Citizens.al

Piramida e Tiranës, hapësira publike që u është mohuar qytetarëve

Piramida e Tiranës, një simbol dhe pikë referimi i kryeqytetit i kaloi në pronësi në vitin 2016 nga Ministria e Kulturës Bashkisë së Tiranës. Me funksionin si Qendër ndërkombëtare e Kulturës “Arbnori” , pas kalimit në pronësi të bashkisë sipas vendimit të Këshillit të Ministrave, kjo ndërtesë do të marrë funksionin e një qendre shumë funksionale për organizimin e ngjarjeve sociale, promovimin e artit, kulturës dhe teknologjisë.

Më 27 shkurt të vitit 2019, u bë rrethimi i godinës me kangjella dhe tabela informuese për kthimin e zonës në kantier ndërtimi. 

Por,  Piramida dhe hapësira publike përreth qëndron e rrethuar me kangjella prej më shumë se një viti.  Tabelat që paralajmëronin kujdesin nga punimet janë hequr, pasi gjurmë të punimeve nuk ka. Ndërkohë mungojnë edhe tabelat informuese që të tregojnë të dhëna për projektin, nisjen, kohëzgjatjen, duke e kthyer në një hapësirë që ka mbetur thjesht e rrethuar. 

Premtimet për rinovimin e piramidës kanë ecur me një ritëm shumë më të shpejtë se punimet

Për të dëgjuar premtimin e parë nga Kryebashkiaku Veliaj duhet të kthehemi në kohë në vitin 2016, pak kohë pasi institucioni që ai drejton mori në pronësi objektin. 

Në 8 dhjetor 2016 në një takim me mësuesit e Tiranës kryetari i Bashkisë Erion Veliaj përshëndeti kalimin e Piramidës nga Ministria e Kulturës në pronësi të Bashkisë dhe u shpreh se:

Mezi pres që ti japim Tiranës një piramidë, t’ja rikthejmë qytetit. Ideja e bashkisë bashkë me arkitektët e huaj ndërkombëtarë që kanë kontribuar është që t’ja kthejë qytetit si një qendër kulturore edhe mezi pres që si në kohën time kur  Piramida ishte në fakt qendra dhe gëlonte nga aktiviteti dhe Rinfesti apo Tirana Art festi që e quajmë sot”.

Në 10 dhjetor të vitit 2016, Veliaj premtoi se takimi te Piramida në atë gjendje do të ishte i fundit.

Kjo do të jetë hera e fundit që ne takohemi tek Piramida në këtë gjendje. Bashkia ka një projekt shumë ambicioz për ta kthyer Piramidën në një hapësirë publike, për t’ja kthyer qytetarëve të Tiranës, për ta bërë të aksesueshme për aktivitete publike ndaj dhe besoj që si hera e fundit që takohemi në Piramidë, besoj do kujtojmë dhe këtë metaforë se si hapësira që janë shumë tërheqëse në qendër të qytetit dhe që janë simbolika të qytetit tonë, mund të kthehen dhe në funksionale në dobi të qytetarëve “,- u shpreh Veliaj.

Qartësia për projektin e rindërtimit të Piramidës nuk ka qenë e dukshme për publikun, por edhe për vetë drejtuesin e bashkisë. Kjo pasi, në daljet publike godinës së Piramidës i janë veshur disa funksione që mendohej se do të kishte pas rikonstruksionit.

Më 10 tetor 2017 në një mbledhje në ambientet e këshillit bashkiak të Tiranës me të rinj, Veliaj u shpreh se pikërisht në atë vit do të buxhetohej transformimi i Piramidës në një hapësirë multi dimensionale.

“Prona më e shtrenjtë e Tiranës është si një karkatë e vdekur në mes të bulevardit që është Piramida. Qysh aty na lindi ideja, a mund ta rikonstruktojmë ne piramidën tani me këtë funksion. Pra , me teatër, me film, me bibliotekë, me kurse dixhitale, pra të kodimit apo të programimit pra që janë të gjitha gjëra që dikush mund ti ndjeki pa qenë detyrimisht profesionist në atë fushë. Këtë vit ne do të buxhetojmë që piramidën ta transformojmë“.

Në mars të vitit 2018 në një takim me Fondin Shqiptaro -Amerikan të Zhvillimit Veliaj nënshkroi marrëveshjen e bashkëpunimit për të kthyer Piramidën në një qendër multifunksionale.

Hedhim hapin e parë zyrtar për formalizimin e një marrëveshjeje midis bashkisë së Tiranës dhe Fondacionit Shqiptaro-Amerikan për të transformuar Piramidën e Tiranës ndërtesën më ikonike të qytetit tonë dhe qendrën më të madhe për të rinjtë , kryesisht e fokusuar në arsimimin dixhital , me kulturën e teknologjisë së informacionit dhe sigurisht edhe me hapësira të tjera në funksion të artit, kulturës edhe të gjithave kurseve profesionale apo hapësirave të tjera rinore“,-u shpreh Veliaj, ndërkohë që u premtua që projekti do të bëhej publik në maj të atij viti.

Në Festivalin e Inovacionit të organizuar nga Bashkia Tiranë në 18-20 shtator 2018, në fjalën e mbajtur para të ftuarve Veliaj përdori të njëjtën retorikë si ajo e dy viteve radhazi më herët.

“Bashkë me Kryeministrin dhe qeverinë shqiptare ne kemi vendosur që ndërtesën me ikonike të Tiranës ta kthejmë në një qendër, në një shkollë alternative, për 5 mijë të rinj, çdo muaj, që të mësojnë teknologji informacioni dhe kthimi i Piramidës sipas një modeli që ne në fakt nuk e kemi kopjuar në perëndim, e kemi kopjuar në lindje , Tumo Center në Irevanë, për sa kohë jemi të qartë që e ardhmja nuk është nesër është tani. Që kjo ndodh ky inovacion ndodh në qytete, mund të bashkojmë ata që investojnë me ata që krijojnë , ne mund të kemi një histori suksesi këtu në Ballkan”.

Viti 2019 e gjeti Piramidën të “shëtiste” sërish në podiumet dhe prezantimet e bashkisë me investitorë dhe arkitektë, pa u finalizuar akoma dhe pa një datë fikse se kur të do nisnin punimet.

Më 25 prill të 2019, në një takim në ambientet e Kryeministrisë u prezantua projekti final i Piramidës nga arkitekti Winy Mass, i cili përdori fjalën TUMO, si një përvojë e kryqëzuar mes disa fushave duke përfshirë: animacion, zhvillimi i lojërave, kinematografia, web Design, muzikë, shkrimi, vizatim, dizajn grafik, modelimi 3D, programim, robotikë, grafika e lëvizjes, fotografi dhe media e re.

Në këtë takim kryebashkiaku Veliaj nuk ngurroi të tregonte edhe kohën kur do të niste puna.

“Përsa i përket kalendarit të punimeve , ne në dy muajt e ardhshëm do të finalizojmë detajet dhe skicat finale. Do të fillojmë në qershor fillimisht me pastrimin, edhe le të themi heqjen e gjithë objekteve te tepërta , ndarjeve, barrierave, mureve, xhamave, skeleteve metalike që sot janë një pengesë…”

Ndërkaq u shpreh entuziast se kjo godinë e transformuar do të ishte gati për vitin 2020, vit në të cilin Shqipëria mirëpret Samitin Dixhital të Ballkanit.

Kemi një arsye ose sebep për vitin tjetër, Kryeminsitri dhe qeveria shqiptare do të mirëpresin Samitin Dixhital të Ballkanit dhe sa mirë do të ishte që ky soft openi për të cilin folëm, të ishte dera e parë që hapej për samitin dixhital“.

E ndërkohë kur në qershor të 2019 nuk filloi asnjë iniciativë për pastrimin e piramidës, kryebashkiaku në 15 tetor të po këtij viti në deklaratën e tij publike shpall të përfunduar projektin dhe mbylljen e garës për punimet.

“Sot është akti final kur ne marrim në dorë projektin, pra e përkthejmë ëndrrën në një projekt të zbatueshëm edhe brenda këtij viti ne do të kemi një garë për të filluar punimet në Piramidën e Tiranës dhe me një supervizim të përbashkët por dhe me një menaxhim dhe financim të përbashkët me ADF-në do të shohim se si në një vit , një vit e gjysmë, do të transformojmë hapësirën ose pronën më të lakmuar të qytetit të Tiranës , në hapësirën që do të trasformojë besoj të ardhmen e fëmijëve të këtij qyteti “.

Si është gjendja e Piramidës sot?

Pas pothuajse katër vitesh premtime, ngjitje në podium, entuziazëm për godinën e re multidimensionale që do t’i dhurohej kryeqytetit, godina e Piramidës vazhdon të qëndrojë e braktisur, pa asnjë ndërhyrje, pa asnjë tabelë për nisjen dhe kohëzgjatjen e punimeve dhe për më tepër e rrethuar me rrjetë teli.

Hapësira përreth Piramidës është një hapësirë publike dhe si e tillë i përket qytetarëve. Sipas sociologut dhe filozofit Jurgen Habermas sfera publike është një fushë e jetës sonë, në të cilën mund të formohet opinioni publik dhe kjo konsiston në një seri ndërmjetësimesh mes shoqërisë civile dhe shtetit. 

Çfarë sjell rrethimi i një hapësire publike për qytetarët? 

Rrethimi i Piramidës u ka mohuar qytetarëve të shfrytëzojnë hapësirën përreth saj, duke përfshirë hapësirën e gjelbëruar të përdorur gjatë kohës me diell, por gjithashtu duke diktuar edhe disa kalime artificiale për njerëzit nëpërmjet barrierave. Sipas arkitektes Doriana Musai, nëse kjo hapësirë do të ishte kantier ndërtimi, punime duhet të kishin filluar 30 ditë pas rrethimit.

“Që në momentin që u rrethua bari dhe pjesa e gjelbërt është e pa aksesueshme, vetë objekti është i pa aksesueshëm dhe njerëzit janë të orientuar tashmë nëpër disa rrugica të cialt e kanalizojnë qarkullimin pikërisht në këto rrethime që janë bërë në mënyrë propagandistike do të thoja, pasi nuk janë rrethimet e një kantieri ndërtimi . Nëse do të ishin rrethimet e një kantieri ndërtimi punimet duhet të kishin filluar 30 ditë pas  rrethimit. Ne jemi tashmë po bëjmë vitin dhe siç e shohim këtu nuk ka asnjë makineri , nuk ka asnjë tabelë projekti dhe mesa dihet publikisht të paktën nuk është thënë akoma nëse ka një projekt të miratuar, nëse do futet në fond investimi, nëse do bëhet dicka vërtet për këtë piramidë apo do ngelemi te ai projekti i renderave që kemi parë prej vitesh tashmë”, shprehet Musai për Citizens Channel.

Sipas arkitektes Musai, këto barriera artificiale që qëndrojnë për një kohë të gjatë në një hapësirë të caktuar, sidomos kur kjo hapësirë është publike krijojnë konceptin e të mos qënit i lirë. 

“Kjo në mënyrë instiktive, njeriu në mënyrë të vullnetshme ndoshta nuk e kupton, por nëse këto modele përsëriten dhe në fakt në Tiranë fatkeqësisht janë të përsëritura kudo, krijojnë një lloj ngarkese psikologjike dhe psikike pasi të qënurit të rrethuar në fakt është të mos qenurit i lirë. Hapësira publike dhe rrethimi të dyja bashkë nuk rrinë, bien ndesh. Hapësira publike, neve e konsiderojmë vendin ku mund të ndërtojmë demokracinë, pasi aty është vendi ku kryqëzohen njerëzit, aty është vendi ku njerëzit komunikojnë, ku krijojnë ndërveprim me njëri tjetrin, ku krijohen komunitet dhe aty është baza e demokracisë së një vendi. Nëpërmjet hapësirës publike, nëpërmjet ndërhyrjeve dhe të gjitha metodave, mekanizmave, tullceve që mund të përdorim për ta ndryshuar apo kornizuar neve sigurisht që ndërhyjmë direkt në mënyrën se si bëjmë komunitet se si bëjmë shoqëri”.

Për të mësuar më shumë rreth procesit të nisjes së punimeve për Piramidën e Tiranës, Citizens Channel iu drejtua Bashkisë Tiranë me një kërkesë për informacion ku kërkoi të dinte:

  1. Cilat janë arsyet/pengesat që kanë çuar në vonesën e nisjes së punimeve për transformimin e godinës së Piramidës ?
  2. Kur është parashikuar nisja e punimeve dhe afati i përfundimit të tyre? 
  3. Kopje të projektit fitues për rikonstruksionin e Piramidës.

Pavarësisht se afati i përcaktuar në ligj ka kaluar, institucioni nuk ka kthyer një përgjigje deri në momentin e publikimit të këtij shkrimi. 

*Citizens Channel /Erisa Kryeziu 

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW