Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Ish-minatorët” e sindikatës: “Diçka po lulëzon në Bulqizë, nuk po shuhet”

Muaji nëntor i vitit 2019 u pasua me ngjarje të njëpasnjëshme për minatorët e Bulqizës. Sheshi i kësaj qyteze priti shpalljen e një sindikate të re, Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës (SMBB), me në krye Elton Debreshin.

Nuk kaluan shumë ditë  dhe ai u pushua nga kompania AlbChrome, që administron minierën. I njëjti fat ishte përcaktuar edhe për Beqir Duriçin, Ali Gjetën dhe Behar Gjimin, të tre punonjës prej vitesh në ato galeri, të angazhuar sindikalisht. Që pas atij muaji, jeta e tyre ka marrë një tjetër trajtë.

Atje, përditshmëria është e lidhur ngushtë me minierën dhe profesionin e minatorit. Për Debreshin, Duriçin, Gjetën dhe Gjimin, barra ekonomike është bërë dyfish e rëndë sepse ka pak alternativa të tjera punësimi. Megjithatë, këto vështirësi nuk i kane heshtur apo thyer anëtarët më të zëshëm të sindikatës.

Ata ecin drejt rrugëtimit që nisën disa muaj më parë, duke përdorur mjetet ligjore dhe ruajnë kontaktet e vazhdueshme me të punësuarit në këtë sektor.

Sindikalistët nuk kanë hequr dorë nga kërkesat fillestare: rritje page; ulje të normës; njohje të vështirësisë dhe vjetërsisë si dhe kërkojnë rikthimin e tyre  në punë. Këto i konfirmojnë teksa nisemi kah minierës së kromit në AlbChrome, aty ku hyrja nuk është e lejuar për asnjërin prej minatorëve.

Kostoja ekonomike, një barrë që rëndon veçanërisht mbi fëmijët e minatorëve

Shtëpia e Beharit ndodhet disa minuta larg qendrës së Bulqizës. Atje na pret bashkëshortja e tij, një zonjë e qeshur dhe e dashur. Në oborrin e kopshtit të tij mund të shikosh gjurmët e një jete të zakonshme fshati. Bujqësia mbetet ndër pak burime ku minatorët mund të mbështeten, edhe pse ajo nuk mbulon as nevojat minimale të familjes.

Behar Gjimi rrëfen sa papunësia sa vjen dhe e ngarkon më tepër. Ai është prind i dy fëmijëve, të cilët tashmë janë të detyruar të punojnë sepse vetë nuk e ka të mundur t’u dërgojë të ardhura.

Po ia dalim me vështirësi, për shembull dy djemtë që i kam në shkollë, ata kanë filluar punë për arsye të pushimit tim dhe s’kemi të ardhura siç i kam pas më parë. Më ka rënduar shumë, se nuk kam asnjë lloj të ardhure, gruaja është shtëpiake, i vetmi burim… kam pas punuar vetëm unë“, shpjegon Gjimi për Citizens Channel.

Behar Gjimi, pjesë e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Mungesa e një page fikse dhe e përmuajshme ka pezmatuar edhe Duriçin, Gjetën e Debreshin, të tre kryefamiljarë. Para se ata të pushoheshin nga puna ishin burimi kryesor i të ardhurave

Gjatë gjithë kësaj periudhe, minatorët janë mbështetur në ndihmën e të afërmve dhe familjarëve të tyre.

Familjarët kanë thënë… nuk e menduam që do shkonte kështu, faktikisht, se në prill mua më ndërruan pozicionin e punës, nga minator më kaluan vagonist. Nga prilli deri në dhjetor, kur jam pushuar nga puna, është ndërruar pesë herë pozicioni i punës. Familjarët kanë reaguar në mbrojtje, mbështetje time“.

Elton Debreshi është më i riu ndër ta. Ai shpjegon se kur minatorët e zgjodhën kryetar të sindikatës, është emocionuar dhe lajmin e mirë ia ka përcjellë fill babait të tij. Dikur minator, babai i Eltonit e ka porositur dhe këshilluar që t’i përfaqësojë denjësisht punëtorët dhe mos ta turpërojë atë para minatorëve.

Elton Debreshi, kryetar i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Vetë ata propozuan mua si kryetar si kësaj sindikate. Në momentin që unë e mora këtë barrë përsipër, u emocionova dhe s’dija ça të thoja ndaj punëtorëve dhe heshta në moment“, kujton ai.

Prind i katër fëmijëve, ai përballet çdo ditë me nevojat dhe dëshirat e tyre, të cilat nuk mundet t’ua plotësojë.

“Rasti konkret ishte para ca ditësh që isha në Tiranë, isha në protestë dhe kisha marrë ato rrobat që kisha marrë me vete në Tiranë. Kalamajtë shkuan me shpejtësinë më të madhe, e çanë atë qesen dhe nga qesja nxorën thjeshtë kasketën dhe xhaketën që kisha me vete. Pavarësisht se ata s’e kuptojnë situatën, si jam unë, por është tepër e vështirë të jetë babai i tyre pa punë“, shprehet Elton Debreshi, i cili sapo është bërë baba i fëmijës së katërt.

