Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Llogaria juaj është bosh”, fraza që i pret studentët kur shkojnë të tërheqin bursën në bankomat

Autore: Theodhora Muçollari | Citizens Channel

Bursat financiare që iu jepen studentëve për arsye merite apo ndihmë ekonomike kanë një afat kohor se kur dhe si duhen shpërndarë. Këtë e shpjegon më qartë një Vendim i Këshillit të Ministrave (VKM) i vitit 2019, ku saktësohet se bursa financiare u jepet studentëve përfitues çdo muaj.

Jemi në muajin janar, ku kanë kaluar më shumë se tre muaj nga fillimi i vitit akademik. Studentët çdo ditë provojnë në bankomat me shpresën se ekrani i makinerisë do t’i tregojë shumën e bursës që i është hedhur. Por, për studentët e Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë kjo nuk po ndodh. Atyre iu duhet të ndeshen me një llogari bankare që tregon vetëm shifrën 0.

Ronald Qema, student i vitit të tretë për gazetari, tregon se troket shpesh në derën e zyrës së financës së fakultetit ku studion për të marrë një përgjigje, por përgjigja e njerëzve përgjegjës është se Këshilli Bashkiak nuk ka sjellë konfirmimin e personave që e përfitojnë ndihmën ekonomike. Po studentëve që iu është konfirmuar pse duhet të presin? Arsyeja që ata e përfitojnë këtë bursë është pikërisht pamundësia ekonomike; në vend që kjo e fundit t’iu vijë në ndihmë, ajo po ua vështirëson jetesën studentore.

Nuk arrij ta kuptoj si mendon qeveria se studentët kanë arritur të mbahen ekonomikisht që nga fillimi i vitit akademik. Jeta studentore ka shpenzime të konsiderueshme, si: ushqimi, strehimi, transporti, apo edhe librat e shkollës. Dhe ndihmesa ekonomike familjare shpesh herë nuk mjafton. Qindra studentë presim ende akordimin e këtyre bursave pasi është detyrim i shtetit ndaj nesh”, tregon Ronaldi.

Ka edhe prej tyre që janë në pritje të listës përfundimtare që i siguron nëse e përfitojnë apo jo. Supozohej që kjo listë të ishte përpiluar tashmë pasi data përfundimtare e dorëzimit të dokumentacionit të nevojshëm për FHF ishte më 9 nëntor.

“Realisht mua akoma s’më ka dalë emri tek lista nëse figuroj përfituese a jo dhe se kam idenë si po funksionon kjo marrja e bursave, po e vetmja gjë që mund të them është se jemi në muajin janar dhe s’kemi marrë akoma 3 muajt e kaluar. Më kanë thënë prit të dali emri, veç jam duke prit, asnjë sqarim më shumë s’ta jep kush”, tregon Kristina.

Ajo na tregon edhe sa e vështirë është që t’ia dalë mbanë ekonomikisht, në këtë situatë që ndodhet: “Vështirësia nis me pagesën e qerasë, normalisht shpenzimet e përditshme për ushqim, blerjen e librave shkollorë dhe kështu je e detyruar që të kursesh pak nga të gjitha për t’ia dalë deri në njëfarë pike. Po deri kur? Sepse sado është e vështirë që dhe familja ime duke marrë parasysh situatën, të mbajë 2 shtëpi. Është thjesht e pamundur dhe kalohet më shumë vështirësi.”

Pas Paktit për Universitetin, që erdhi si pasojë e protestës studentore në vitin 2018, nuk u fol në asnjë pikë për burokracitë dhe afatet e gjata që duhet të presë një student, për të marrë një shërbim apo një të drejtë që në fund të fundit i takon.

Sipas Rigels Xhemollarit drejtor te “Qëndresa Qytetare”, studentët duhet t’i mëshojnë sërish protestës nëse bursat nuk iu derdhen në llogari sipas afatit të caktuar.

“Çështjet proceduriale shpesh bëhen shkak për vonesa të tilla, sigurisht që ato janë të rëndësishme por zgjidhja duhet të vijë nga reagimi i studentëve përfitues të cilët, nëse kalon e hëna e parë e muajit dhe llogaritë e tyre janë bosh duhet të zënë derën e zyrës së financës, rektorit, dekanit e administratorit. Me protestë u fitua e drejta e bursës dhe vetëm me protestë dhe reagim të qëndrueshëm mund të vijojë ky proces rregullisht.”

Arsyeja pse sipas tij ka ndodhur kjo vonesë është: “Problemi që mendoj se ka ndodhur me vonesën e bursave është i ngjashëm me atë të pagave të pedagogëve që ndodhi gjatë muajit janar, ku për shkak të kalimit me vonesë nga buxheti i shtetit drejt IAL-ve dhe këtyre të fundit drejt bankave të nivelit të dytë penalizoi kalimin në afat të parave. Problemi nuk është ligjor por administrativ, pasi mund të zgjidhet nëpërmjet një marrëveshjeje mes MASR apo Universiteteve dhe bankave, ku këto të fundit të kreditojnë llogaritë e studentëve përfitues përpara se fondi i buxhetit të shtetit të kalojë në bankë.”

Pas publikimeve të bujshme  të Qëndresës mbi shpenzimet marramendëse të Universiteteve në Shqipëri për shërbime luksi, ai ka një koment për sa më lart, duke e lidhur me bursat studentore.

“Kur bëhet fjalë për tendera sigurie, makina dhe karburant për titullarët, paratë gjenden në çast dhe luksi i tyre plotësohet, megjithëse me paratë e tarifave të studentëve dhe taksave të prindërve të tyre. Bursat për kategoritë në nevojë duhet të jenë prioritet, detyrë dhe përgjegjësi e të gjithë strukturave shtetërore, pasi janë vonesa që ndikojnë në mbijetesë dhe mund shuajnë ëndrrat e të rinjve nuk janë transferta qokash si ato të drejtuesve të universiteteve.”

Për studentët është e rëndësishme të merren paratë çdo fillim muaji në mënyrë që kostot e tyre bazike, si: qiraja, ushqimi, transporti dhe librat, të kenë mundësi t’i shlyejnë më to. Pa bursat financiare nuk mund të kryejnë një jetë studentore me standarde dinjitoze edhe pse shuma nuk është e lartë (por kjo është një tjetër çështje).

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *