Ish të burgosurit e burgut famëkeq të Spaçit u rikthyen këtë fundjavë për të përjetësuar në art kalvarin e vuajtjeve gjatë sistemit monist. Deri të shtunën që lamë pas, në burgun e Spaçit, përveç godinave të rrënuara dhe vizatimeve në mur të ish të dënuarve nuk kishte asnjë dëshmi mbi torturat, përjetimet dhe historitë. Por që nga 13 prilli, në ambientet e këtij burgu u hap ekspozita audiovizuale “E kaluara, e tashme” për të qëndruar aty përgjithmonë. Kushdo tani do mund të shohë 49 portretet në allçi të ish të burgosurve politikë, që janë ende në jetë, por dhe do mund të dëgjojnë në kufje intervistat e tyre.

“Do mbetet si pjesë e trashëgimisë kulturore përgjithmonë aty ku i takon” – tha për Citizens një nga organizatorët e ekspozitës, Arnen Sula.

Ndryshe nga Arneni, i cili nxitjen për nisjen e kësaj ekspozite e pati nga mungesa e fakteve dhe dëshmive, skulptori dhe kuratori Kristian Zara e lidh me arsye më personale.
“Gjyshi im ka qenë këtu, nga të parët që kanë qenë në Spaç, edhe kam një lloj ndjesie vazhdimisht sikur të ishte gjallë do më thoshte që diçka është ba, të paktën nga nipi i tij” – rrëfen Kristian Zara.
Organizatorët theksojnë se përveç nxitjes që brezi i ri të njohë sa më shumë historinë është edhe nxitja e institucioneve përkatëse për kthimin e objektit në muze.
“Jemi 33 vite me vonesë tanimë për ta bërë këtë gjë. Duhet të ishte bërë shumë më përpara, por megjithatë uroj që sa më shpejt të rikonstruktohet si objekt, sepse është pjesë e pandashme e historisë sonë” – analizon Arnen Sula.
Por maskat e allçiut u prekën dhe u vizituan jo vetëm nga të rinjtë, por edhe vetë personazhet që inspiruan dhe bënë të mundur këtë instilacion, ish –të burgosurit e Spaçit.
Të emocionuar teksa gjenin maskën që i përkiste ata ndanë disa rrëfime nga vitet e torturës për Citizens.
Demir Abazi, me origjinë nga Dibra u dënua për shkak se u arratis në Shkup, ku qëndroj katër muaj dhe pasi u kthye bëri gjashtë muaj izolim. Ai ka vuajtur dënimin prej 10 vitesh në Spaç.
“Kurrë nuk kam mendu që dal gjallë prej këtu! Të largohet edhe mendimi për shtëpinë, duket sikur s’ke njeri, veç kur të vinte familja që të binte dy trajse atje në fillim të rrugës” – rrëfen Abazi.

Velemin Ranxha, një tjetër ish i burgosur tregon se vetëm për shkak të sharjeve ndaj ish diktatorit Enver Hoxha, përgjatë qëndrimit në Spac, ai u dërgua në një biruc me temperaturë minus 30 gradë për një muaj.
“Tani është kopësht me lule, në krahasim me atë që ka qenë kur isha unë këtu”- kujton Ndoc Çulaj.
Çulaj përfundon se duhet të realizohet ajo që është premtuar, pasi ish të burgosurit edhe në demokraci nuk kanë përfituar dëmshpërblimet.

Ka kryer studimet në nivelin master në degën e Gazetarisë dhe Shkencave të Komunikimit në Universitetin e Tiranës. Ajo raporton prej më shumë se katër vitesh në Citizens.al mbi çështjet e kulturës, zhvillimit urban, feminizmit etj. Është kontributore gjithashtu në media të tjera vendase dhe të huaja on line, si dhe ka punuar në redaktimin e materialeve të ndryshme. Është autore e podastit “Pezull” në Citizens.al dhe është angazhuar si koordinatore e projekteve që lidhen me fuqizimin e gazetarëve të rinj dhe çështjet e migrimit.