Citizens.al

Faqja ëshë në ndërtim

“Babi, mos e vrit mamin!”; apel publik kundër dhunës me bazë gjinore

Muret e Tiranës i kanë shërbyer vajzës më pseudonimin Shota si hapësirë për të dhënë mesazhe kundër dhunës me bazë gjinore. “Babi, mos  e vrit mamin!” ishte fjalia e shkruar, fill pasi Shqipëria u gdhi me tre të vrarë brenda 24 orëve, dy prej tyre gra.

Prej muajit janar të këtij viti, janë vrarë shtatë gra shqiptare. Agresorët janë kryesisht pjesëtarët e familjes dhe aktet e dhunës ndodhin shpesh brenda mureve të shtëpisë.

Shota artikulon për Citizens Channel se ky mesazh ka si qëllim të nxisë komunikimin konstruktiv, nëpërmjet të cilit shkërmoqen aktet e dhunshme që çojnë në marrjen e jetës.

“‘Babi, mos e vrit mamin!’, është një apel publik ndaj një fenomeni që shkakton dhimbje e revoltë; është perspektiva ndaj një realiteti ndryshe ku frika, pasiguritë dhe ankthi tkurren e zhbëhen nëpërmjet komunikimit konstruktiv, jo shkrehjes së plumbave”.

Shota shpjegon se ngjarje të tilla lënë trauma afatgjata tek njerëzit, sidomos tek fëmijët, të cilët janë jo pak herë dëshmitarë të saj.

Vrasja shkatërron shumë jetë, përtej atyre që merr. Një pjesë e konsiderueshme e grave të vrara qëllon të jenë edhe nëna e jo rrallëherë, krimi ndodh në sy të fëmijëve, një traumë kjo që i shoqëron ata përjetë. Britmat rrëqethëse të së bijës së Hajdije Tosunit e cila u vra dy ditë më parë nga bashkëshorti i saj, lanë gjurmë te shumëkush prej nesh”, shprehet ajo.

Dhuna me bazë gjinore, sqaron Shota, është një fenomen që përçohet më tej në shoqëri me tone të larta agresiviteti, duke e nxitur individin, pasi e zhvesh nga njerëzorja dhe emocionalja, kah izolimit.

Kur një burrë vret një grua, ai i vjedh asaj jetën, ndërsa fëmijëve nënën e babain, mirëqenien emocionale dhe mendore. Ai u vjedh atyre fëmijërinë, rininë, një jetë normale e të shëndetshme. Ai e zhvoshk komunitetin e shoqërinë mbarë nga njerëzorja dhe vetveten e redukton në shtazë, pa kurrfarë rrugëdaljeje veç izolimit”, tregon ajo.

Sistemi patriarkal, referuar Shotës, i trajton vajzat dhe gratë si qytetarë të dorës së dytë. Ato përballen me probleme të cilat intensifikohen nëse i përkasin komuniteteve të margjinalizuara.

Fytyra më e ashpër e dhunës është ajo sistemike e cila gratë i trajton si qytetare të dorës së dytë dhe i shtyp ato në punë skllavëruese, si punëtore e gjithashtu për shkak të identitetit gjinor me të gjitha nënshtresat që ky identitet mund të mbartë në vetvete (gra heteroseksuale, biseksuale, lesbike, trans, etj.)”

 “Afërmendsh, ky realitet bëhet akoma më i ashpër nëse këto gra qëllon të përkasin gjithashtu në “etninë e gabuar”, të jenë për shembull, pjesëtare të komunitet rom dhe egjiptian“, vijon Shota.

“Zgjidhja qëndron te solidariteti me njëra-tjetrën, rezistenca dhe organizimi

Fenomeni i dhunës që targeton vajzat dhe gratë në shoqëri duhet të adresohet duke krijuar ura komunikimi mes vetë vajzave dhe grave, si fillim, rrëfen Shota, pa përjashtuar anëtarët e tjerë të shoqërisë.

Zgjidhja qëndron te solidariteti me njëra-tjetrën, rezistenca e vazhdueshme dhe organizimi“, informon ajo.

Gjithashtu, është me rëndësi të kuptohet se çështja gjinore është çështje e të gjithë shoqërisë, jo vetëm e disave prej nesh prandaj, kauza ka nevojë për të gjitha gratë dhe burrat e ndërgjegjshëm të shoqërisë sonë, ku të dytët kontribuojnë si aleatë në një përpjekje historike të përbashkët“.

Lexo më shumë: Intervistë me Shotën: “Zgjidhja qëndron te solidariteti, rezistenca dhe organizimi”

“T’i japim zë nevojave, dëshirave, kënaqësisë dhe lirisë – jo vetëm në tetë mars

Shota beson se gratë dhe vajzat duhet t’i dedikojnë të gjitha ditët e vitit lirive dhe kënaqësive individuale, jo vetëm gjatë një dite të caktuar të vitit.

‘Jo vetëm për 8 mars, por për çdo ditë të vitit, meritojmë t’i japim zë nevojave, dëshirave, kënaqësisë dhe lirisë së panegociueshme tonës“, shprehet ajo më tej ajo.

Hapat drejt një shoqërie të drejtë dhe të barabartë, tregon Shota, vijnë nëpërmjet mbështetjes së njëra-tjetrës.

Ku ka shtypje, ka revoltë e ku ka revoltë, ka shpresë. Dhimbjen do ta shndërrojmë bashkërisht në forcë dhe me inteligjencë, trimëri e durim; me besimin dhe mbështetjen te njëra-tjetra, do të hedhim themelet për shoqërinë e drejtë, atë në të cilën do të ketë vend për të gjithë, pavarësisht gjinisë, besimit, etnisë dhe të gjitha diferencave që na e pasurojnë jetën“, përmbyll ajo.

Regjistrohu në Buletin (Newsletter)

.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *