Për të dytin vit rresht, Shqipëria shënoi përkeqësim në renditjen e Reporterëve pa Kufij për lirinë e shtypit duke zbritur me dy pozicione në indeksin global ku u rendit në vendin e 84 nga 180 shtete të marra në studim.
Në raport për situatën e medias në Shqipëri thuhet se qeveria shqiptare tentoi të marrë kontrollin mbi mediat.
“Në vitin 2019, qeveria rriti përpjekjet për të marrë kontrollin mbi median me arsyetimin e luftimit të lajmeve të rreme. Në dhjetor, shumica qeverisëse votoi në Parlament një paketë “anti-shpifje” që forcon rregullimin e mediave në internet. Kufizimi i lirive të shprehjes, informacionit dhe shtypit dhe kundërshtimi i praktikës më të mirë ndërkombëtare, të dy ligjet rrezikojnë të rritin censurimin dhe i bëjnë gazetarët më të prekshëm përballë presioneve të qeverisë,”– citohet në raport.
Më tej sqarohet se ligjet u çuan sërish në parlament pavarësisht vetos së Presidentit, por u vendosën përballë kritikave të shtatë organizatave për lirinë e shtypit duke përfshirë edhe Reporterët pa Kufij.
Renditja e Shqipërisë që nga viti 2013:
Vëmendje ka marrë edhe situata e medias dhe raportimit të gazetarëve gjatë ngjarjes së tërmetit.
“Viti 2019 gjithashtu u shënua nga abuzimi i një situate krize për hir të frenimit të lirisë së shtypit. Në kontekstin e tërmetit shkatërrues, dy gazetarë dhe një aktiviste u arrestuan për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe “shkaktimit të panikut”, ndërsa media online kritike për veprimet e qeverisë u mbyllën nga organet qeveritare”, shkruhet më tej në raport.
Me përhapjen e virusit Korona, thirrja e Kryeministrit Rama ndaj qytetarëve për t’u ruajtur nga media, është një pikë e cila është parë me shqetësim nga organizata Reporterët pa Kufij.
“Ndërsa shpërtheu kriza e koronavirusit në Mars të vitit 2020, Kryeministri Edi Rama u bëri thirrje qytetarëve që të mbrohen kundër, ndër të tjerash, mediat. Sulmet fizike dhe rastet e shpifjeve të ngritura gjithnjë e më shumë nga zyrtarët kundër gazetarëve vazhdojnë të ruajnë klimën e pasigurisë dhe frikësimit”.
Sipas raportit, vendi ynë cilësohet si një shtet që synon të bëhet pjesë e Bashkimit Evropian por nuk arrin dot të zgjidhë dhe te sanksionojë raste të ndryshme të sulmeve fizike dhe kërcënimeve serioze ndaj gazetarëve.
Renditja e vendeve të Ballkanit Perëndimor:
Erisa Kryeziu ka përfunduar studimet e larta në Gazetari dhe Komunikim, dhe Master Shkencor në Marrëdhënie me Publikun në Universitetin e Tiranës. Prej pesë vitesh është gazetare dhe menaxhere e projekteve pranë Citizens.al, ku raporton për çështje sociale dhe të drejtat e njeriut, veçanërisht për çështjet e të drejtave në punë, në arsim, barazinë gjinore, grupet e margjinalizuara e personat me aftësi të kufizuar si dhe për çështje mjedisore. Njëkohësisht punon edhe si koordinatore projektesh me fokus rininë dhe edukimin mediatik. Përdoruese e teknikave të reja të raportimit sikurse “Mobile Journalism” dhe e mjeteve të angazhimit qytetar në raportim (ECR-Engage Citizens Journalism).