Bashkëshortja e Beqir Duriçit e ka pasion gatimin dhe shpesh merr porosi nga banorët e zonës përreth kundrejt pagesës. Bashkë me pensionin e babait, ai mundohet të mbyllë nevojat e familjes. Produktet që merr nga kafshët shtëpiake, janë vetëm për konsum individual, sqaron ai.

Për Duriçin nuk është e lehtë të përballet me kërkesat e vazhdueshme të fëmijëve.

Atij të voglit mundohem t’ia shpjegoj disi, në mënyra të ndryshme, që do rregullohet çdo gjë, me kalimin e kohës do na jepet mundësia, do punojmë prapë, nuk është mbyll çdo gjë. Normal se një familje do përditë, nuk është se do një herë në dy muaj ose tre muaj. Na ka shkatërru… totalisht“, ndan me Citizens Channel një tjetër rast Duriçi, babai i tre fëmijëve.

Beqir Duriçi, pjesë e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Të ardhurat e vetme për Ali Gjetën, i cili jeton në shtëpi me qira, vijnë nga pensioni i babait, të cilit ia ka trashëguar profesionin.  Ai rrëfen se do donte që kushtet e fëmijëve të tij mos të kishin hendek me ato të bashkëmoshatarëve.

Edhe më para nuk ua kemi pas plotësuar [kushtet] neve po tani është edhe më keq sepse unë jam pa rrogë, veç me pensionin e plakut, vështirësi kam pas, se edhe ata duan që të jenë si shokët e tjerë“.

“Sindikata e minatorëve, shpresë për Bulqizën”

[Familjarët] po bëjnë gjithçka që unë mos të bie, mos ta ul kokën para minatorëve. Kur i takoj minatorët u buzëqesh, dhe ndjehem, pavarësisht se jam i papunë, ndjehem sikur jam në punë, po punoj akoma me shokët“, shprehet Elton Debreshi për Citizens Channel.

Ne jemi bërë më të fortë, në kuptimin që unë para minatorëve, siç e thashë edhe më parë dal kryelartë, sepse e shoh që diçka apo lulëzon në Bulqizë, nuk po shuhet. Kjo është sindikata e shpresës, nuk është sindikata e vdekjes“, tregon më tej Debreshi, i bindur se kauza e ngritur nga vetë minatorët do të sjellë ndryshimin e pritur, jo vetëm në Bulqizë, por në gjithë Shqipërinë.

Sindikata i ka punët aq mirë sepse ne kemi mbështetje nga sindikatat evropiane dhe botërore dhe kjo është një shpresë, një lajm i mirë për sindikatën tonë që shumë shpejt do triumfojë këtu në Bulqizë, sepse minatorët e duan këtë sindikatë. I kam shpresat se kjo sindikatë do triumfojë ndaj gjithë sindikatave në Bulqizë dhe do hapë shpresën jo vetëm në Bulqizë, por në gjithë Shqipërinë. Besoj se do ndjekin shembullin tonë gjithë punonjësit e Shqipërisë“.

Edhe Beqir Duriçi është mjaft pozitiv lidhur me të ardhmen e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Pakënaqësia është e përbashkët, edhe vështirësitë edhe kushtet janë prapë të përbashkëta, nuk është diçka personale. Them se do jetë diçka e arritshme me mjaft rezultat të mirë“, artikulon ai.

Ali Gjeta shpjegon se kjo sindikatë u soll në jetë si rrjedhojë e pakënaqësive dhe nevojës për përmirësim të kushteve në vendin e punës.

Ali Gjeta, pjesë e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës

Jo, nuk kam qenë i mërzitur fare, se unë  e kam pas me shumë dëshirë që të bënim gjithçka për minatorët dhe për veten tonë. Unë mendoj se do të jetë edhe më e mirë, e ardhmja. Për më mirë iu futëm ne, se për më keq s’kishim lëviz asnjë gjë edhe do rrinim ashtu siç ishim“, sqaron Gjeta.

Në këtë qytet, ndryshimi është më i prekshëm se kurrë, pohojnë minatorët. Behar Gjimi tregon se kompania AlbChrome ka premtuar rritje rroge ndaj punëtorëve dhe këtë meritë ai ia vesh aktivitetit të Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.

Ai, administratori përgjithshëm, nuk ka pas rehati qëkur kemi nis ne këtë. Ai më shumë rri në Bulqizë sesa në Tiranë tani dhe ka shkuar, kontakton edhe punëtorët nëpër fronte. Ka premtuar që do u ngrejë edhe rrogat gjatë muajit mars dhe kjo mendoj, është meritë e jona. Sepse ne e nisëm këtë luftë ndaj kompanisë“, përfundon ai.

*Citizens Channel/Entenela Ndrevataj

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *