Dr. Dalila Davidhi prej një viti punon si mjeke urgjence në spitalin “Ihsan Çabej”, Lushnje. Është diplomuar dhe licensuar për Mjekësi të Përgjithshme, në Universitetin e Tiranës, pranë Fakultetit të Mjekësisë. Në këtë artikull ajo do të flasë më shumë rreth virusit COVID-19, seriozitetit të këtij virusi dhe masat që duhen marrë për ta parandaluar shtrirjen e mëtejshme të tij.
Doktoreshë, sa serioze është situata dhe si mund ta ktheni qytetarin në aleatin më të mirë për ta mundur COVID-19?
Situata është shumë serioze, duhet të ndiqen këshillat e dhëna nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, këshillat e dhëna nga Ministria e Shëndetësisë. Dizinfektues, të lajmë duart, mos të kemi kontakt të drejtpërdrejtë me njerëzit edhe të ushqehemi shëndetshëm, sigurisht. Ata që pinë duhan, duhet ta reduktojnë atë pasi ndikon drejtpërsëdrejti, jo sepse do ta bëje me kancer pas disa vitesh, por sepse e përkeqëson situatën. Ky izolim nuk është kot, asnjë gjë nuk është e ekzagjeruar, situata është po aq rëndë sa ç’duket. Megjithatë, nuk duhet të kemi frikë për sa kohë ruhemi dhe i marrim të gjitha masat.
Ne nuk mund të themi më “ne jemi shqiptarë dhe nuk na ndodh gje”. Unë mendoj se secili nga ne, jo vetëm nga ana e personelit mjekësor, por e gjithë popullsia, duhet të mendojmë sikur jemi potencialisht të infektuar, për t’u kujdesur më shumë për veten në mënyrë që kjo situatë izolimi të kalojë sa më shpejt. Paniku duhet shmangur sepse paniku ndonjëherë bën më shumë keq sesa mirë.
Si mendoni se duhet të jetë rutina e një qytetari të i cili e trajton me seriozitet situatën në të cilën ndodhemi?
Brenda shtëpisë së vet duhet të ushqehet si fillim shëndetshëm, duhet të lajë duart, duhet të higjienizojë shtëpinë, me ato masa që ka. Për shembull, dorezat e dyerve, telefonin ose tualeti që janë objekte që mbartin më shumë baktere dhe viruse, duhet të dizinfektohen, në mungesë të alkoolit, me uthull.
Një pedagogu im u shpreh se me napë, ose me një copë tjetër të ngjashme në shtëpi, duhet të palosen deri në tetë shtresa, duhet të lahen, të përvëlohen mirë dhe pastaj të futen në ujë të ngopur në sodë buke, sepse krijon një tretësirë bazike e cila i ngordh viruset dhe të gjitha bakteret e tjera, dhe të përdoret si maskë. Kjo është një maskë e improvizuar në shtëpi, që edhe nuk kushton asgjë edhe të mbron shumë.
Duhet të shmangin kontraktin e drejtpërdrejtë me personat që janë në shtëpi, sepse deri para një jave kanë qenë jashtë. Sa më pak kontakte me njëri-tjetrin, më mirë. Sidomos, kontakti i drejtpërdrejtë nga frymëmarrja.
Rrobat duhet t’i lajmë sa më shpesh dhe t’i lajmë në temperatura sa më të larta që të jetë e mundur. Dhe ACE, sidomos ACE për të larë ambientet e shtëpisë. ACE-ja është përdorur gjithmonë, edhe në epidemitë e mëparshme që kanë qenë, ajo e vret virusin.
Nuk duhen përdorur mjekime nëse nuk kemi nevojë. Në qoftë se kemi një temperaturë mbi 37 gradë, mund të pish një paracetamol, çaj të ngrohtë, pra gjëra që i ke përdorur më përpara për temperaturën, por pa e ekzagjeruar. Nuk duhet të na udhëheqë ankthi dhe frika. Dhe sigurisht të ushqehemi shëndetshëm, frutat dhe perimet në këtë moment janë të domosdoshme, që të marrin sa më shumë vitamina.
Kërceni e këndoni sa më shumë në shtëpi, pasi përveçse hiqni ankthin e ditëve të izolimit, rritet niveli i serotoninës, duke fuqizuar kështu sistemin imunitar.
A jeni ndeshur me individë të cilët nuk i trajtojnë me seriozitetin e duhur këshillat për t’u mbrojtur nga ky virus?
Kisha një rast para disa ditësh, erdhi një person për të kërkuar ndihmë mjekësore aty për djalin e vet. Duke i thënë “Të lutem, vër maskën, kini kujdes” dhe u shpreh “Ohu, unë po vdiqa, vdiqa, ç’më interesojnë të tjerët”. Kjo është një papërgjegjshmëri shumë e madhe, që nuk është rasti i vetëm tek ne, por ekziston tek shumë njerëz. Njerëzit që e marrin shumë lehtshëm situatën, edhe nëse nuk kujdesen për veten, të paktën duhet të kujdesen që mos ta përhapin në shoqëri. Nuk duhet të tregohemi egoistë në këtë situatë, është momenti më i mirë për të qenë altruistë, duke ruajtur veten dhe duke ruajtur të tjerët.
A janë marrë masat e duhura për të mbrojtur personelin mjekësor në Lushnje?
Janë marrë masa, janë bërë mbledhje, por në kushtet që jemi. Kanë ardhur doreza, kanë ardhur maska, por edhe ato janë në sasi të limitur. Ne përdorim, kemi në dispozicion dy-tre palë doreza gjatë 12 orëshit, që është disi çmenduri pasi në fund të ditës na regjen duart sepse dorezat janë një përdorimshme, ne i dezinfektojmë ato që kemi që të mos i harxhojmë sepse aq janë në dispoziocion.
Cili është motivi kryesor që ju shtyn të asistoni në një moment të tillë, për ta parandaluar shtrirjen e mëtejshme të këtij virusi?
Vetë parandalimi dhe kufizimi i infeksionit tek personave e tjerë më shtyn që të shkoj në punë çdo ditë. Ndjehem mirë kur mendoj se po kontribuoj në ndihmën e njerëzve, në ndihmën shëndetësore, sociale. Dikush duhet ta bëjë!
A ju lind frika se edhe ju mund të jeni infektuar gjatë punës tuaj?
Patjetër që një frikë ekziston dhe është konstante tek i gjithë personeli mjekësor, megjithatë duke ditur masat parandaluese, jemi disi të lehtësuar, por prapë frika më e madhe e imja por edhe e kolegëve, mesa kemi diskutuar tek puna, është frika se mund t’ua çojmë familjarëve këtë virus, sepse ata janë më të pambrojtur, janë dhe në moshë më të vjetër. Edhe ne në fund të ditës heqim bluzat e bardha dhe jemi popull, thjesht kthehemi tek familjet tona.Qëkur ka filluar kjo situatë nuk kam përqafur dot mamin dhe babin, mezi pres që të mbarojë dhe t’i përqafoj, pa pasur frikë se mund t’i vras.
Si ju erdhi aksioni i para pak ditësh, ku qytetarët dolën në dritare dhe në shenjë falënderimi duartrokitën stafin mjekësor?
E përjetuam shumë mirë, kemi qenë shumë të emocionuar! U ndjemë shumë të vlerësuar dhe është e rëndësishme që edhe në të ndjehemi të vlerësuar për punën që bëjmë, që ta bëjmë atë akoma më mirë, akoma me më shumë dashuri dhe pasion- rrugëtim që e kemi nisur që nga bankat e shkollës. Shumë kurajo të gjithë mjekëve në mbarë Shqipërinë dhe infermierëve, sanitareve dhe të gjithë atyre që janë në qendra shëndetësore dhe spitale në këto momente, duke luftuar virusin!