Citizens.al

Komuniteti rom dhe egjiptian në kushte urie gjatë vetë-karantinimit

Prej më shumë se një jave Shqipëria është përfshirë në situatën e pazakontë për shkak të përhapjes së virusit Covid-19. Urdhërat dhe aktet e reja normative të miratuara nga Qeveria Shqiptare kanë detyruar banorët të qëndrojnë brenda shtëpive të tyre për të shmangur përhapjen e virusit.

https://www.facebook.com/edirama.al/posts/10157538749326523

Kjo situatë e krijuar ka gjetur të papërgatitur komunitete të caktuara të shoqërisë shqiptare dhe vetë insitucionet për t’ju ardhur në ndihmë.

Disa ditë më parë dhjetra qytetarë të komunitetit rom dhe egjiptian në Shqipëri kanë protestuar për mungesën e ushqimeve dhe të ardhurave për të përballuar jetesën këto ditë të vështira. Qëndrimi në shtëpi, që për shumicën e popullsisë është krejtësisht normale, për këto komunitete do të thotë të luftosh me urinë.

Familje rome duke protestuar në Fier 

https://www.facebook.com/permalink.php?story_fbid=2049072418572665&id=1689778831168694

Protesta e familjeve në Elbasan

https://www.facebook.com/InFormim.al/videos/210927566812678/

Përfaqësuesi dhe aktivisti i komunitetit rom dhe egjiptian në Elbasan, Ervis Çota u shpreh për Citizens Channel se situata është e rënduar. Të ardhurat mujore të pakta që ky komunitet merrte me anë të mbledhjes së mbetjeve të ricikluara apo tregtisë së rrobave të përdorura nuk u ka krijuar mundësinë për kursime apo rezerva ushqimore.

Ervis Çota, përfaqësues i komunitetit Rom dhe Egjiptian, Elbasan

“Nga komunikimet që kam pasur me disa prej banorëve shprehen se në shtëpitë e tyre nuk gjendet asnjë thërrime buke, fëmijët u qajnë për ushqim, mosha e thyer (prindërit dhe gjyshërit) janë të sëmurë dhe nuk kanë medikamente për tu kuruar. Kjo situatë po u krijon stres dita ditës. Nëse kjo situatë do zgjasë më tepër këto familje do të jenë seriozisht të kërcënuar nga uria. Në këto kushte mbijetese këto familje nuk kanë për të respektuar masat duke rrezikuar vetveten dhe të tjerët.”

Situata paraqitet e rëndë edhe në Tiranë. Në zona ku më së shumti jeton ky komunitet ndër të tjera nuk ka energji elektrike.

Përfaqësuesja e Qendrës për Advokim Social, Romina Sefa, rrëfen se kanë kërkuar lidhjen e energjisë elektrike për këto familje deri në kalimin e kësaj pandemie.

Romina Sefa, përfaqësuese e Qendrës për Advokim Social

Në nivel kombëtar referuar të dhënave të OSHE-së janë 10.000 familje të cilëve u është ndërprerë energjia elektrike. Ne kemi dërguar shkresa drejtuar insitutcioneve, Bashkisë Tiranë konkretisht dhe MSHMS-së duke i kërkuar që për momentin e kësaj krize që jemi duke kaluar, këtyre familjeve ti rilidhet energjia deri në një vendim të dytë. Deri më sot nuk kemi asnjë përgjigje. Gjithashtu në zonën e Yzberishtit janë disa familje të varfëra që vijojnë të mbeten pa energji elektrike dhe nuk kanë mundësi që të informohen apo të përditësohen herë pas here për masat që po merr qeveria, të cilat duhet thënë që ndryshojnë dita pas dite. Por këtyre familjeve vijon t’u cungohet informacioni publik për shkak të qasjes së kufizuar në energji elektrike.”

Për aktivistin dhe përfaqësuesin e komuniteti rom dhe egjiptian Fatmir Zyberi, pasiguria se sa do të vazhdojë ku ankth është e lartë.

“Nuk dalin dot në punë, janë pa ushqim dhe kanë mungesë të higjenës sanitare. Përvec kësaj duke qenë se nuk kanë energji elektrike fëmijët nuk mund te ndjekin mësimet live. Kjo gje i ka penalizuar. U mungojnë medikamentet për personat ose fëmijët e semure.

Sipas tij pamundësia për të lëvizur i penalizon këta banorë edhe të informohen për masat e fundit të marra nga qeveria, si pasojë e mungesës së energjisë elektrike.

Fatmir Zyberi, aktivist i komuniteti Rom dhe Egjiptian

“Kam informacion për një person i cili shkoi të interesohet për ndihmën ekonomike tek njësia 6, por policia nuk e lejoi të shkonte tek posta sepse kërkonte autorizim . Mire familjet që dinë të lexojnë dhe të kuptojnë , po për ato familje që s’ja kanë idenë  se ç’është informacioni virtual. Dhe kështu ngelen në situatë të mjerimit”.

Në lidhje me kufizimet e vendosura nga Qeveria, për juristin dhe njëkohësisht përfaqësuesin e komunitetit egjiptian Gentian Serjani, ato respektojnë kriteret e përcaktuara nga Kushtetuta dhe Konventa për te Drejtat e Njeriut.

Një autoritet publik mund të ndërhyjë për të kufizuar një të drejtë nëse lejohet sipas ligjit. Autoriteti publik mund të tregojë se ka një arsye specifike për kufizimin e të drejtave të njeriut. Disa nga shembujt që mund të kufizojë këto të drejta janë si : mbrojta e shëndetit, siguria kombëtare, siguria publike etj. Gjithashtu duhet që masa të jetë proporcionale dhe jo diskriminuese”.

Por sipas juristit Serjani, këto masa nuk janë në proporcion me të drejtën për të jetuar, referuar komunitetit egjiptian dhe rom.

Gentian Serjani, Jurist

“Referuar situatës ekonomike të familjeve egjiptiane dhe ato rome, ku shumica e tyre jetojnë me të ardhura ditore nga puna informale si riciklimi, tregtia e rrobave të përdorura ose nga ndihma ekonomike shohim se këto masa nuk janë proporcionale me të drejtën për jetën. Që do të thotë se familjeve nëse nuk u sigurohet ushqim nga autoriteti publik mund ti rrezikohet jeta, pasi nuk mundet që me kufizimin e lëvizjes të vetësigurojnë ushqimin e tyre. Pra, në këtë aspekt mund të themi se masat e marra nga autoriteti prej një jave pa një zgjidhje për sigurimin e ushqimit të këtyre familjeve nuk janë proporcionale referuar situatës së tyre ekonomike“.

Serjani shpjegon më tej se ushqimi dhe energjia elektrike është një e drejtë absolute, dhe në këto kushte kemi të bëjmë me trajtim çnjërëzor.

Një nga këto të drejtat është e drejta për të mos u torturuar apo trajtuar në mënyrë ç’njerëzore apo poshtëruese. A mund të themi se mungesa e ushqimit , e furnizimit me energji elektrike është një trajtim çnjerëzor për familjet në këtë situatë ku nevoja për ushqim dhe energji elektrike është më e nevojshme se kurrë? Padyshim që po. Pra në këtë situatë duhet të prevalojë e drejta për të mos u trajtuar në mënyrë cnjerëzore”

Sipas përfaqësuesve të komunitetit rom dhe egjiptian bashkitë kanë shpërndarë sot disa pako me ushqime, por janë të pamjaftueshme.

“Gjatë këtyre ditëve kemi vijuar bisedat me bashkitë, që të jenë këto të fundit që ti sigurojnë ushqimet bazike për familjet e varfëra. Dje janë shëprndarë disa ushqime në disa zona të Tiranës, të cilat janë të përqëndruara nga romët dhe egjiptianët, në Shkozë, Lana bregas, Selitë, Yzberisht dhe Kombinat. Nevojitet që institucionet minimum të sigurojë një paketë ushqimore të bollshme që të jetë e mjaftueshme oër një periudhë një mujore për shërbimet bazike për familjet e varfëra”, sqaron Romina Sefa

Ndërsa Ervis Cota i bën thirrje Qeverisë për marrjen e masave për këto familje.

“Këto masa apo kufizime do të thotë për ta mungesë të ardhurash, e për rrjedhojë pasiguri për sigurimin e ushqimit. Familjet janë të vetëdijshme që këto masa janë për të mirën e tyre, për të mbrojtur veten, familjarët dhe shoqërinë nga përhapja dhe infektimi prej koronavirusit, por në të njëjtën kohë ndjejnë vuajtjen e mungesës së ushqimit. Në situate të tilla përvec marrjes së masave për parandalimin e përhapjes së virusit duhet që qeveria të ndërmarri edhe masa për mbështetje ekonomike të familjeve të varfëra. Vërtetë jemi në situatë lufte sic e përshkruan Kryeministri, por kjo sdo të thotë që familjet e varfëra të vdesin urie”.

Nga raportimet e mëparshme të Citizens Channel, 11 familje të komunitetit rom dhe egjiptian në zonën e yzberishtit janë pa energji elektrike që prej fillimit të muajit shkurt 2020.

https://www.facebook.com/citizenschannel/videos/2807014079381288/

Sot pritet që Qeveria Shqiptare të prezantojë planin ekonomik për pasojat e përhapjes së virusit Covid-19 në Shqipëri.

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW