Citizens.al

Studimi: Flota e vjetër prej 305 autobusësh, ndër ndotësit kryesorë të ajrit në kryeqytet

Sipas të dhënave  të publikuara në Raportin Vjetor të Qeverisjes Lokale në Ballkanin Perëndimor, flota e vjetëruar e autobusëve të Tiranës është ndër shkaktarët kryesorë të ndotjes së ajrit në norma të rrezikshme.

Në seksionin “De-karbonizimi i sektorit te transportit publik në Tiranë” realizuar nga ekspertët Rodion Gjoka dhe Gerti Delli dalin në pah të dhëna shqetësuese.

Duke analizuar të dhënat e vendosura në dispozicion nga Bashkia Tiranë, raporti thekson se trafiku, cilësia e karburanteve dhe e mjeteve e rendisin transportin publik si ndotës tejet të rrezikshëm në kryeqytet.

Gjithashtu, specilisti Gjoka shpjegon se betonizimi i kryeqytetit kontribuon ndjeshëm në ndotjen e ajrit.

Diskutimi është se me këtë ritëm ndërtimesh, ky sektor po tejkalon atë të transportit për nga sasia vjetore e ndotjes së çliruar. Normalisht që çdo qytet e sidomos çdo kryeqytet zhvillohet e zgjerohet vit pas viti, por sipas një plani të përgjithshëm vendor i cili i përgjigjet problemeve historike që ka qyteti. Në rastin tonë, Tirana e viteve 2000-2010 kishte indikatorë të qartë lidhur me problem si ndotja, tkurrja e hapësirave publike dhe gjelbërimit në zonën urbane, aksesi dhe lëvizshmëria, me shërbimet publike etj“, shprehet Gjoka teksa informon se nuk është marrë asnjë masë për të menaxhuar ndotjet që shkakton procesi i ndërtimit.

Sa i takon sektorit të ndërtimit, duhet të jemi të qartë se në kushtet e sotme, ku nuk merret asnjë masë konkrete për parandalimin, reduktimin dhe menaxhimin e impakteve që proceset e kombinuara kanë sidomos në një zone urbane, atëherë sasia e ndotjes (pluhura/gazra) që çlirohet në ajër është 967 kg/m2“, argumenton Rodion Gjoka.

Flota e autobusëve, jashtë standardeve europiane

Aktualisht kemi përllogaritur se nga flota e transportit publik në Bashkinë Tiranë, e përberë prej 305 mjetesh, rezulton të kemi shkarkime vjetore në ajër rreth 22.000 ton (PM, HC, CO2, NOx etj)”, shpjegon për Citizens Channel, Rodion Gjoka, njëherazi dhe drejtues i Njësisë së Mjedisit dhe Energjisë pranë Institutit për Zhvillimin e Habitatit. 

Raporti thekson se nuk ka asnjë formë tjetër publike për të lëvizur në qytet, si metro apo tren, fakt që e bën të domosdoshme lëvizjen me autobusë.

Harta e përqendrimit të Dioksidit të Azotit në Tiranë

Studimi ka përllogaritur edhe numrin e individëve që përdorin autobusët në përditshmërinë e tyre.  Çdo vit, më shumë se 18.5 milion pasagjerë udhëtojnë nëpërmjet linjave të autobusëve. Vetëm 65  nga 305 autobusët e Tiranës, përmbushin standardet evropiane në mbrojtjen e ajrit dhe mjedisit. 

Rodion Gjoka tregon se një tjetër faktor  që ndikon në përkeqësimin e cilësisë së ajrit në Tiranë është trafiku i rënduar.

Nga ana tjetër, pjesë e studimit dhe monitorimit tonë ka qenë edhe efekti që sjell trafiku i rënduar në qytet. Për këtë kemi dalë në përfundimin se mesatarisht një drejtues automjeti në Tirane (plus pasagjerët) harxhon 185 orë në vit në trafik. Rrjedhimisht pjesa më e madhe e automjeteve kanë një konsum të shtuar vetëm për qëndrimin në trafik, afro 200 litra lëndë djegëse  në vit (që përkthehet 35000 lekë të reja ). Si përfundim, shkarkimet e ndotësve në ajër vetëm si pasojë e trafikut vlerësohen të jenë rreth 98000 ton/vit“, informon Gjoka.

Rodion Gjoka, Institutit për Zhvillimin e Habitatit

Nëse nivelet e ndotjes se tanishme do zgjidheshin nëpërmjet formave natyrale, studimi nxjer përfundimin se Tirana do të kishte nevojë për 203,881 pemë, të paktën 78 vjeçare, për ta rregulluar cilësinë e ajrit.

Mungesa e inspektimeve dhe ndërmarrja e veprimeve de-karbonizuese ka krijuar kushtet ku operatorët privatë të transportit publik nuk ndjehen të detyruar të rrisin standardet dhe cilësinë e shërbimeve apo të ulin emetimet e dyoksidit të karbonit.

Specialisti Gjoka nxit transparencën e institucioneve lidhur me cilësinë e ajrit dhe publikimin e matjeve.

Së pari, çdo qytetari duhet t’i ofrohet e drejta për të qenë i informuar, përfshi këtu edhe cilësinë e ajrit. Ndaj institucionet përgjegjëse si AKM (Agjencia Kombëtare e Mjedisit) dhe ISHP (Instituti i Shëndetit Publik) duhet të rinisin monitorimet e tyre dhe publikimet shoqëruese të cilat për ajrin mungojnë prej rreth 4-5 vitesh“, vijon më tej ai.

Së dyti, për cilindo është e thjeshtë të kuptojë që një hapësire e koracuar (betonuar) vetëm gjeneron ndotje e shkarkime, qofshin në ajër, ujëra apo edhe në tokë. Në këtë kontekst, një qytet i betonuar i cili vështirë t’i përgjigjet emergjencave natyrore apo njerëzore, të mund të përballojë evente klimatike si reshje të dendura, valë të nxehti dhe epidemish apo infeksionesh, ajër dhe ujë të pastër” përfundon specialisti Gjoka .

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW