Citizens.al

Punonjësit e Call Center pezullohen nga puna pa pagë

Me anë të një njoftimi, kompania “Teleperformance” ka bërë me dije se do të shkëpusë përkohësisht marrëdhënien e punës me 18 operatorë të saj, pjesë e një fushate. Prej dy javësh këta operatorë janë karantinuar pasi kolegu i tyre rezultoi i prekur me koronavirus. Kontrata e ndërprerë do të jetë aktive pasi situata me Covid-19 të ketë mbaruar, informon kompania.

Në një postim të bërë në Facebook, sindikata “Solidariteti” denoncon mënyrën e procedimit, duke e konsideruar shkëputjen e marrëdhënies si shkelje të të drejtave të njeriut.  Gjithashtu, në deklaratë theksohet se ndërprerja e punës e përkeqëson edhe më tej situatën e operatorëve, të cilët nuk janë paguar gjatë dy javëshit të vetë-izolimit.

Atyre nuk iu dha asnjë shpjegim i mëtejshëm, pa lëre më një zgjidhje për hallin e tyre. Kompania u mjaftua me një copë letër që thotë se do ju njoftojmë kur kriza të kalojë dhe dy fjalë që nënkuptojnë theqafjen për këdo që nuk është i kënaqur me të ngelurit i papunë në mes të fatkeqësisë.

Për ta përkeqësuar edhe më shumë situatën, kjo kompani nuk i ka paguar ditët të cilat janë detyruar dhjetra punëtorë nga kjo e fundit të futen në karantinim si pasojë e frikës së përhapjes së virusit pas identifikimit të rastit të parë të njërit prej kolegëve të tyre”, shkruan sindikata “Solidariteti”.

Në këtë reagim, theksohet se ndër individët që preken nga masat e kompanisë “Teleperformance” është Tonin Preçi, kryetar i sindikatës “Solidariteti”, çka përbën shkelje të Kodit të Punës.

Pushimi “i pabesë” i operatorëve

Ritjon Mone, operator i pezulluar përkohësisht nga kompania “Teleperformance”

Lajmin për pezullimin e procesit të punës për të qenë i sinqertë nuk e prisja fare, për arsyen e thjeshtë se punoja në nje kompani që deri pak orë më parë mendoja se ishte një nga kompanitë më të mira në Shqipëri, e cila kujdesej për operatorët dhe bashkëpunëtorët e saj.

Ajo që ndodhi mesditen e sotme më bindi se ‘Teleperformance’ nuk është ashtu si i prezantohet operatorëve të saj dhe pjesës tjetër të shoqërisë, por është thjesht një kompani shfrytëzuese që shkel kontratën dhe parimet e saj”, artikulon më tej Mone.

Arlinda*, një tjetër operatore e kësaj kompanie shprehet se kjo është një padrejtësi, e cila u rëndon në këtë moment shumë delikat.

Kjo nuk është ligjore dhe nuk është aspak e drejtë. Nuk kërkoj të paguhem duke ndenjur, kërkoj të punoj nga shtëpia si shumica dhe të paguhem. Këtë patën premtuar dhe kërkoj zbatimin e premtimeve që dhanë!”

Ritjon Mone, tregon se nevoja dhe dëshira e tyre për ta vijuar punën në përputhje me kushtet e pandemisë, nuk është marrë në konsideratë nga punëdhënësi. Operatorët kanë kërkuar të punojnë nga shtëpia.

Gjatë gjithë atyre ditëve nuk kemi kërkuar në asnjë moment të paguhemi kot, por kemi kërkuar para se të gjithash të punojmë nga shtëpia (ashtu si një pjesë fare e vogël e kolegëve tanë të cilëve kompania ua mundësoi të punuarit nga shtëpia) dhe në rast se kompania nuk na e siguronte dot këtë, atëherë të na paguante. 14 ditë kaluan dhe kompania jo vetëm qe nuk na komunikoi asgjë në lidhje me rrogën dhe fillimin e punës, por na la pa punë fare”.

Të tjerë operatorë pohojnë se pasojat e kësaj shkëputjeje do të jenë ndjehen shpejt, pasi detyrimet monetare nuk presin.

Emocionalisht dhe ekonomikisht do më rëndojë shumë pasi kam detyrime të tjera të cilat nuk presin kohë dhe duhet të bëj patjetër pagesa, ndryshe ka masa ligjore. Si do i bëj këto pagesa? S’kam asnjë rezervë. Gjithçka është e kundërligjshme. Për mua është flakje në rrugë në mënyrë ‘të kulturuar’”, thekson Besa* për Citizens Channel.

Pushimi nga puna, një fatkeqësi e dytë

Lajmin e pezullimit të punës e kam pritur si një fatkeqësi akoma më shumë në këto ditë mbytëse. Ndjehem e zhgënjyer, e inatosur, kam një urrejtje të madhe për gjithë drejtuesit e kompanisë që në momentin që kam më shumë nevojë për të punuar më pushojnë nga puna dhe për më tepër nuk më paguajnë as ditët që më detyruan të qëndroj në shtëpi”, thekson Arlinda, operatore e “Teleperformance”.

I ndjerë i flakur në rrugë dhe pa asnjë rëndësi në kompaninë ku kontribuon prej kohësh, Mone shpjegon se paga ishte shtyllë kryesore për të mbuluar shpenzimet e tij si student por edhe për të ndihmuar familjen.

Me atë punë përmbushim nevojat tona per të jetuar në Tiranë, për të ndjekur shkollën dhe hera-herës për të ndihmuar edhe familjen! Në situatën që ndodhemi ajo që do na rëndojë më shumë është pamundësia për të ndihmuar familjen, që ka aq shumë nevojë në këto ditë, pasi shkolla fatkeqësisht  mbetet për një moment të dytë”.

Duke e konsideruar të paligjshëm pushimin e tyre nga puna dhe shkelje të kontratës së punës, ku nuk parashikohet pushim nga puna në rast fatkeqësie, operatorët e shikojnë zgjidhjen te bashkësia.

Dua vetëm t’u drejtohem kolegëve të mi dhe gjithë punëtorëve të tjerë si unë, që në këtë situatë të vështirë, por edhe pasi  kjo të kalojë, të shikojnë përtej interesave personale dhe të kujdesen për njëri- tjetrin, duke u organizuar dhe duke qëndruar në një mendje, pasi vetëm kështu do të mund t’ia dalim në situata të tilla si kjo që ‘Teleperformanca’ krijoi për ne”, përfundon Mone.

*Emrat e të intervistuarve janë ndryshuar për të ruajtur konfidencialitetin

Të Fundit

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Citizens.al

FREE
VIEW