte arsyeja pse iu ndërpre marrëdhënia e punës me kompaninë private ku ajo ishte e punësuar. Edhe Alida Karakushi është gjendur me një kontratë të pa rinovuar.

Se fundmi kam punuar si lektore ne nje institucion privat por edhe aty nuk mu rinovua kontrata kur u pa qartë se nuk mund të vendosja nota me mik. Nga administrata publike, aktorë politikë më kanë ofruar punë, por e kam refuzuar atë sepse e shihja si një mjet për të ma mbyllur gojën”, tregon Karakushi.

Sigurisht, kur ti vendos që të jesh i angazhuar duhet të heqësh dorë nga disa gjëra. Unë kam hequr dorë nga puna ime e mëparshme vetëm për shkak të aktivizmit tim, ambient im i punës nuk përshtatej me gjithë aktivitetin tim shoqëror”, thekson një rast tjetër Isa Myzyraj.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW